Pyetje: Kohët e namazeve janë pesë, por pse Allahu në fjalën e Tij ka përmendur vetëm tre kohë, duke thënë:
أَقِمِ الصَّلَاةَ لِدُلُوكِ الشَّمْسِ إِلَى غَسَقِ اللَّيْلِ وَقُرْآنَ الْفَجْرِ إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودً
“Kryeje namazin që prej rënies së diellit (nga kupa qiellore) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim (në namazin e sabahut). Me të vërtetë, Kurani që lexohet në agim është i dëshmuar.” El-Isra, 78
Përgjigje: Sepse kohët e namazit në raste domosdoshmërie dhe nevoje janë tre. Pra, ti e bashkon namazin e drekës me atë të iqindisë duke i falur ato në kohën e drekës apo të iqindisë, si dhe e bashkon namazin e akshamit me atë të jacisë duke i falur ato në kohën e akshamit apo të jacisë, kurse namazi i sabahut falet në kohën e vet dhe nuk bashkohet me ndonjë namaz tjetër.
💠 Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Koha e përbashkët e namazit të drekës me atë të iqindisë, si dhe e akshamit me atë të jacisë, është koha e faljes së tyre duke i bashkuar ato në raste kur njeriu ka arsye. E nëse dy namaze falen bashkë në një kohë pa ndonjë arsye, atëherë ai njeri që e ka bërë këtë është mëkatar. Por, ai që i ka falur ato namaze në atë kohë, ajo është koha e atyre dyjave në përgjithësi.” Burimi: Minhaxhu Sunneti en-Nebeuijjeh, 5/218
Fjala e Tij, të Lartësuarit:
لِدُلُوكِ الشَّمْسِ
“...që prej rënies së diellit...” El-Isra, 78
Do të thotë: prej kohës së zenitit, e që është fillimi i hyrjes së kohës së drekës e derisa të perëndojë dielli.
💠 Autori (Ibën el-Xheuzij) në librin “Zadul-Mesiir” thotë: “Ebu Ubejdeh ka thënë: ‘Rënia e diellit’ është prej zenitit e deri sa të perëndojë.’
Ez-Zexh-xhaxhi ka thënë: “Animi i diellit në kohën e pasdites quhet rënie e diellit (duluk دلوك) dhe animi i tij drejt perëndimit po ashtu quhet rënie (duluk دلوك).’
El-Ez’herij ka thënë: ‘Domethënia e fjalës ‘duluk’ në gjuhën arabe do të thotë ‘zenit’. Për këtë arsye, kur dielli fillon të zbresë në mesditë, quhet ‘daalikeh – rënës’ dhe kur dielli perëndon, po ashtu quhet ‘daalikeh’ sepse në të dyja rastet ai është kalimtar.
Komentuesit e Kuranit për fjalën ‘duluk’ në këtë ajet kanë dy mendime:
Mendimi i parë: Është koha e ngjitjes së diellit në zenit në mesditë... Ky është mendimi i Ibën Umerit, Ibën Berezah, Ebu Hurejras, el-Hasenit, Shabit, Seid bin Xhubejrit, Ebu el-Alijeh, Muxhahidit, Atait, Ubejd bin Umejrit, Katades, Dahakut, Mukatilit, dhe po ashtu është përzgjedhja e Zuhrit.
Zuhri ka thënë: “Ky ajet përfshin pesë namazet, kështu që domethënia e ajetit është: Fale namazin prej kohës së zenitit e deri në errësirën e natës. Kështu aty hyjnë koha e parë (dreka) dhe iqindia, kurse dy namazet e errësirës së natës janë: akshami dhe jacia. Pastaj Allahu tha:
وَقُرْآنَ الْفَجْرِ
“...dhe këndo Kuran në agim (në namazin e sabahut).” El-Isra, 78
Të gjitha këto janë pesë namaze.
Mendimi i dytë: Është perëndimi i diellit. Këtë e ka thënë Ibën Mesudi, Nekhaiu dhe Ibën Zejdi. Transmetohet nga ibën Abbasi gjithashtu dy mendime të ngjashme si këto.
El-Ferrau ka thënë: “Unë e di që arabët ‘duluk’ i thonë perëndimit të diellit.” Këtë mendim e ka zgjedhur Ibën Kutejbeh... Duke u bazuar tek kjo, atëherë qëllimi me këtë namaz është namazi i akshamit.” Burimi: Zadul-Mesiir fi Ilmi et-Tefsiir” (3/45-46)
Fjala e Tij: “Në errësirën e natës” pra, kur vjen terri. Errësira e natës fillon që nga perëndimi i diellit. Gjithashtu kjo është koha e akshamit ku përfshihet edhe jacia, sepse në kohën e jacisë mund të bashkohet namazi i akshamit me atë të jacisë.
💠 Autori (Ibën el-Xheuzij) në librin “Zadul-Mesiir” thotë:
“Errësira e natës është për qëllim terri i saj. Ka tre mendime të ndryshme në lidhje me namazin gjatë errësirës së natës:
Mendimi i parë: është për qëllim jacia. Këtë e thotë Ibën Mesudi.
Mendimi i dytë: është për qëllim akshami. Këtë e thotë Ibën Abbasi.
El-Kadij Ebu J’ala ka thënë: Ka mundësi që të jetë për qëllim sqarimi se kur hyn koha e akshamit, dhe se ajo kohë fillon nga perëndimi i diellit deri në errësirën e natës.
Mendimi i tretë: janë për qëllim akshami dhe jacia. Këtë e ka thënë el-Haseni.” Burimi: Zadul-Mesiir fi Ilmi et-Tefsiir, (3/45-46)
Fjala e Tij: “Kurani i agimit.” Do të thotë namazi i sabahut.
💠 Autori (Ibën el-Xheuzij) në librin “Zadul-Mesiir” thotë: “Kjo do të thotë: Përfundoje leximin e agimit.
Komentuesit e Kuranit kanë thënë: ‘Me këtë fjalë është për qëllim namazi i sabahut.’
Ez-Zexh-xhaxhi ka thënë: ‘Këtu kemi një dobi të madhe që tregon se nuk ka namaz pa lexim të Kuranit, sepse namazi u quajt ‘Kuran.’ Burimi: Zadul-Mesiir fi Ilmi et-Tefsiir, (3/46)
Pra, kohë të namazit janë pesë, kurse në raste nevoje dhe domosdoshmërie janë tre kohë.
Burimi: https://t.me/malbaz/78
Përktheu: Jeton Shasivari