Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, vëll. 19/fq. 291-292
Pyetje: Po shohim disa takvime (kalendare) në muajin e Ramazanit ku është vendosur një kategori që quhet “imsak” dhe kjo do thotë që të caktohen dhjetë minuta ose një çerek ore para namazit të Sabahut. A ka kjo bazë në Sunet apo është një prej bidateve? Na mundësoni të përfitojmë, Allahu ju shpërbleftë.
Përgjigje: Kjo është bidat dhe nuk ka bazë në Sunet. Suneti është e kundërta e kësaj, sepse Allahu thotë në Librin e Tij ngadhënjyes:
وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ ۖ ثُمَّ أَتِمُّوا الصِّيَامَ إِلَى اللَّيْلِ ۚ وَلَا تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ ۗ تِلْكَ حُدُودُ اللَّـهِ فَلَا تَقْرَبُوهَا ۗ كَذَٰلِكَ يُبَيِّنُ اللَّـهُ آيَاتِهِ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَّقُونَ
“...dhe hani e pini derisa qartë të dallohet fija e bardhë (drita e kuqërremtë) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje. Mos iu afroni atyre (bashkëshortëve për të bërë marrëdhënie intime) kur të jeni mbyllur në xhami për adhurim (i'tikaf). Këto janë kufijtë e Allahut (dispozitat e agjërimit dhe itikafit), pra mos u afroni atyre. Kështu Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta (urdhëresat dhe ndalesat) në mënyrë që ata të bëhen të devotshëm.” El-Bekare, 187
Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
«إن بلالاً يؤذن بليل، فكلوا واشربوا حتى تسمعوا أذان ابن أم مكتوم، فإنه لا يؤذن حتى يطلع الفجر»
“Pa dyshim se Bilali e thërret ezanin natën (për t’i zgjuar ata që janë në gjumë), andaj ju hani dhe pini derisa ta dëgjoni ezanin e Ibën Um- Mektumit, sepse ai nuk e thërret ezanin derisa të dalë agimi.” [1]
Kurse këtë imsakun që e kanë shpikur disa njerëz, është shtesë mbi atë që e ka obliguar Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari, dhe ky imsak është i kotë dhe i pavërtetë. Po ashtu, është ekstremizëm në fenë e Allahut. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
«هلك المتنطعون، هلك المتنطعون، هلك المتنطعون»
“Ekstremistët janë të shkatërruar! Ekstremistët janë të shkatërruar! Ekstremistët janë të shkatërruar!” [2]
____________________
[1] Bukhariu (617), Muslimi (1091).
[2] Muslimi (2670).
Përktheu: Jeton Shasivari