Bismilah...

Autor: esh-Shejkh Salih Ibn Se’ad es-Suhajmi

Pyetësi: Po e mbyllim me këtë pyetje që ka ardhur nëpërmjet internetit nga Algjeria. Pyetësja thotë: Më kërkoi dorën një burrë (që të martohem me të) i cili punon me rukje, por rruga që ndjek ai në rukje është e çuditshme. Ai vendos misvakun mbi kokën e atij që po i bën rukje dhe pastaj fillon t’i bëjë rukje dhe thotë “Unë jam Sunnij e nuk jam Selefij”. Ç’mendoni ju i nderuar, a të lidhem me atë person (për martesë)?

Përgjigje: Ky rukje-bërës është njollosur njëherësh me dy bidate. Unë ju tërheq vëmendjen nga shumë prej rukje-bërësve ngase në të vërtetë shumica e tyre nuk ndjekin udhëzimin e të Dërguarit të Zgjedhur (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Dhe kush e merr rukjen për zanat, atëherë ai është veçse një bidatçi. Kush e merr rukjen për zanat është bidatçi. Kjo është një fjalë me të cilën unë e adhuroj Allahun, ngase kjo gjë nuk është vërtetuar nga Selefët.

Kurse për sa i përket personit që i kërkohet t’i bëjë rukje vëllait të tij, atëherë “Kush mund të jetë i dobishëm për vëllain e tij le ta bëjë.”, siç ka thënë Besniku i Besuar (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

 

Dhe nga bidatet e rukje-bërësve është bërja e rukjeve në xhemat. Nga bidatet e rukje-bërësve janë gjynahet që ata bëjnë duke u kërkuar grave që të zbulojnë fytyrat e tyre për t’i pështyrë ato drejtpërdrejtë.

Dhe nga rrenat e rukje-bërësve është se ata nxjerrin gëzofë ujqërish , ose nxjerrin një person për të cilin pretendohet se brenda tij është një xhin i devotshëm Muslimani cili ndihmon në nxjerrjen e xhinit. Të gjitha këto janë rrena për të cilat Allahu nuk ka zbritur as edhe një argument.

Ndërsa ky rukje-bërës që përmende ti o motër që pyete, ai ka dy kundërshtime me Sheriatin. Kundërshtimi i parë është që ai vendos misvakun mbi kokën e të sëmurit apo të sëmurës, kur në të vërtetë ai që bën rukje mund të bëjë rukje pa vendosur asgjë mbi trupin e të sëmurit, as dorën e tij e as ndonjë gjë tjetër.

Dhe e dyta, e cila është më e madhe sesa e para, është thënia e tij që ai është Sunnij dhe nuk është Selefij. Kjo thënie në vetvete është kontradiktore. Sunniu o i gjorë është Selefiu dhe Selefiu është Sunniu. Kushdo që bën dallim midis këtyre të dyve ka bërë dallim midis dy gjërave që janë të njëjta me njëra-tjetrën. Pra, Selefët janë Ehli-Suneti dhe Selefijunët janë ndjekësit e Sunetit. Dhe kushdo që distancohet nga kjo, atëherë ai nuk është as Sunnij e as Selefij.

Thjesht ngaqë disa persona pretendojnë Selefizmin mirëpo nuk e zbatojnë atë, kjo nuk ta bën të lejuar ty që të distancohesh nga Selefizmi. Përkundrazi, ti e ke obligim që të nderosh veten tënde duke u cilësuar me Selefët dhe Menhexhin e Selefëve, ngase nuk ka dyshim se cilësimi me të është obligim.

Ehli-Suneti, Selefët, ndjekësit e Selefëve, Firkatun-Naxhijeh, Tajfetul-Mensurah, Xhemati, Selefij dhe Sunnij, të gjitha këto nënkuptojnë një titull dhe ata janë Xhemati (d.m.th. xhemati i bashkuar në të vërtetën). Ata u ngjasojnë ndjekësve të rrugës së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Sahabëve të tij.

Prandaj bëhu Selefij, bëhu Selefij serioz, ashtu siç thonin Selefët, Selefij që cilësohesh me Menhexhin e Selefëve në fjalë, vepra dhe besim.

Dhe unë besoj se kushdo që mburret duke thënë të tilla fjalë (Unë jam Sunnij e nuk jam Selefij) është shumë larg Menhexhit të Suniut që është Menhexhi Selefij. Prandaj qëndro larg prej tij dhe mos e prano, përveç nëse ai pendohet tek Allahu për këto fjalë.

Allahu u dhënë sukses të gjithëve në dije të dobishme dhe në vepra të mira.

Lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.

 

Përktheu Alban Malaj

 

 

 

Video në AudioSelefi.org