Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdur-Rrahman es-Se’adij

Burimi: Tejsiir el-Keriim er-Rrahman fij Tefsiir Kelam el-Mennan, fq.398

 

لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِنْ أَنْفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُمْ بِالْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ (١٢٨

 

“Vërtet, tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për mundimet tuaja, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” [et-Teubeh, 128]

 

I Lartësuari u jep fuqi robërve të Tij besimtarë duke u dërguar Pejgamberin që s’di as shkrim e as lexim, i cili është nga mesi i tyre dhe ata e njohin gjendjen e tij dhe kanë mundësinë që të marrin prej tij, nuk refuzojnë që t’i nënshtrohen atij. Dhe ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është këshillues për ta me kulmin e sinqeritetit dhe mundohet gjithmonë në dobi të tyre.

“Atij i vjen rëndë për mundimet tuaja” – domethënë atij i vjen rëndë nga ajo që ju rëndon dhe ju mundon juve.

“...jua dëshiron të mirën me gjithë zemër...” – pra, ua do të mirën dhe përpiqet që t’ju shpjerë tek e mira, kujdeset për udhëzimin tuaj në Iman, si dhe e urren të keqen për ju dhe mundohet t’ju mbajë larg saj.

“...dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” – domethënë ai është në kulmin e dhembshurisë dhe mëshirës për ta, është më i mëshirshëm për ta sesa prindërit e tyre, e për këtë arsye e drejta tij vjen para të gjitha të drejtave të njerëzimit. Dhe detyra e Umetit është që ta besojnë atë, ta nderojnë, ta respektojnë dhe t’i japin përparësi mbi çdo krijesë tjetër.”

 

 

Përktheu: Alban Malaj