Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Çfarë duhet të veprojë muslimani në Ramazan?

 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

E më pas:

Me të vërtetë që leximi i Kur’anit ka vlerë shumë të madhe. Ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – : “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, ai do marrë dhjetë sevape, e një sevap shumëzohet me dhjetë. Unë nuk them që Elif Lam Mim, është një shkronjë porse Elif është një shkronjë, Lam është një shkronjë dhe Mim është një shkronjë.”

Pra, kjo është një mirësi e madhe. Leximi i Kur’anit është për çdo kohë, porse leximi i Kur’anit në Ramazan është më i vlefshëm, për shkak se kjo është kohë fisnike. Muaji i Ramazanit është muaji i leximit të Kur’anit. Lexohet Kur’ani në këtë kohë më shumë sesa në kohët e tjera.

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ

“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani.”  [el Bekare, 185]

Zbriti në të Kur’ani, d.m.th. filloi të zbriste në këtë muaj. Më pas vijoi të zbriste, derisa ndërroi jetë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –  dhe zbritja e tij ndodhi për njëzetë vjet.

Leximi i Kur’anit në muajin e Ramazanit ka vlerë më të madhe se në muajt e tjerë. Duhet që muslimani të shtojë leximin e Kur’anit në muajin e Ramazanit.

Në muajin Ramazan është ligjëruar gjithashtu namazi i Teravive, i cili falet në xhami me xhemat. Ky namaz është nga veçoritë e Ramazanit, kur mbushet xhamitë me namazlinj që falin namazin e Teravive, mbas namazeve obligative.

Muslimani duhet të shtojë qëndrimin në xhami në muajin e Ramazanit dhe të lexojë çfarë të mundet nga Kur’ani, ta përsërisë atë, dhe të merret me përmendjen e Allahut, të bëj dhikër, të thotë subhannAllah, El-Hamdulilah. Pra, qëndrimi në xhami është më e mirë për të.

Muslimani nuk duhet që ta çojë dëm këtë muaj të Ramazanit, duke e kaluar natën zgjuar me çështje dynjaje apo me gjëra që nuk kanë dobi as për fe as për dynja. Si për shembull ta kalojë natën zgjuar duke ndjekur kanalet televizive, përpara ekranit, sepse kjo është  shpërdorim i kohës, është humbje në jetën e muslimanit dhe neglizhim i këtij muaji të bekuar.

Ska dyshim se shejtanët prej njerëzve dhe xhindeve janë mobilizuar në këtë muaj me kanalet e tyre dhe programet e tyre që t’ia humbin muslimanit mirësinë e këtij muaji. Duhet patur kujdes nga ata, duhet mos t’ia varim atyre dhe veprave të tyre. Muslimani duhet të largohet nga ato gjëra në këtë muaj gjithashtu dhe në muaj tjerë, duhet të largohet nga ato gjëra dhe duhet të kthehet duke iu bindur Allahut dhe duke e adhuruar Allahun, duhet ta shfrytëzojë këtë muaj të bekuar duke iu bindur Allahut e duke bërë dhikër për Të.

Ka njerëz që nuk dinë gjë tjetër për muajin e Ramazanit vetëm se duke fjetur gjatë ditës dhe duke e gdhirë natën me thashetheme dhe duke ndjekur ekranet televizive dhe programet që shfaqin ato. Kjo është humbje e madhe. Humb muslimani fenë e tij, humb vepra shumë të vlefshme, humb mirësi të shumta, duke qenë në shkujdesje, në kotësi dhe në lojra, derisa i vjen vdekja dhe ai është në këtë gjendje, ue la haule ue la kuete ila bilah (nuk ka ndryshim e nuk ka fuqi përveç se nga Allahu).

Muslimani duhet ta ruajë jetën e tij duke iu bindur Allahut, duke bërë ato gjëra që e kënaqin Allahun, duke ruajtur obligimet që ka vendosur Allahu, duke shtuar veprat vullnetare, leximin e Kur’anit, dhikrin, si: SubhannAllah, El-Hamdulilah, Allahu Akbar.

Kështu duhet të jetë muslimani në këtë muaj në veçanti dhe gjithashtu në kohët e tjera të jetës së tij. Allahu është ai që jep sukses dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë.

 

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin  mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org