Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli
Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira në të dyja botët. Pyetësi thotë: Nëna ime shikon filma, seriale fetare dhe jo-fetare. Cili është gjykimi për këtë gjë dhe si ta këshilloj unë atë?
Përgjigje: Janë të çuditshme këto serialet fetare! Nuk ka seriale fetare, porse ka seriale që pretendohet se flasin për historinë e Islamit. Të gjitha llojet e serialeve dhe filmave janë haram. Edhe në qoftë se thuhen se janë për Muslimanët, historinë dhe heroizmin e Muslimanëve ose gjëra tjera, ngase të gjitha këto (seriale dhe filma) janë gënjeshtra. Vjen ai (aktori) i cili ndoshta nuk e fal namazin dhe thotë se është Ebu Ubejde, është Khalid (bin Uelid) dhe Hamza; njerëzit e shikojnë atë në kinema se bie në shtrat me një grua; në një vend tjetër (rol tjetër) e sheh se i ka hipur kalit dhe lufton për Islamin dhe Muslimanët dhe thotë se është sahabij. Këto janë gënjeshtra, broçkulla dhe të pavërteta, nuk lejohen.
Pastaj vet ky (aktori) gënjen e thotë se ai është Ebu Ubejde, Umeri, ndërsa në realitet ai nuk është ashtu. Dijetarët tanë ka treguar se këtu ka edhe diçka tjetër: ata (regjisorët) e bëjnë që pamja e këtij sahabiu në mendjen e njerëzve të jetë pamja e këtij njeriu (aktori) apo pamja e asaj gruaje. Si pasojë e kësaj, fëmija edukohet me këtë fatkeqësi dhe kështu edukohen Muslimanët. Ata imagjinojnë se Khalid bin Uelid ka këtë pamje dhe se Esma ka këtë pamje.
Në fakt, këto vitet e fundit kanë ardhur me diçka shtesë dhe kanë filluar të bëjnë (filma dhe seriale) për Katër Khalifët, madje edhe për të Dërguarit – ‘alejhimu salatu ue selam. Të gjithë këto janë të pabaza dhe vepra të këqija, që nuk lejohen që të bëhen dhe nuk lejohet që të shikohen. Po ashtu, edhe serialet në të cilat ka pasion, afsh dhe dashuri. Madje, më kanë treguar ata të cilët u besoj se ka prej atyre që aktrojnë se këto seriale janë historike apo i quajnë “fetare” sipas preteksteve të tyre, dhe sjellin histori dashurie dhe se filan sahabij i jep premtimin një gruaje romake tek trungu i palmës së hurmës dhe ku e di unë ku, dhe takohet me të dhe... Kërkoj mbrojte prej Allahut.
Këto nuk lejohen dhe as që kemi nevojë për to. Ata thonë: “Të bëjmë thirrje për te Allahu përmes këtyre serialeve!” Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka bërë thirrje; sahabët kanë bërë thirrje dhe thirrja u përhap në tokë. Ata nuk kishin nevojë për aktrim dhe gënjeshtra. Nga çudirat e disa njerëzve është se ata argumentohen për aktrimin se Xhibrili – alejhi selam – erdhi në formën e Dehje el-Kelbij dhe thonë se kjo është argument për aktrimin (lejimin e tij); dikush tjetër aktronte në vend të Xhibrilit. Ne themi: nëse keni mundësi ta bëni atë që bëri Xhibrili, atëherë bëjeni. Nëse ke mundësi të marrësh formën e tij, atëherë bëje.
Kjo (që Xhibrili merrte formën e sahabijut Dehje el-Kelbij) është një gjë që Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – i bëri të mundur Xhibrilit – ‘alejhi selam – e nuk është aktrim. Kështu që, ky njeri ishte në shtatin, pamjen dhe emrin e tij (Xhibrilit), i cili mbante emrin e tij dhe merrte formën e sahabiut.
E këshilloj çdo Musliman dhe Muslimane që të largohen nga shikimi i serialeve, qofshin seriale historike apo seriale të tjera, sepse me të vërtetë nuk ka mirësi në këto seriale. Parimet e Sheriatit tonë kërkojnë që këto seriale të ndalohen.
Allahu është më i Dituri.
Kliko këtu për të partë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari