Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdur-Rrahman Ibn Nasir es-Se’adij (rahimehullah)

Burimi: Tejsiirul-Keriim er-Rrahman fij Tefsiir Kelamil-Menan (fq.1102)

 

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

وَالْعَصْرِ (١)

إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (٢)

إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣)

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit.

Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, si dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin me durimin.

 

Betohet i Lartësuari në kohën, që është nata dhe dita, ku ndodhin veprat dhe punët e robërve, se çdo njeri është i humbur. Dhe “i humbur” është e kundërta e “fitimtarit”. Humbja ka gradë të shumta e të ndryshme: mundet që humbja të jetë absolute, gjithëpërfshirëse, siç është gjendja e atij që ka humbur dynjanë dhe ahiretin, i kanë humbur mirësitë dhe meritoi Zjarrin. Mundet që ai të jetë humbës në disa aspekte kurse në disa aspekte të tjera jo. Prandaj Allahu e përgjithësoi humbjen për çdo njeri, me përjashtim të atij që ka këto katër cilësi:

Besimin në çdo gjë që ka urdhëruar Allahu që të besohet: Dhe besimi s’mund të jetë pa dije, kështu që dija është degë e besimit dhe ai nuk plotësohet pa dijen.

 

Puna e mirë: dhe kjo përfshin të gjitha veprat e mira, të dukshme apo të padukshme, të cilat lidhen me të drejtat e Allahut dhe të drejtat e robërve të Tij, qofshin vepra që janë obligim apo vepra që janë të pëlqyeshme.

 

Këshillimi me të vërtetën: që është Imani dhe puna e mirë. Domethënë, këshillojnë njëri-tjetrin për këto të dyja, inkurajojnë dhe nxisin njëri-tjetrin drejt tyre.

 

Këshillimi me durimin: që të kenë durim në bindjen ndaj Allahut dhe në largimin nga mosbindja ndaj Tij, si dhe të kenë durim në Caktimet e dhimbshme që u jep Allahu.

 

Kështu, me dy çështjet e para robi plotëson veten e tij, kurse me dy çështjet e tjera plotëson njerëzit e tjerë. Dhe me plotësimin e të katërta çështjeve robi do të jetë i shpëtuar nga humbja dhe do të fitojë me një fitim madhështor.

 

Përktheu Alban Malaj