Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-Sadij

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, fq. 105

 

 

Allahu në Kur' an thotë:

                   ﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

"O ju që besoni, u është bërë obligim agjërimi, sikurse u është bërë atyre që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!" el-Bekare, 183

 

Komentimi i Shejkh Sadit – Allahu e mëshiroftë:

Allahu i Lartësuar i njofton robërit e Tij me atë që i ka begatuar, se Ai ua ka obliguar agjërimin ashtu sikurse ua kishte obliguar popujve të mëparshëm, sepse agjërimi është pjesë e legjislacioneve dhe urdhëresave, të cilat janë në dobi të njerëzve në çdo kohë. Gjithashtu, ky ajet e nxit këtë ummet duke u thënë: edhe ju duhet të garoni me popujt (Muslimanët) e tjerë që ishin para jush në plotësimin e veprave të mira dhe stolisjen me cilësitë e vyera; dhe se agjërimi nuk është prej gjërave të rënda që vetëm ju jeni veçuar me këtë gjë.

Më pas i Lartësuari ka përmendur Urtësinë e Tij për obligueshmërinë e agjërimit, duke thënë:

﴿لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

"...në mënyrë që të bëheni të devotshëm!"

Pra, agjërimi është prej shkaqeve më të mëdhaja për të fituar devotshmërinë, pasi që me agjërimin, i bindesh urdhrave të Allahut dhe i largohesh ndalesave të Tij. Nga gjërat e devotshmërisë që përmban agjërimi janë:

(E para) Agjëruesi heq dorë nga ajo që Allahu ia ka ndaluar (gjatë ditës), siç është: ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime dhe të ngjashme me to, nga të cilat gjëra anon shpirti i njeriut, por ai heq dorë prej tyre që të afrohet tek Allahu; ai shpreson në shpërblimin e Allahut me largimin nga këto gjëra. Pra, kjo është prej devotshmërisë.

(E dyta) Agjëruesi e stërvit veten që të ta dijë se është nën vëzhgimin e Allahut të Lartësuar. Kështu, ai braktis atë që e dëshiron epshi i tij, edhe pse ka mundësi që ta veproj atë, por ai e di se Allahu e shikon atë!

(E treta) Agjërimi ia ngushton rrugët shejtanit, sepse shejtani lëviz në brendi të birit të Ademit ashtu siç lëviz gjaku. Kështu që, përmes agjërimit dobësohet fuqia e shejtanit dhe kështu njeriu i pakëson gjynahet!

(E katërta) Agjëruesi, në përgjithësi, i shton veprat e mira dhe adhurimet. Veprat e mira dhe adhurimet janë prej tipareve të devotshmërisë.

(E pesta) I pasuri e shijon dhimbjen e urisë dhe kjo e bën atë që t'i ngushëllojë fukarenjtë dhe skamnorët. E kjo është prej tipareve të devotshmërisë.

 

Përktheu: Servet Mata