Paralajmërimet e dijetarëve për Ebu Hamid Muhamed el-Gazalin dhe librin e tij “Rilindja e Shkencave Fetare - Ihjau Ulumi Din”
[1] Ebu Bekër ibën el-Arabij (543 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Shejkhu jonë Ebu Hamid, i kapërdiu filozofët dhe deshi që t’i vjellë ata, por nuk mundi.”
Burimi: Sijeru E’alami Nubela, 19/327
[2] El-Kadij ‘Ijad (544 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Shejkhu Ebu Hamid ka mendime të poshtra dhe shkrime çoroditëse. Ai i kaloi kufijtë duke ndjekur rrugën e Sufizmit dhe u përkushtua për ta ndihmuar medh’hebin e Sufistave. Ai u bë thirrës për në Sufizëm dhe shkroi disa vepra të njohura rreth Sufizmit. Për disa tema të këtyre librave ai është kritikuar dhe për shkak të këtyre veprave, Ummeti ka mendim të keq për Gazalin. Allahu e di më së miri se çfarë fshehte ai. Me urdhër të mbretit dhe fetva të fukahavë te ne në Magrib, u vendos që të digjen librat e tij dhe të mos u afrohemi këtyre librave. Kështu, ky urdhër u zbatua.”
Burimi: Sijeru ‘Alami Nubelaa, 19/327
[3] Ibën Rushdi (595 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Gazali nuk iu përmbajt ndonjë medh’hebi në librat e tij, përkundrazi kur fliste për Esharizmin ishte Esharij, kur fliste për Sufizmin ishte sufist dhe kur fliste për filozofinë ishte filozof.”
Burimi: Faslul Mekal fi ma bejne el-Hikmeti ue esh-Sheriati min el-Ittisal, fq. 52
[4] Ibnul Xheuzij (597 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Këtë libër Gazali e ka bazuar në medh’hebin e Sufistave dhe i braktisi parimet e Fikhut. Të marrim një shembull (nga ajo që ka shkruar në këtë libër), ku thotë: ‘Një person për të hequr dorë nga pozita që gëzonte dhe për ta kalitur shpirtin e tij, hyri në hamam dhe aty veshi rrobat e dikujt tjetër dhe pastaj veshi sipër rrobat e tij që kishte. Pastaj doli dhe filloi të ecte avash-avash, derisa e zunë dhe ia morën rrobat. Kështu, ky person u quajt “hajduti i hamamit.” T’ua përmendësh këtë njerëzve me qëllim për t’i mësuar muridin-ët (nxënësit e sufistave), kjo është gjë e pështirë, sepse vet Fikhu gjykon se kjo është pështirosje... Po ashtu në këtë libër është përmendur se: një person bleu mish dhe i vinte turp që ta çojë atë në shtëpi, kështu e vari atë në qaf dhe u kthye në shtëpi...
Ka përmendur edhe shumë gjëra të tilla si këto dhe këtu nuk është rasti që t’i përmend një nga një, por këto gabime të këtij libri i kemi mbledhur në një libër të veçantë dhe e kam quajtur “Iëlamul Ahjaa bi Aglati el-Ihjaa (Paralajmërimi i të gjallëve për gabimet e librit ‘Rilindja’)”. Disa nga këto gabime i kam përmendur edhe në librin tim të titulluar “Telbisu Iblis”.
Gjithashtu, Gazali ka përmendur në kapitullin e nikahut se Aisheja – radijAllahu anha – i tha Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Ti që pretendon se je i Dërguari i Allahut.” Është gjë e pamundur dhe absurde që ta ketë thënë Aisheja një gjë të këtillë.”
Burimi: Et-Muntedham fi Tarikhi el-Muluki ue el-Umem, vëll. 17/ fq. 125-126
Ibnul Xheuzij gjithashtu thotë:
“Doli Ebu Hamid el-Gazalij dhe shkroi librin ‘El-Ihjaa” duke ndjekur rrugën e Sufistëve dhe e mbushi këtë libër me hadithe të kota e të shpikura dhe nuk e dinte se këto janë të kota. Ai doli jashtë parimeve të fikut dhe tha: “Ajo që kihet për qëllim me yllin, diellin dhe hënën që i pa Ibrahimi – alejhi selam – është se këto janë drita që janë perde (hixhabi) të Allahut dhe nuk janë për qëllim me yjet, diellin dhe hënën që i dimë ne të gjithë.” Këto janë fjalë të Batinijeve (Sektet që shfaqin Islamin por fshehin kufrin në brendinë e tyre, sh.p.).
Gazali në librin e tij “el-Mufsihu bi el-Ahuaal” ka thënë: “Sufistët duke qenë zgjuar, i shohin melaiket dhe shpirtrat e Pejgamberëve, i dëgjojnë zërat e tyre dhe përfitojnë nga dituritë e tyre. Pastaj gjendja arrin deri aty ku ata i shohin pamjet e tyre deri në atë gradë, saqë ata nuk mund të shqiptojnë as edhe një fjalë të vetme.”
Burimi: Telbisu Iblis, fq. 420
[5] Neueuiju (676 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Namazi që njihet si “Namazi i Ragaibit” i cili është dymbëdhjetë rekate që falet midis Akshamit dhe Jacisë në natën e parë të Xhumasë në muajin Rexheb dhe namazi i natës me njëqind rekate që falet në mesin e muajit Shaban, këto namaze janë dy bidate të qortuara dhe të fëlliqura. Të mos mashtroheni se këto namaze përmenden në librat “Kuetul-Kuluub” dhe “Ihjau Ulumi Din,” e as të mos mashtrohemi me hadithin që përmendet në këto dy libra, sepse i gjithë hadithi është i pabazë (batil)...”
Burimi: Mexhmu’u Sherhi Muhedh-dheb, 3/548
[6] Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh (728 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Në librin “el-Ihjau” ka tema që janë të urryera dhe të qortuara, të cilat janë fjalë të filozofëve që keqinterpretojnë teuhidin, profetësinë dhe ahiretin. Kur Gazali përmend në këtë libër dituritë e Sufistëve, është sikur shembulli i atij që e merr një armik të Muslimanëve dhe e vesh atë me petkun e Muslimanëve. Imamët e fesë e kanë kritikuar Ebu Hamidin për librat e tij dhe kanë thënë: “Atë e sëmuri libri “esh-Shifa”, pra libri i Ibën Sinas në filozofi. Në librin “el-Ihjau” ka hadithe dhe ethere të dobëta, madje ka edhe shumë të shpikura. Po ashtu ka shumë falsitete dhe marrëzira të Sufistave.”
Burimi: Mexhmu’ul Fetaua, 10/552
[7] Dhehebiu (748 h.), Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Mendimet e tij e futën atë në ngushticat e filozofisë dhe vendet e devijimit.”
Burimi: Sijeru E’alami Nubela, 19/323
[8] Shejkh Salih el-Feuzan, Allahu e ruajttë, është pyetur për këtë libër:
Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu ju dhëntë sukses, ky pyetës thotë: “Shitet një libër në librari i cila ka zbritje dhe promovohet, ai libër është “Rilindja e Shkencave Fetare” i Gazalit. Çfarë mendimi keni për këtë libër? A u lejohet fillestarëve që ta blejnë këtë libër dhe ta lexojnë?
Përgjigje: Jo! Ky libër ka përzierje të Sufizmit me adhurimin. Ky libër ka shumë përzierje dhe bazohet në medh’hebin e Sufistave, sepse Gazali u bë Sufist në fund të jetës së tij dhe e zgjodhi rrugën e Sufistave dhe nuk u shkëput dot nga ata; edhe pse kishte prirje për dituri dhe bënte adhurim, por nuk u shkëput dot nga Sufizmi, saqë nxënësi i tij Ibën el-Arabij ka thënë: “Shejkhu jonë e gëlltiti Sufizimin dhe nuk mundi që ta vjellë atë.” Atë e mundi Sufizmi.
Këtë libër “Rilindja e Shkencave Fetare” nuk këshillohet që ta lexojë një fillestar në dituritë fetare, kurse ai që është kompetent dhe ka dije të mirëfilltë dhe ka njohuri, s’ka problem që ta lexojë. Kurse ai që nuk është kompetent, nuk e lexon këtë libër, sepse ai mund të bjerë në këto gabime pa e ditur fare. Ky libër përmban sufizma dhe dituri të Sufistave. Dijetarët e kanë refuzuar këtë libër dhe kanë shkruar kritika duke i nxjerr në pah gabimet e tij. Një nga refuzimet më të vonshme është libri i Shejkh Abdu-Latif bin Abdur-Rahman ibën Hasen, i cili është botuar në librin “ed-Dureru es-Senijeh” në të cilin sqarohen rreziqet që gjenden në librin “Rilindja e Shkencave Fetare” për nxënësit e diturisë.
Burimi: Sherh el-Fetaua el-Hamauijeh, mësimi 6, min. 59:29
Përktheu: Jeton Shasivari