Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: ‘Ittihaful-Karij bit-Ta’likat ‘ala Sherhus-Sunneh lil-Imam Berbahari’ (fq. 240-242, vëllimi 1)


Imam Berbahari (rahimehullah) ka thënë në Sherhus-Sunneh:

Lejohet që t’i luftosh Khauarixhët nëse ata sulmojnë pasuritë e Muslimanëve ose Muslimanët me familjet e tyre, por nëse ata janë të shpërndarë, atëherë Prijësi Musliman nuk duhet t’i kërkojë, as nuk duhet t’i vrasë të plagosurit e tyre, as nuk duhet të marrë plaçkë lufte nga ata, as nuk duhet t’i vrasë ata që janë zënë robër dhe as nuk duhet t’i ndjekë nga pas ata që kanë shpëtuar.

Shejkh Salih el-Feuzan e komentoi thënien e mësipërme të Imam Berbaharit (rahimehullah) duke thënë:

“Ne dimë që Khauarixhët janë ata të cilët mendojnë se mund të heqin dorë nga bindja (ndaj prijësit). Ata mendojnë se prijësit nuk i jepet besa e aleancës ose që njerëzit nuk e kanë detyrë që ta mbajnë besën e tyre për aleancë me të (me prijësin) kur ai bie në gjynahe, dhe ata (gjithashtu) i shpallin Muslimanët qafira për gjynahet e mëdha që bëjnë.

Kështu, nëse ata marrin këtë medh’heb (të mendimeve që sapo u përmendën) dhe nuk ndodh asnjë trazirë apo vrasje (nga ana e tyre), atëherë ata lihen, këshillohen dhe sqarohen me shpresën se do të pendohen. Nëse ata shkaktojnë trazira dhe tregojnë forcën e tyre, atëherë bëhet obligim për Muslimanët që t’i luftojnë ata për të larguar të keqen e tyre.

Ata nuk duhet të luftohen në bazë të parimit që ata janë mosbesimtarë, por ata duhet të luftohen në bazë të parimit që ata janë Muslimanë të cilët bëjnë shkelje dhe dhunë kundër Muslimanëve. Prandaj kur u pyet Prijësi i Besimtarëve, ‘Aliu (radij-Allahu ‘anhu) për Khauarixhët, “A janë ata mosbesimtarë?” ai tha: “Jo, ata e kanë braktisur mosbesimin, por janë njerëz që u rebeluan kundër nesh.

Kështu që, ata nuk duhet të luftohen me parimin që ata janë mosbesimtarë, dhe kjo është arsyeja përse gratë dhe fëmijët e tyre nuk merren si robët, as pasuritë e tyre dhe as të plagosurit e tyre nuk vriten, pasi ata luftohen vetëm për të larguar të keqen e tyre dhe për shkak të kufrit (mosbesimit).

Dhe për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah):

Lejohet që t’i luftosh Khauarixhët nëse ata sulmojnë pasuritë e Muslimanëve ose Muslimanët me familjet e tyre” sepse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) urdhëroi që ata të luftohen, dhe sepse ‘Aliu (radij-Allahu ‘anhu) i luftoi ata kur ata sulmuan dhe vranë ‘Abdullah Ibn Khabbab el-Arrat dhe i çanë barkun gruas së tij e cila ishte shtatzënë. [1] Kështu, Prijësi i Besimtarëve, ‘Aliu (radij-Allahu ‘anhu) vendosi t’i luftojë ata pasi ata sollën një arsye të fortë për t’u luftuar.

Për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah): “Por nëse ata janë të shpërndarë, atëherë Prijësi Musliman nuk duhet t’i kërkojë.”

Nëse ata e ndërpresin luftimin, prijësi nuk duhet t’i ndjekë ata nga pas dhe as nuk duhet të dërgojë ekspeditë ushtarake kundër tyre, për sa kohë që ata nuk kryejnë akte dhune. Dhe nuk ka dyshim që ata janë të devijuar dhe duhet të këshillohen me shpresën se mund të kthehen (duke u penduar) dhe nuk duhet të luftohen.

Për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah): “As nuk duhet t’i vrasë të plagosurit e tyre”; sepse e keqja e personit të plagosur është zvogëluar.

Për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah): “As nuk duhet të marrë plaçkë lufte nga ata”; që do të thotë se pasuria e tyre nuk duhet marrë si plaçke lufte, pasi ajo është pasuria e Muslimanëve.

Për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah): “As nuk duhet t’i vrasë ata që janë zënë robër”; ngaqë ata janë Muslimanë, dhe duke qenë të plagosur dhe të zënë robër, e keqja e tyre është zvogëluar.

Dhe për sa i përket thënies së Imam Berbaharit (rahimehullah): “As nuk duhet t’i ndjekë nga pas ata që kanë shpëtuar”; nëse ata shpëtojnë duke ia mbathur, prijësi duhet t’i lërë dhe të mos i ndjekë nga pas sepse e keqja e tyre është zvogëluar.”

Fundnotë:
[1] Sh.p: Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Ubejkan e përmend këtë ngjarje në librin e tij ‘el-Khauarixh uel-Fikral-Mutexhedid’, i cili thotë:

“Ajo që vërteton injorancën e tyre është ngjarja që ndodhi gjatë kohës së ‘Aliut (radij-Allahu ‘anhu). Ai u çua e mbajti hytbe dhe i nxiti ata që të bënin Xhihad dhe të kishin durim kur të ndesheshin. Dhe ai e mori vendimin për të sulmuar njerëzit e Shamit kur atij i erdhi lajmi se Khauarixhët po bënin shkatërrim në tokë, po derdhnin gjak, po grabisnin dhe po merrnin atë që nuk ishte e ndaluar. Një prej atyre që vranë ata ishte ‘Abdullah Ibn Khabbab (radij-Allahu ‘anhu), një Sahab i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ata e morën atë si rob bashkë me gruan e tij shtatzënë. Ata i thanë: “Kush je ti?” Ai tha: “Unë jam ‘Abdullah Ibn Khabbab, Shok i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe ju më trembët.” Ata i thanë: “Asgjë nuk ka për të ndodhur ty. Na trego çfarë ke dëgjuar nga babai yt.” Dhe ai tha: “E kam dëgjuar babain tim duke thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Ka për të ndodhur një fitne. Ai që është i ulur në atë kohë do të jetë më mirë se ai që është në këmbë. Ai që është në këmbë do të jetë më mirë se ai që po ecën. Dhe ai që po ecën do të jetë më mirë se ai që po vrapon.” Atëherë ata e kapën atë nga dora. Dhe kur po ai po ecte bashkë me ata, disave prej tyre u doli përpara një derr që e zotëronte një jo-Musliman që paguante taksën e sigurisë në tokën Islame (Dhimmij). Njëri prej tyre e qëlloi derrin me shpatën e tij dhe i rropi lëkurën. Kurse një tjetër i tha: “Përse e bëre këtë kur ai (derri) i përket një dhimiu?” Kështu, ai shkoi tek dhimiu dhe u soll me përzemërsi dhe i bëri qejfin atij! Gjithashtu, kur ai (‘Abdullah Ibn Khabbabi) ishte me ta, një hurmë ra nga palma dhe njëri prej tyre e mori dhe e futi në gojë. Kurse një tjetër prej tyre i tha atij: “Ti e more këtë pa marrë leje apo pa dhënë ndonjë çmim për të?” Kështu, ai e hoqi nga goja. Gjithsesi, ata erdhën tek ‘Abdullah Ibn Khabbabi dhe e therën atë. Pastaj erdhën tek gruaja e tij dhe ajo u tha: “Unë jam një grua shtatzënë, a nuk po i frikësoheni Allahut ‘Azze ue Xhel?” Dhe kështu, ata e therrën edhe atë, i çanë barkun dhe ia shqyen fëmijën e sapoformuar në embrion.”

Shikoni pra se si ata përmbahen nga diçka që ishte e lehtë, por ata nuk përmbahen nga derdhja e gjakut, shenjtëria e të cilit është shumë e madhe. Ata u përmbajtën nga vrasja e atij derri për shkak se ai i përkiste një qafiri dhimmij! Dhe ata shkuan tek ai dhe ta merrnin me të mirë. Në të njëjtën kohë, ata u përmbajtën nga ngrënia e një hurme që ra nga palma. Por gjithsesi, ata nuk u përmbajtën nga vrasja e një Muslimani!”

 

Përktheu Alban Malaj