Bismilah...

Autor: Shejkh Abdul-Aziz Ibën Baz

Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua, vëll.4/fq.118

 

Pyetje: Ka thënë i Lartësuari:

وَأَمَّا بِنِعْمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثْ

“Dhe të mirat e Zotit tënd tregoji.” [ed-Duha, 11]

Nëse njeriu ka mundësinë që të jetojë në luks, a përfshihet ai te ky ajet fisnik? Cili është kuptimi i ajetit: “Dhe të mirat e Zotit tënd tregoji.”

Përgjigje: Kuptimi i ajetit është se Allahu e urdhëroi Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – që t’i tregojë të mirat e Allahut dhe ta falënderojë Allahun me fjalë ashtu siç e falënderon Atë me vepra. E folura për mirësitë është për shembull që të thotë muslimani: “Me të vërtetë që ne jemi në mirësi lavdi Allahut!”, “Ne kemi mirësi të shumta”, “Ne e falënderojmë Allahun për këto mirësi”. E jo të thotë: “Ne jemi të dobët dhe nuk kemi asgjë.” Jo. Por ai duhet ta falënderojë Allahun dhe të tregojë për mirësitë e Tij dhe ta pohojë të mirën që Allahu ia ka dhënë atij.

Ai s’duhet të flasë me koprraci, për shembull të thotë: “Ne s’kemi para e s’kemi rroba, s’kemi kështu e s’kemi ashtu…” Porse ai duhet të flasë për t’i treguar mirësitë e Allahut dhe duhet ta falenderojë Zotin e tij të Madhëruar e të Lartësuar.

Kur Allahu i Patëmeta e begaton robin e Tij me mirësi, Ai do që të shikojë gjurmët e asaj mirësie në rrobat e tij, në ushqimet e tij, në pijet e tij, e që të mos jetë pamja e tij si pamja fukarenjve. Allahu i ka dhënë atij pasuri dhe i ka dhënë bollëk. Nuk duhet të jetë veshja dhe ushqimi i tij njësoj si i fukarenjve, por ai duhet t’i shfaqë mirësitë e Allahut në ushqimin e tij, në pijen e tij dhe në veshjen e tij. Ama nga kjo mos të kuptohet teprimi në të cilën ka ekzagjerim, shpërdorimi dhe abuzimi.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri