Fitër Bajrami është një ditë, ditën e parë. Pastaj ditët që vijnë pas ditës së parë, nga ana sheriatike, nuk janë ditë Bajrami, porse nuk duhet t’u ngushtohet rrethi njerëzve dhe t’u themi atyre: “Mos ua uro njerëzve Bajramin! Mos i vizito njerëzit! Mos bëj këtë e atë!” Siç është zakoni i disa nxënësve të dijes, të cilët i ngushtojnë njerëzit pa u mbështetur në ndonjë shkak sheriatik.
Disa nxënës dije, Allahu më udhëzoftë mua dhe ata, i ngushtojnë njerëzit në shumë çështje. Kur flet për çështjen e festës së Bajramit, thotë: “Vizita në ditët e Bajramit është bidat! Vizitat e ndërsjella janë bidat! Urimi në ditën e dytë është bidat!” Këto gjëra nuk duhet të ekzistojnë. Përkundrazi, vizitat janë të nevojshme në çdo kohë. Çdo herë që koha është e volitshme për vizita midis besimtarëve, atëherë kjo është gjë e përshtatshme. Njerëzit gjatë ditëve të Bajramit janë të gëzuar shpirtërisht, kanë zemër të butë dhe duan të vizitojnë njëri-tjetrin. Sa e sa shkëputje të marrëdhënieve midis besimtarëve kanë marrë fund duke i bërë vizitë njëri-tjetrit në ditët e Bajramit! Pra, vizita është gjë e mirë dhe nuk duhet të ndalohen vizitat.
Po ashtu, fakti tjetër që njerëzit Fitër Bajramin e bëjnë tre, katër apo pesë ditë sipas traditave të tyre, nuk ka problem për këtë. Por nga ana sheriatike, festë është vetëm dita e parë e Fitër Bajramit, për këtë arsye nëse njeriu dëshiron që të agjërojë ditën e dytë, i lejohet atij sepse nuk është ditë Bajrami. I kam dëgjuar disa nga dijetarët tanë duke thënë: “Më e mira për njeriun është që agjërimin e gjashtë ditëve (të Sheualit) ta fillojë tre ditë pas Bajramit, me qëllim që t’i mirëpresë siç duhet vizitorët, të ketë harmoni midis besimtarëve dhe me qëllim që të hajë dhe të pijë bashkë me ta.” Pra, kjo është gjë e preferuar sipas disa dijetarëve tanë.
Përktheu: Jeton Shasivari