Bismilah...

Autor: Shejkh Mukbil Ibën Hadij el-Uadi’ij - rahimehullah -

Burimi: Garatul-Eshritah 'ala Ehlil-Xhehli ues-Sefsetah (vell.1/fq.441)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit.

Të gjitha lavdet janë për Allahun. Allahu dhëntë salavate dhe selame për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen dhe gjithë Shokët e tij. Dhe unë dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut të vetëm e të pa-ortakë, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

E më pas:

Më kanë kërkuar disa vëllezër që të inçizoj një kasetë apo të shkruaj një libër rreth “Hajdutëve të Davetit”, mirëpo kjo nuk m’u bë e mundur, dhe ajo që nuk arrihet e gjitha s’mund të lihet e gjitha.

Dhe Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem – ka thënë:


إن لكل أمة فتنة، و فتنة أمتي المال.

“Me të vërtetë çdo umet ka fitnet e vet, ndërsa fitneja e Umetit tim është pasuria.”

Dhe ka ardhur tek dy Sahihët, nga hadithi i Ebu Se’id el-Khudrij – radij-Allahu ‘anhu – se ai ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem –:


من يتصبر يصبره الله، و من يستعفف يعف الله.

“Dhe kush duron, Allahu do t’i japë durim, e kush do që të jetojë me nder, Allahu do ta bëj të ndershëm.”

Dhe ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem –:


والله ما الفقر أخشى عليكم، و لكن أخشى أن تفتح عليكم من زهرة الدنيا فتنافسوها، كما تنافسوها فتهلككم كما أهلكتهم.

“Pasha Allahun, nuk është varfëria ajo të cilës i frikësohem më së shumti për ju, mirëpo kam frikë se do ju hapen bukuritë e kësaj dynjaje dhe do të garoni për to siç garuan ata që ishin më përpara, dhe ajo do t’ju shkatërrojë ashtu siç i shkatërroi ata që ishin më përpara.”

E përderisa Zoti i Lavdisë thotë në Librin e Tij Fisnik:


وَيْلٌ لِلْمُطَفِّفِينَ (١)الَّذِينَ إِذَا اكْتَالُوا عَلَى النَّاسِ يَسْتَوْفُونَ (٢)وَإِذَا كَالُوهُمْ أَوْ وَزَنُوهُمْ يُخْسِرُونَ (٣)

“Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë.” [El-Mutaffifiin, 1-3]

Kur kjo është çështja e atij që ha në peshore, se ai është i kërcënuar, dhe kërcënimi është ndëshkimi, atëherë si do të jetë çështja e atij që zhvat pasuritë e njerëve në emër të davetit, pastaj i shfrytëzon ato për interesat e tij personale?

Njeriu që qëndron larg kësaj gjëje ndoshta fajëson biznesmenët dhe thotë: “Ata kanë mendim të keq për atë që u vjen dhe u kërkon ndihma.” Mirëpo në realitet ata që duhet të fajësohen janë “Hajdutët e Davetit”, ata të cilët zhvasin paratë e njerëzve dhe pastaj me to ndërtojnë pallate, me to blejnë dyqanet dhe me to blejnë tokat. Këto fjalë nuk janë fantazi, porse kjo është një çështje aktuale, reale! Allahut i ankohemi! Dhe me të vërtetë të Allahut jemi dhe me të vërtetë tek Ai do të kthehemi!

Ah çfarë fatkeqësie, ah çfarë humbjeje, që thirrësi në Allahun - Subhanehu ue Te’ala - ta ulë poshtë veten e tij deri në këtë gjendje!


وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلا مِمَّنْ دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ (٣٣)

“E kush flet më mirë se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam prej Muslimanëve.”” [Fussilet, 33]

Me të vërtetë ata që shkojnë mbas dynjasë mund të gënjejnë për hir të dynjasë, si dhe të luftojnë, të armiqësohen dhe të ndahen për hir të dynjasë mbasi që ishin të bashkuar. Mirëpo, nëse kjo u ndodh atyre që thërrasin tek Allahu, atëherë kjo është fatkeqësi e hatashme! Por sido që të jetë Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – është gjithnjë në pritë.

Disa njerëz na vinin këtu (në Demmaxh) me disa dhurata, me rroba, parfume dhe me kaseta bosh që t’i inçizonim (me mësime e ligjërata). Dhe një herë na dërguan në një vend 50.000 rrijal sauditë, dhe më tha dikush: “Unë do shkoj t’i tërheq ato.” Unë thashë: “Do dërgojmë filanin.” Kurse ai tha: “Jo, unë do shkoj atje.” Atëherë shkoi ky njeri atje, kur befas, ai u zhduk pa nam e pa nishan. Ai kishte një letër nga ana ime për të tërhequr shumën e dërguar. Mirëpo atë e dënoi Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –: ai shkoi në Egjipt dhe me vete kishte disa kallëpe ari; donte të bënte biznes me një njeri tjetër në një dyqan, dhe donte të martohej. Porse atë e arrestuan agjentët e shërbimeve sekrete dhe ia morën të gjitha ato që kishte dhe e futën në burg. Ma shae Allah! S’po e themi këtë ngaqë na u bë qejfi që ai përfundoi ashtu, dhe Allahu e di më së miri që ne u përpoqëm duke kontaktuar me ata që janë përgjegjës që ta lironim nga burgu. Pra, Allahu – Subhanehu ue Te’ala – ia zgjat shpresën zullumqarit derisa po e mbërtheu nuk e lëshon më. Më pas u takova me atë person dhe ai filloi të justifikohej. Mirëpo ne s’kemi kohë (që të merremi me të) dhe gjithashtu ne s’duam që ta marrim e ta çojmë para gjykatësit ‘Ali, që ai të fillojë një proçes të gjatë gjykimi mes nesh dhe atij. Por gjithësesi i thamë atij se gjykimi do të jepet në Ditën e Kijametit. Kjo ka ndodhur në fillim të davetit. Atëherë ishin tek ne disa vëllezër Egjiptianë dhe disa vëllezër Jemenas.

Shumicën e kohëve ngelemi pa gjë. Njëqind rrijal të Jemenit ne i konsiderojmë shumë me vlerë dhe nga ato kemi dobi me lejen e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –. Dhe Allahu – SubhaneHu ue Te’ala – i pason ato me të tjera. Dhe unë e konsideroj këtë institut mrekulli prej mrekullive të Allahut, sepse me të vërtetë Allahu – Subhanehu ue Te’ala – e jep ndihmën dhe lehtësimin nëpërmjet disa njerëzve që nuk i njohim, të cilët mundohen dhe përpiqen (për davetin), Allahu ua shpërbleftë me të mira.

Madje, përpara disa ditëve më erdhën 15.000 rrijalë sauditë dhe thashë: “Prej nga erdhën këto?” Më thanë: “Nga një grup punëtorësh që punojnë dhe e kanë bërë obligim për vetet e tyre që të japin çdo muaj nga njëqind rrijalë.” Atëherë thashë: “Jepuni atyre selam dhe thojuni se kjo vepër është e pabazë (në Sheriat). Paratë mbërritën, mirëpo mos ta përsërisin prapë këtë gjë. Kush ka mundësi që ta ndihmojë davetin le ta ndihmojë, ama këtë vepër nuk e ka bërë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem –. Dhe ne e lavdërojmë Allahun – SubhaneHu ue Te’ala – për ndihmën dhe lehtësimin që na ka dhënë.

Dhe daveti është ai për të cilin Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem - ka thënë:


من دعا إلى خير فله مثل أجر من تبعه لا ينقص من أجورهم شيئا.

“Kush thërret në mirësi do të ketë njësoj si shpërblimi i atyre që e pasojnë atë, duke mos u pakësuar aspak shpërblimi i tyre.”

Ai i thotë ‘Alij Ibën Ebij Talibit:


والله، لأن يهدي الله على يديك رجلا واحدا خير لك من حمر النعم.

“Pasha Allahun, që Allahu ta udhëzojë një njeri të vetëm në duart e tua, kjo është më e mirë për ty sesa devetë e kuqe.”

E dërguan një person mbas një davetçiu në Jemen që të shikonte a kishte ai (davetçiu) medrese apo nuk kishte. Dhe shkoi ai person bashkë me atë davetçiun në një ndërtesë me derë të mbyllur dhe i tha davetçiu: “Ja, kjo është medreseja.” Atëherë tha ai personi: “Duam të hyjmë brenda që ta shohim.” Kurse davetçiu ia preu: “Nuk i kam çelsat.”

Dhe akoma më e rëndë se kjo është zhvatja e parave nga ana e nxënësave të dijes, nga të cilët shpresohet se nëpërmjet tyre Allahu do t’i japë dobi Islamit dhe Muslimanëve, ndërsa Muslimanët nga të gjitha vendet e botës presin mirësi nga kjo medrese. Pastaj vijnë “hajdutët”, ata që kanë preokupim vetëm të hanë dhe të pinë, kanë preokupim që të mbledhin e të zhvasin para dhe që janë bërë si të çmendurit.

Një problem tjetër: një jemenas fallsifikoi vulën e institutit (të Demmaxhit) dhe filloi të shkruante letra dhe t’i vuloste me vulën e tij. Mirëpo lavdi Allahut ai s’pati sukses me letrën që mbante vulën time dhe vulën e institutit këtu tek ne, madje ai shkruajti fjalë nga vetja e tij, dhe Allahu e demaskoi atë nëpërmjet duarve të disa bamirësave, sepse ai shkroi disa bamirësave dhe njëri prej tyre ishte dijetar. Ai shkroi në letër: “Nga Ebu ‘Abdir-Rrahman Mukbil Ibën Hadij el-Uadi’ij.” Shejkhu nuk shkruan kështu, nuk thotë Mukbil Ibën Hadij: “Nga Ebu ‘Abdir-Rrahman” Dhe ai e dinte se “min” [shqip: nga] është “harf xherr” [parafjalë në rasën gjinore] dhe “Ebij” është emër në rasën gjinore që merr gërmën “ja” sepse ai është një nga pesë emrat “el-esmaa el-khamseh”. [1] Prandaj atij i filluan dyshimet për këtë letër dhe tha: “Duhet se s’bën që Ebu ‘Abdur-Rrahmani të na flasë në telefon!” Kështu, unë shkova tek Aali-Xhumejdeh (për të folur në telefon dhe ai dijetari më tha): “Kemi filanin këtu që po thotë se ti i ke shkruajtur atij një letër për një xhami dhe ndihma.” Unë i thashë: “Nuk e kam bërë një gjë të tillë!” Dhe mbas kësaj që ndodhi, atë (që mashtroi me vulën) e dënoi Allahu nëpërmjet një personi që e goditi atë në këmbë dhe atij ia prenë disa nyje të këmbës dhe ai u sakatos keq, saqë nuk çohej dot pa paterica.

Dhe Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - thotë në Librin e Tij Fisnik:


وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَى وَلا تَعَاوَنُوا عَلَى الإثْمِ وَالْعُدْوَانِ

“Dhe bashkëpunoni në mirësi e devotshmëri, e mos bashkëpunoni në gjynah e në shkeljen e kufijve.” [el-Ma`ideh, 2]

Dhe ka ardhur tek dy Sahihët nga Nuëman Ibën Beshiir - radij-Allahu ‘anhu -, i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem -:


مثل المؤمنين فب توادهم و تراحمهم و تعاطفهم كمثل الجسد إذا اشتكى منه عضوتداعى له سائر الجسد بالحمى وسهر.

“Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe simpatinë që kanë me njëri-tjetrin është si shembulli i trupit: nëse një organ i trupit ankohet, do të ankohen me të edhe pjesët e tjera të trupit nga ethet dhe pagjumësia.”

Ka nxënësa të dijes që do të donin të blenin qoftë edhe një libër të vetëm (për shkak se nuk kanë para) ose ndoshta nuk kanë para për të mbajtur veten dhe familjen në dimër; e ndoshta prej tyre ka që duan të martohen por nuk i përballojnë dot shpenzimet; ose ka prej tyre që duan të udhëtojnë nga një vend për në një vend tjetër se ndoshta Allahu u jep dobi me të Islamit dhe Muslimanëve, porse ai nuk i përballon dot shpenzimet e udhëtimit.

Ka nxënësa të dijes që durojnë fshehtazi dhe haptazi dhe që kanë zgjedhur dijen në vend të rehatisë, pasurisë dhe thashethemeve drejt të cilave i shtynë shoqëria, porse ata kanë zgjedhur dijen e dobishme.

Pastaj vijnë ata që vjedhin! Unë kam vendosur që të mos i zbuloj ata në këtë kasetë, pasi unë kam folur kundër tyre në disa kaseta. Dhe është e vërtetë se unë jam mashtruar, sepse më erdhën disa vëllezër nga qyteti Taiz dhe me ta ishte një burrë i dërguar për të parë gjendjen e davetit këtu dhe atje. Ata erdhën, shkruajtën gjysmë faqeje dhe thanë: “E kemi me ngut, ne duam që ti të firmosësh në fund të faqes dhe filani të firmosë në fund të faqes pastaj të shkojmë ta dërgojmë.” U pajtova me ta që të firmos në fund të faqes. Kur, sakaq, ndihmat filluan t’i merrnin ata, ndërkohë që mes tyre nuk ka as edhe një nxënës të vetëm, sepse ndihmat që vinin nga disa bamirësa i merrnin ata. Më erdhi një letër ku shkruhej: “Ne e lexuam letrën dhe i pamë firmat që ndihmat të shkojnë për filanin.” Atëherë unë u shkruajta atyre se qëllimi i ndihmave është që të shkojnë për davetin e jo ndihma për nxënësat e Demmaxhit. Dhe të gjitha lavdet janë për Allahun.

Neve na vjen shumë keq që ka njerëz me mjekrra të gjata deri në kraharor, ndërsa ti nuk e di që ai është bërë hajdut. Njëherë, në ditët që kanë kaluar, më erdhi një person, i cili ishte Jemenas që tani jeton në Medine, dhe tha: “Kam shkuar tek disa njerëz dhe ata ishin të vendosur që të ndërtonin një xhami në Aden. Prandaj dua nga ty që të më japësh një letër që unë ta tërheq shumën e parave. Kur e pashë që ai ishte insistues, pata frikë nga ai. Pastaj i thashë: “Do të japim letër për librarinë e grave (e jo për xhaminë në Aden).” Dhe që nga ajo kohë, ai filloi ta shfrytëzojë këtë letër në Medine dhe jashtë Medines. Pastaj më erdhi lajmi se ai bredh me atë letër (për të lypur para), por unë nuk ia pashë më fytyrën.

Dhe kjo është teube, se unë nuk shkruaj më për askënd, përderisa Allahu - Subhanehue ue Te’ala - po na lehtëson këtu me mirësi, atëherë përse duhet të shkruhen telegrame dhe pse gjithë kjo ngutje në këto çështje?

Kanë mbetur disa njerëz që s’kanë interes tjetër pos mbledhjes së parave. Dhe unë nuk e di se si i mbledhin paratë, pastaj vërsulet qeveria dhe i merr ato para! Ne kemi patur këtu një mësues nga Ikhuanul-Muslimin, i cili është egjiptian. Mbas problemit “Këndi i Kuq” që kishte të bënte me Muslimanët dhe të Krishterët - dhe Sadati i mbrojti të Krishterët -, qeveria egjiptiane i konfiskoi disa kompani, nga të cilat disa ishin të Ikhuanul-Muflisin. Sepse ata vjedhin paratë e Muslimanëve, pastaj atyre u vërsulen zullumqarët dhe ua rrëmbejnë.

Prandaj, detyra e atyre që thërrasin tek Allahu është që të ndjekin shembullin e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem - në thirrjen e tij, sepse nëse ndodhte diçka me rëndësi, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala Aalihi ue sel-lem - thoshte:


من جهز جيش العسرة فله الجنة، من جهز غازيا فقد غزا.

“Kush përgatit ushtrinë (që do të nisej për në Tebuk), për të do të jetë Xhenneti; dhe kush përgatit një luftëtar, edhe ai konsiderohet se ka marrë pjesë në luftë.”

Dhe kur atij i erdhën njerëz nga fisi Mudarr – siç ka ardhur tek Sahihu i Muslimit nga hadithi i Xheriir Ibën ‘Abdullah – që ishin këmbëzbathur dhe mbanin të veshur rroba prej leshi, atëherë ndryshoi fytyra e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – dhe ai tha: “Namazi me xhemat!” Pastaj mbajti hytbe Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – dhe tha mbasi që e lëvdoi dhe lavdëroi Allahun:


يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالا كَثِيرًا وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالأرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا (١)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” [en-Nisaa`, 1]


يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنْظُرْ نَفْسٌ مَا قَدَّمَتْ لِغَدٍ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ (١٨)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” [el-Hashr, 18]

Pastaj tha Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –:

“Le të japë sadaka njeriu nga dinari i tij, nga dirhemi i tij, nga gruri i tij dhe nga rrobat e tij.”

Atëherë erdhi një burrë prej Ensarëve me një qese të cilën dora e tij mezi sa e mbante, madje ai nuk po e mbante dot. Pastaj atë e pasuan njerëzit, derisa pashë dy pirgje tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –: një pirg me rroba dhe një pirg me ushqime. Atëherë, e pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – të ngazëllyer, sikur të shkëlqente. Pastaj tha Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –:

“Kush e bën në Islam një rrugë të mirë, për të do të jetë shpërblimi i saj dhe shpërblimi i atyre që punojnë me të, deri në Ditën e Kijametit, pa iu pakësuar atyre asgjë nga shpërblimi i tyre; e kush bën në Islam një rrugë të keqe, ai do të mbajë barrën e saj dhe barrën e atyre që punojnë me të, deri në Ditën e Kijametit, pa iu pakësuar atyre asgjë nga barra e tyre.”

Dhe ka ardhur në Sunen se Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – pa një burrë me pamje të leckosur, dhe urdhëroi që të jepnin sadaka për të në xhami, dhe dhanë sadaka për të, dy rroba. Pastaj erdhi një burrë tjetër, dhe urdhëroi Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – që të jepnin sadaka për të. Atëherë erdhi burri që i dhanë sadaka dy rrobat dhe ai dhuroi njërën prej tyre, porse e ndaloi Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – sepse ai kishte nevojë vete për të dhe s'duhet të dhuronte gjë nga rrobat e tij.

Kështu vepronte Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue ala Aalihi ue sel-lem –. Dhe kur erdhi një mysafir tek Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –, ai dërgoi dikë tek gratë e tij që të pyeste: “A kanë ndonjë gjë?” E çdonjëra prej tyre thoshte: "Nuk kemi asgjë.” Atëherë, tha Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –: “Kush do ta marrë mysafir këtë?” Tha një burrë nga Ensarët: “Unë.” Ai e mori me vete dhe e njoftoi gruan e tij. Kurse ajo i tha: “Pasha Allahun, s'kam gjë tjetër përveç ushqimit të fëmijëve.” Ai i tha: “Kur të vijë darka, fike kandilin dhe bëj sikur po hamë bashkë me të, kurse fëmijët vëri në gjumë.” E kur u gdhi, Pejgamberi sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – tha:

“Me të vërtetë u çudit Allahut me atë që bëtë ju me mysafirin tuaj.” Atëherë, Allahu – Subhanehu ue Te'ala – zbriti ajetin:


وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ

“…ata u japin përparësi të tjerëve para veteve të tyre, edhe pse vetë janë nevojtarë.” [el-Hashr, 9]

Kështu pra vepronte Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – kur ishte nevoja emergjente, dhe ai nuk i mblidhte paratë e njerëzve për veten e tij apo që të ndërtojë pallate apo që të blejë toka apo që të bënte dyqane, porse ai - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – u shpërndante të tjerëve ato që ia jepnin.

Studentët e dijes, qofshin në Jemen, qofshin në Egjipt, qofshin në Sudan apo në Algjeri, shpresojnë që Allahu t'u lehtësojë atyre furnizim të mjaftueshëm që t'i përkushtohen vetëm dijes dhe davetit.

Disa të rinj në Egjipt duan që të blejnë "Takrijb et-Tehdhijb", porse nuk e blejnë dot. E kam parë këtë kur shkova në Egjipt. Ndërsa disa të rinj në Aden shpresojnë që Allahu t'ua bëjë të lehtë që kenë një shtëpi. Kurse këto para që i marrin hajdutët, ato i meritojnë studentët e dijes. Pastaj, ti o biznesmen ke përgjegjësi për pasurinë tënde, se ndoshta ajo shfrytëzohet për hizbije ose shfrytëzohet për shoqatat, nga të cilat nuk shpresohet që Allahu të japë nëpërmjet tyre dobi për Islamin dhe Muslimanët.

Unë them: ai që vjedh dhe përdor hiletë për të zhvatur paratë e njerëzve, sa mirë do të ishte sikur ai të varte një shportë në qafë dhe të merrte një shkop, e pastaj të shkonte nëpër dyqane e të thonte: “O Zot! O Bujar!” Kjo është më e mirë për të sesa të poshtërojë dijen e të poshtërojë fenë. Madje më kanë transmetuar disa vëllezër se Jehudët në Amerikë – Allahu i vraftë – kur panë se njerëzit po hynin në Islam, u veshën me rrobat e Muslimanëve, me çallmë, me xhybe dhe me shkop, dhe shkonin nëpër dyert e dyqaneve që të lypnin, jo se kishin nevojë për para, porse që t'i largonin njerëzit nga Islami. Pastaj u thonë të Krishterëve: “Ky është Islami që doni të pranoni, keni për t'u bërë lypsa si ne, kështu.” Kurse Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – ka thënë:

“Kush u kërkon njerëzve për të shtuar (pasurinë e tij), në të vërtetë ai po u kërkon nga Zjarri i Xhehenemit.”

Dhe thotë Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem –:

“Vazhdon njeriu të kërkojë, derisa ta takojë Allahun pa i mbetur asnjë copë mish në fytyrën e tij.”

Kështu që, duhet të bëhet dallim midis të kërkuarit dhe midis asaj që të jepet, sepse Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem - i thotë 'Umerit: “Nëse të japin nga kjo pasuri mos e refuzo, nëse ke nevojë për të merre, e nëse jo, atëherë jepe aty ku duhet.” Apo (i tha fjalë) me këtë kuptim.

Pra, ka dallim midis lypjes dhe midis asaj që ta japin. Të kënaqurit me pak është gjë e mirë, sepse ndoshta shpirti jot anon kah pasuria dhe tek të mirat e përkohshme të dynjasë dhe kështu të largohet bereqeti i dijes. Dhe unë dëshmoj për ata që i përmenda më përpara se ata ishin prej studentëve të dijes, mes tyre kishte hafizë Kur'ani, mirëpo ai rrëshqiti dhe iu largua drita e dijes, dhe ai u bë grumbullues (i pasurive), duhanxhi dhe i fëlliqtë. Madje, ndoshta disa prej tyre u futën edhe në shërbimet sekrete dhe u bënë spiuna.

Prandaj, është obligim për të gjithë ne që të jemi zahida në këtë dynja, sidomos për pasuritë që janë në duart e njerëzve. Dhe ne sot, nëse kemi mundësi të mësojmë ndonjë zanat e mësojmë, e nëse nuk kemi mundësi, atëherë bëhemi zahida në dynja - brenda kufijve që kemi mundësi - dhe se nuk arrihet dija përveç se me zuhd. Dhe ka thënë Shuëbeh Ibën Haxhaxhi: “Kush e kërkon hadithin ka për të falimentuar.”

Ne, nëse lexojmë në jetëshkrimet e dijetarëve tanë të mëhershëm, si: Jahja Ibën Me'in, Ahmed Ibën Hanbel, el-Bukharij, Muhammed Ibën Is`hak Ibën Khuzejmeh, Imam Muslimi dhe të gjithë ata, i ishin përkushtuar dijes dhe i kishin kthyer shpinën dynjasë, dhe – lavdi Allahut – Allahu solli nëpërmjet tyre mirësi të shumta.

E nëse dikush thotë: “Po ju vet keni makina dhe keni librari!” Unë u them: makinat – in shaa Allah – janë dhënë uakf për thirrjen tek Allahu – Subhanehu ue Te'ala –, qofsha unë gjallë apo jo, mirëpo ato nuk janë uakf për duart e hajdutëve, që t'i marrin ata. Po ashtu edhe libraria, ajo është uakf – in shaa Allah – për nxënësat e dijes, edhe pse libraria nuk është e mjaftueshme dhe i mungojnë shumë libra, në të prapë se prapë ka mirësi të shumta.

Atëherë, ka mbetur edhe kurimi i këtij problemi nga ana jonë. Kështu që, çdo person që vjen me autorizim nuk do të merret në konsideratë sepse ndoshta më mashtron. Dhe unë tani – lavdi Allahut – nuk i shkruaj askujt asnjë letër. Vëllezërit që e ndihmojnë davetin – Allahu i ruajt – nuk kanë autorizime, nuk kanë telegrame dhe nuk kanë zyra, madje shumicën e tyre – lavdi Allahut – nuk i njoh. Kurse sa i përket personave me autorizime, që nga kjo ditë sot, 28 Rabij' eth-Thanij, 1413 Hixhrij, ato anulohen, sepse na kanë lajmëruar se një person në Mekkeh rreket që të grumbullojë (para) për Mukbilin dhe për Medresenë e Mukbilit, e më pas ai i shfrytëzon ato për interesin e tij. Ne lavdi Allahut s’kemi nevojë, mirëpo ne e urrejmë hajdutllëkun dhe e urrejmë zhvatjen e parave të njerëzve me emrin tonë. Dhe ne jemi të bindur se neve nuk na lehtësohet dija përveç se me durimin e fukarallëkut dhe të vështirësive dhe të çdo rreziku. Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue 'ala Aalihi ue sel-lem – thotë:

“Është rrethuar Xheneti me gjëra të urryera dhe është rrethuar Zjarri (Xhehenemi) me epshe.”

Ne duam që të kërkojmë diturinë, të mësojmë përmendësh Kur`anin dhe të jemi të dalluar në dijen e Sunetit.

Vazhdon…

Fundnotë:

[1] Shënim i përkthyesit: “el-esmaa el-khamseh” në gramatikën a gjuhës Arabe janë ato emra të cilat në rasën gjinore (el-mexhruur) marrin “ﻱ - ja”, në rasën emërore (el-merfuë) marrin “ﻭ - uau”, dhe në rasën dhanore (el-mensuub) marrin “ﺍ - elif”.

Përktheu: Alban Malaj