Autor: Ibën Kethir
Burimi: Tefsirul Kuranil Adhim, vëll. 6, fq. 130-131
Thotë Allahu i Lartësuar në Kur' an:
وَالَّذِينَ لَا يَشْهَدُونَ الزُّورَ وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَامًا
“(Robërit e të Gjithëmëshirshmit) janë ata të cilët nuk dëshmojnë për atë që është “ez-Zuur” dhe kur kalojnë pranë ndonjë të keqeje, kalojnë me dinjitet.” [el-Furkan, 72]
Këto cilësi janë gjithashtu prej cilësive të robërve të Rrahmanit, se ata “nuk dëshmojnë ez-zuur!” Është thënë se “ez-zuur” është: shirku dhe adhurimi i idhujve.
Gjithashtu është thënë se “ez-zuur” është: gënjeshtra, fisku (mos-bindja ndaj Allahut), të këqijat dhe gjërat e kota!
Muhammed ibnul Hanefijjeh ka thënë se “ez-zuur” është: e keqja dhe muzika.
Ebul 'Alijeh, Tauusi, ibn Sirini, ed-Dahaki, Rabij ibn Enes dhe të tjerë përveç tyre kanë thënë se “ez-zuur” janë: festat e mushrikëve!
'Amr ibn Kajs ka thënë se “ez-zuur” është për qëllim: ulja në mbledhjet dhe takimet e këqija dhe aty ku fliten fjalë të fëlliqura.
Imam Malik ka transmetuar nga ez-Zuhrij se ka thënë se “ez-zuur” është për qëllim: vendi ku pihet alkooli. Kështu që, robërit e Rrahmanit nuk prezantojnë aty dhe nuk e duan atë, siç ka ardhur në hadith:
من كان يؤمن بالله واليوم الآخر فلا يجلس على مائدة يدار عليها الخمر
“Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, të mos ulet në një vend ku shërbehet alkool!” [1]
Gjithashtu është thënë se me Fjalën e të Lartësuarit:
لَا يَشْهَدُونَ الزُّورَ
“Nuk dëshmojnë për atë që është ez-zuur.”
Është për qëllim: dëshmia e rreme, e që është gënjeshtra e qëllimshme kundër një pale tjetër, siç ka ardhur në Dy Sahihët nga Ebi Bekrah – radijAllahu anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:
ألا أنبئكم بأكبر الكبائر؟ ثلاثا - قلنا بلى يا رسول الله قال: الشرك بالله وعقوق الوالدين وكان متكئا فجلس فقال: ألا وقول الزور ألا وشهادة الزور! فما زال يكررها حتى قلنا ليته سكت
“A t'ju njoftoj për gjunahun më të madh?!” Këtë fjalë e përsëriti tre herë me radhë. Ne i thamë: Po, o i Dërguari i Allahut. Ai tha: “T'i shoqërosh Allahut diçka në adhurim dhe të mos i respektosh prindërit!” Ndërkohë që ishte i mbështetur në njërin krah, u ngrit dhe u ul, pastaj tha: “Si dhe fjala e rreme, dëshmia e rreme...” Ai vazhdoi ta përsëriste pandërprerë këtë fjalë saqë ne thamë: Ah sikur të pushonte!” [2]
Ajo që duket se është më e qarta në këtë kontekst është se me Fjalën e Allahut:
لَا يَشْهَدُونَ الزُّورَ
“Nuk dëshmojnë për atë që është ez-zuur.”
Është për qëllim: nuk prezantojnë aty ku është e keqja.
Prandaj i Lartësuari ka thënë:
وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَامًا
“Dhe kur kalojnë pranë ndonjë të keqeje kalojnë me dinjitet.”
Që do të thotë nuk prezantojnë aty ku është e keqja, dhe kur qëllojnë të kalojnë pranë të keqes, ata largohen prej saj dhe nuk afrohen tek ajo. Prandaj Allahu thotë:
مَرُّوا كِرَامًا
“Kalojnë me dinjitet.”
Thotë Ibn Ebi Hatim: Na ka transmetuar Ebu Se'iid el-Eshexh, na ka transmetuar Ebul Hasen el-'Ixhlij, nga Muhammed ibn Muslim, i cili thotë: Më ka treguar Ibrahim ibn Mejserah se Ibn Mes'udi kaloi pranë një të keqeje dhe nuk u ndalë aty, kështu i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në lidhje me këtë, tha:
لقد أصبح ابن مسعود وأمسى كريما
“Ibn Mes'udi është gdhirë dhe është ngrysur me dinjitet.”
Gjithashtu na ka transmetuar el-Husejn ibn Muhammed ibn Selemeh en-Neh'uij, na ka transmetuar Hibban, na ka njoftuar Abdullah, na ka njoftuar Muhammed ibn Muslim se i ka treguar Mejserah, i cili thotë: Më kanë thënë se ibn Mes'udi ka kaluar pranë një të keqeje që bëhej haptazi, dhe ai nuk u ndal aty. Me këtë rast, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha:
لقد أصبح ابن مسعود وأمسى كريما
“Ibn Mes'udi është gdhirë dhe është ngrysur me dinjitet.” [3]
Pastaj Ibrahim ibn Mejserah lexoi:
وَإِذَا مَرُّوا بِاللَّغْوِ مَرُّوا كِرَامًا
“Dhe kur kalojnë pranë ndonjë të keqeje kalojnë me dinjitet.” [el-Furkan, 72]
Fundnotat:
[1] Transmeton Tirmidhiu (2801).
[2] (Shënim i përkthyesit): Ibën Haxher el-Askalanij – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
“Fjala e tij: “Ai vazhdoi ta përsëriste pandërprerë këtë fjalë saqë ne thamë: Ah sikur të pushonte!” do të thotë: për ta mëshiruar atë dhe ata e urrenin atë gjë që e bezdiste dhe e shqetësonte atë. Po ashtu në këtë fjalë të tyre shohim edukatë e madhe që kishin ndaj tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dashurinë dhe mëshirën që kishin për të.” [Fet’hul Barij, vëll. 6, fq. 519]
[3] E ka transmetuar Ibn ‘Asakir në “el-Mukhtesar” të Ibën Mendhurit (14/55) nga Ibrahim bin Mejserah.
Përktheu: Servet Mata