Bismilah...

💠 Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَلَوْ عَلِمَ ٱللَّهُ فِيهِمْ خَيْرًا لَّأَسْمَعَهُمْ ۖ وَلَوْ أَسْمَعَهُمْ لَتَوَلَّواْ وَّهُم مُّعْرِضُونَ

"Po ta kishte ditur Allahu se ka mirësi në ta, Ai do t'i kishte bërë ata që të dëgjonin! Por, edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin, sigurisht që ata do të largoheshin duke qenë kundërshtarë!" [el-Enfal, 23]

_________________________

💠 Ka thënë dijetari i madh i Tefsirit, imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë:

"Po ta kishte ditur Allahu se ka mirësi tek ata që po flasin, do t'i kishte bërë ata që të dëgjonin këshillat dhe mësimet e Kur'anit, që ata të logjikonin dhe të kuptonin nga Allahu argumentet e Tij. Por, Ai e di që nuk ka mirësi në ta dhe që ata janë të destinuar për të qenë fatzinj, ngaqë ata nuk besojnë. Edhe sikur Ai t'i kishte bërë ata që të kuptonin ajetet e Tij, aq sa të mësonin dhe të kuptonin, prapëseprapë ata do të largoheshin nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, duke kundërshtuar Imanin, saktësinë e të cilit e vërtetojnë këshillat, mësimet dhe argumentet e Allahut, si dhe duke u treguar inatçinj përpara hakut, mbasi që iu bë i qartë me dije."

📚 Burimi: [Tefsir et-Taberi, vëll.6/fq.265]

 

💠 Ka thënë dijetari i madh, Ibën Kajjim el-Xheuzijjeh, Allahu e mëshiroftë:

"Ka njoftuar i Lartësuari se ata nuk kanë kuptim të saktë dhe nuk kanë as qëllim të saktë. Edhe po të supozohet se ata kuptojnë, Ai prapëseprapë tha: "Po ta kishte ditur Allahu se ka mirësi në ta, Ai do t'i kishte bërë ata që të dëgjonin!" Pra, do t'i kishte bërë ata që të kuptonin. Domethënia e Fjalës është: mirëpo nuk ka mirësi në ta, prandaj Ai nuk i bën ata që të kuptojnë, ngaqë Ai e di që "edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin", domethënë që të kuptonin, "sigurisht që ata do të largoheshin" nga ajo qëllimisht dhe me inat, mbasi që e kuptuan atë, ngaqë ata janë "kundërshtarë" të saj."

📚 Burimi: [Tefsir Ibën Kethir, vëll.4/fq.24]

 

💠 Ka thënë imami el-Begauij, Allahu e mëshiroftë:

"Po ta kishte ditur Allahu se ka mirësi në ta, Ai do t'i kishte bërë ata që të dëgjonin!" - domethënë që Ai do t'i bënte ata që të dëgjonin për të kuptuar dhe për të pranuar. "Por, edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin..." mbasi që Ai e di se nuk ka mirësi në ta, prapëseprapë atyre nuk do t'u kishte bërë dobi dëgjimi. "sigurisht që ata do të largoheshin duke qenë kundërshtarë" për shkak të inatit që kanë dhe ngaqë e mohojnë të vërtetën mbasi që iu bë e qartë atyre.

Kanë thënë se mosbesimtarët i thonin Profetit - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -: "Na e ringjall Kusijin ngaqë ai ishte një plak i bereqetshëm, derisa të dëshmojë ai që ti je profet dhe kështu do të besojmë edhe ne!" Atëherë, Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm tha: "Edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin" fjalën e Kusijit, "sigurisht që ata do të largoheshin duke qenë kundërshtarë."

📚 Burimi: [Tefsir el-Begauij, vëll.2/fq.209-210]

 

💠 Ka thënë imami Muhamed ibën 'Abdul-Uehab, Allahu e mëshiroftë:

"Po ta kishte ditur Allahu se ka mirësi në ta, Ai do t'i kishte bërë ata që të dëgjonin..." Kjo vërteton që, moskuptimi te shumica e njerëzve sot është drejtësi nga Allahu i Patëmeta, ngaqë Ai e di se në zemrat e tyre nuk ka zell për të mësuar fenë."

📚  [Mufijd el-mustefijd, vëll.1/fq.284]

 

💠 Ka thënë dijetari i madh, 'Abdurr-Rrahman ibën Nasir es-Sa'dij, Allahu e mëshiroftë:

"Në të vërtetë, Allahu nuk i bën ata që të dëgjojnë, me dëgjimin që të bën dobi, ngaqë Ai nuk di ndonjë mirësi tek ata, mirësi me të cilën ata të përmirësohen dhe të dëgjojnë ajetet e Tij. "edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin. Por, edhe sikur t'i kishte bërë ata që të dëgjonin" si hamendësim apo si supozim, "sigurisht që ata do të largoheshin" nga bindja "duke qenë kundërshtarë". Atyre nuk u intereson e vërteta, në asnjë mënyrë. Pikërisht kjo është argument që Allahu i Lartësuar nuk e ndalon imanin dhe mirësinë, përveçse atij që nuk ka mirësi në të, i cili nuk e pastron veten e tij dhe nuk ka dobi në të. E lavdia dhe urtësia për këtë i takon Allahut të Lartësuar."

📚 Burimi: [Tefsir es-Sa'dij, fq.351]

 

Përktheu: Alban Malaj