Bismilah...

Autor: Imam Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalaat Muteneui’ah, vëll. 8/fq. 40-41

 

 

Pyetja 28: Shejkh i nderuar! Lëvizja “Vëllezëria Muslimane – el-Ikhuanul-Muslimin,” ka kohë që ka hyrë në Mbretëri (të Arabisë Saudite) dhe ushtron aktivitet të dukshëm në mesin e nxënësve të dijes. Cili është mendimi juaj për këtë lëvizje dhe sa është ajo në përputhshmëri me menhexhin e Sunetit dhe Xhematit?

 

Përgjigja 28: Lëvizjen e “Vëllezëria Muslimane” e kritikojnë dijetarët e shquar, sepse ata nuk janë aktivë në thirrjen (dauetin) për në Teuhidin e Allahut dhe qortimin e shirkut si dhe qortimin e bidateve. Ata kanë metoda të veçanta të cilat janë të mangëta, për shkak të pasivitetit të tyre në thirrjen për tek Allahu dhe mos-udhëzimin për tek akideja e saktë në të cilën janë Ehli Suneti dhe Xhemati.

Andaj, Ikhuanul-Musliminët duhet që t’i kushtojnë rëndësi dauetit Selefij dhe dauetit për në Teuhidin e Allahut si dhe qortimit të adhurimit të varreve, lidhjes (së njerëzve) me të vdekurit, kërkimit të ndihmës në raste vështirësie nga të vdekurit, siç është Husejni, Haseni, Bedeuiju dhe të ngjashmit me këta.

Ata e kanë detyrë që t’i kushtojnë rëndësi kësaj baze të palëkundur: kuptimit (të fjalës) “La ilahe il-lAllah” e cila është baza e fesë dhe është gjëja e parë në të cilën thirri Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në Meke. Ai thirri për në Teuhidin e Allahut, thirri tek kuptimi i fjalës “La ilahe il-lAllah”.

Shumë prej njerëzve të dijes i kritikojnë Ikhuanul-Musliminët për këtë gjë, pra për pasivitetin e tyre në thirrjen për në Teuhidin e Allahut dhe për mos-përkushtimin e sinqertë ndaj këtij Teuhidi, mos-qortimin e asaj që e kanë shpikur të paditurit, siç është lidhja e tyre me të vdekurit; kërkimi i ndihmës nga ana e tyre në raste vështirësie; betimi tek ata dhe prerja e kurbanit për ta, e cila është shirk i madh.

Po ashtu, i kritikojnë ata për pakujdesinë e tyre ndaj Sunetit, pasimin e Sunetit, pakujdesinë e tyre ndaj haditheve fisnike dhe rrugës së Selefëve të Umetit në lidhje me dispozitat e tyre sheriatike. Ka edhe shumë gjëra tjera që i dëgjoj vëllezërit për të cilat gjëra i kritikojnë ata.

E lus Allahun që t’ju japë sukses atyre, t’i ndihmojë dhe ta përmirësojë gjendjen e tyre.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari