Bismilah...

 


Pretendohet nga ndjekësit e Muhamed Zahid el-Keutherit - ai që e konsideroi Imam Dhehebiun si muxhessim (d.m.th. thoshte se Imam Dhehebiu i atribuonte Allahut “trup”), i cili zor se kuptonte ndonjë gjë nga bazat e fesë – kinse Imam Dhehebiu ka shkruajtur një broshurë që ata e kanë quajtur “en-Nasihatu edh-Dhehebijje” [Këshilla e Artë], që mendohet se Imam Dhehebiu ia ka drejtuar Shejkhul-Islam Ibn Tejmijes.

Ky atribuim i rremë i të ashtuquajturës “nasiha” ndaj Imam Dhehebiut është verifikuar nga Ulematë dhe më poshtë do ta paraqesim këtë çështje hollësisht:

Nasiha apo këshilla i jepet personit kur ai është gjallë. Ndërsa vlerësimet dhe gjykimet rreth biografisë bëhen pas vdekjes së personit.

Mund të themi se ndjekësit e Muhamed Zahid el-Keutherit dhe Esh’aritë në përgjithësi pajtohen se nasiha [d.m.th. këshilla] i jepet personit vetëm atëherë kur ai është gjallë, nëse për qëllim është dhënia e këshillës personit me qëllim që t’i bëjë dobi atij.

Ne nuk mendojmë se këtu ka ndonjë mosmarrëveshje.

Në bazë të kësaj, atëherë çfarë do të thonë Esh’aritë dhe të ngjashmit e tyre për faktin se këto që vijojnë janë fjalët që ka shkruajtur Imam Dhehebiu (rahimehullah) për Shejkhul-Islam Ibn Tejmijen (rahimehullah) pas vdekjes së tij?

Imam Dhehebi ka thënë në “Mu’xhemul-Muhaddithin” (fq. 25):

“Ahmed bin ‘Abdul-Halim… Imami, Dijetari, Hafidhi, el-Huxheh (argumenti bindës), njeriu i pashembullt i epokës, oqeani i shkencave, Takiud-Din ‘Abul-‘Abbas el-Harrani, ed-Dimeshki.”

Pastaj thotë:

“Ai shkruajti, lexoi dhe korrigjoi (vepra të ndryshme) dhe gjithashtu u bë mjeshtër i transmetimeve dhe suneteve. Ai studjoi, dha fetva, bëri tefsir dhe shkroi veprat më mahnitëse. Ai ishte i vetëm në disa mendime që kishte dhe prandaj nderi i tij u sulmua, mirëpo ai ishte një njeri që kishte gjynahe dhe gabime. Por pavarsisht kësaj - dhe betohem në Allahun - sytë e mi nuk kanë parë ndonjë të tillë si ai dhe as ai nuk ka parë ndonjë të tillë si vetja e tij. Ai ishte mjeshtër dhe erudit në fushat e ndryshme të Fesë, kishte një intelekt të saktë e të shëndoshë, jashtëzakonisht i shpejtë në perceptimet e tij, dinamik në kuptimin e tij, i stërmbushur me vepra të mira dhe karakterizohej nga trimëri dhe bujari të paparë. Ai qëndroi larg dëshirave për ushqim, veshmbathje dhe marrëdhënie seksuale.

Ai nuk gjente kënaqësi në ndonjë gjë tjetër përveç se në përhapjen e diturisë, duke e derdhur atë nëpër libra dhe pastaj duke vepruar sipas kërkesave të diturisë. Ebul-Fet’h el-Je’meri e ka përmendur atë duke iu përgjigjur pyetjeve të Ebul-‘Abbas Ibn Dimjati el-Hafidh, duke thënë: “Kam parë se ai ishte prej atyre që kanë marrë dije të hatashme dhe ai mësoi përmendësh tërësisht dhe plotësisht Sunetet dhe Etheret. Nëse fliste rreth Tefsirit, atëherë ai ishte mbajtësi i flamurit të Tefsirit, e nëse jepte ndonjë fetva në fik’h, ai i i njihte thellësitë më të thella të fik’hut. Nëse do t’i vinte ndërmend ndonjë hadith, ai zotëronte të gjithë diturinë që kishte të bënte me atë hadith dhe e ngrinte lart flamurin e tij (d.m.th. e vendoste hadithin përmbi çdo gjë tjetër).

Nëse do të fliste për fetë dhe sektet e ndryshme, s’mund të gjendje njeri me njohuri më të gjera dhe përpikmëri më të madhe sesa ai. Ai ua kaloi bashkëkohësve të tij në çdo shkencë dhe sytë e mi nuk kanë parë ndonjë të tillë si ai dhe as sytë e tij nuk kanë parë ndonjë të tillë si vetja e tij.” Unë (edh-Dhehebi) them: “Ai u burgos më shumë se një herë me qëllim që të frenohej para kundërshtarëve të tij dhe të zvogëlohej ndikimi i gjuhës dhe penës së tij – mirëpo ai nuk tërhiqej dhe nuk kthehej nga këshillimi i çdokujt, derisa vdiq i burgosur ne Burgun e Damaskut ditën e 20 të muajit Dhul-Ka’deh, në vitin 728 Hixhrij. Kurse ndjekësit e tij ishin popuj të tërë, numri i të cilëve nuk mund të gjendet as në varret e Sufistëve. Allahu e faltë dhe pastë mëshirë për të, amin.”

Gjithashtu, el-Hafidh edh-Dhehebi ka thënë në “el-‘Ibar fij Khibar min ‘Ibar” (4/84):

“Shejkhul-Islam, Takiud-Din, Ahmed bin ‘Abdul-Halim vdiq në burg në Damask më 22 të muajit Dhul-Ka’deh… ai u bë mjeshtër në tefsir, hadith, çështjet khilafije dhe në çështjet parimore (të Fesë). Ai tregonte inteligjencë (të mrekullueshme) dhe veprat e tij arrijnë në më shumë se dyqind vëllime. Gjithashtu, ai ka disa mendime të çuditshme për shkak të të cilave nderi i tij u sulmua. Ai udhëhiqte në bujari, trimëri dhe kënaqej me pak. Nxënësat e tij numërohen në më shumë se 50.000 dhe ai qëndronte në krye, Allahu pastë mëshirë për të.”

Ndërkaq, nuk ka dyshim se libri “Nasihatu edh-Dhehebije” është një shpifje që i është mveshur Dhehebiut, siç do të bëhet e qartë në këtë seri insha’Allah. Nëse do të supozojmë – për hir të argumentit – se atë e ka shkruajtur Dhehebiu, atëherë shkruajtja e një rrëfimi të detajuar rreth biografisë së dikujt mbas vekjes së tij padyshim që hedh poshtë çdo konkluzion të cekët që mund të nxirret nga copëza këshille të bëra në mënyrë individuale për atë person gjatë jetës së tij – sepse rrëfimet dhe vlerësimet rreth biografisë së dikujt paraqesin përmbledhjen e plotë të asaj çfarë mendon autori i biografisë për personin në fjalë. Kjo është përgjigja nëqoftëse do të supozonim se Dhehebiu e shkroi këtë të ashtu-quajtur “Nasiha”.

Dhe duke u nisur nga fakti që Esh’aritë Sufij e konsiderojnë Dhehebiun muxhessim [1] dhe hesheuij [2] – por i pastër është Imam Dhehebiu nga shpifjet e Sufive – ne nuk shpresojmë se ndonjë ditë ata do të tregohen të drejtë duke përmendur edhe rrëfimet e tjera që ka shkruar Dhehebiu rreth biografisë së Ibn Tejmijes.

Imam Dhehebiu ka shkruajtur mjaft biografi në veprat e tij të ndryshme për Shejkhul-Islam Ibn Tejmijen, të shkurtra apo të gjata, në të cilat ai e nderon dhe e lavdëron Shejkhul-Islam Ibn Tejmijen dhe thotë për të: “…kurse ndjekësit e tij ishin popuj të tërë, numri i të cilëve nuk mund të gjendet as në varret e Sufistëve.” Le t’i përsërisim edhe njëherë këto fjalë: “…kurse ndjekësit e tij ishin popuj të tërë, numri i të cilëve nuk mund të gjendet as në varret e Sufistëve.” Ndoshta janë këto fjalë që i tërbojnë të tillë si puna e Muhamed Zahid el-Keutherit, të cilët kanë hased dhe armiqësi kundër tij…

 

Fundnota:
[1] Shënim i përkthyesit: Muxhessim është një emërtim që i kanë vënë Esh’aritë dhe disa grupe sufistësh Ehli-Sunetit. Muxhessim vjen nga fjala xhism, që do të thotë trup. Sipas pretendimeve të rreme të Esh’arive Ehli-Suneti pohon se Allahu ka trup apo cilësi trupore.
[2] Shënim i përkthyesit: “Hesheuij” (i pavlerë) është një ndër emrat ofendues që i ngjitën filozofët dhe pasuesit e logjikës Ehli-Sunetit. Ata thonin se kushdo që nuk ndjek logjikën dhe idetë e tyre të devijuara janë njerëz të rëndomtë e të pavlerë.

 

Përktheu Alban Malaj