Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, (1421 h.)

Burimi: Tefsirul Kuranil Kerim, Suretu Ali ‘Imran, vëll. 2, fq. 511

 

 

Thotë Allahu i Lartësuar në Kuran:

كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen...” Ali-Imran, 185

 

 

Fjala “...do ta shijojë vdekjen...” do të thotë se ka për ta ndjerë shijen e saj. Pra, do të vdesësh patjetër, porse Allahu është shprehur me fjalën “shije” ngase kjo kuptohet më mirë dhe është më e qartë dhe se përmes shijimit e kupton shumë mirë të vërtetën e sigurtë dhe absolute (hakkul-jekiin). Jekin-in (të vërtetën absolute të një realiteti) dijetarët e kanë ndarë në tri shkallë, ato janë: dituria, dëshmia dhe vërtetësia.

 

[1] Dituria arrihet përmes marrjes së lajmit dhe vërtetimit.

[2] Dëshmia arrihet përmes shikimit.

[3] E vërteta arrihet përmes shijimit.

 

Nëse dikush të thotë ty: “kjo është një mollë” dhe e ka futur në një qese, dhe ky që e thotë këtë fjalë është i besueshëm. Si e quajmë këtë gjë? E quajmë dituri e cila është arritur përmes vërtetimit (‘ilmul-jekin). Nëse e nxjerr jashtë atë mollë, atëherë ti dëshmon për atë sepse e ke parë me sy (‘ajnul-jekin). E nëse e ha atë mollë, atëherë kjo quhet një e vërtetë e sigurtë dhe absolute (hakkul-jekin). Për këtë arsye Allahu është shprehur duke thënë “do ta shijojë” sepse vdekja është një e vërtetë,  dhe patjetër që çdo gjallesë ka për të vdekur. Përveç Allahut, të Gjallit që s’ka fillim e as mbarim dhe të Vetëmjaftueshmit, i Cili s’ka nevojë për asgjë dhe asnjë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari