Bismilah...

Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij (1307-1376 h.)

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, botimi “Daru Selam”, fq. 1171

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

 

 قُلْ أَعُوذُ بِرَبِّ النَّاسِ ﴿١﴾ مَلِكِ النَّاسِ ﴿٢﴾ إِلَـٰهِ النَّاسِ ﴿٣﴾ مِن شَرِّ الْوَسْوَاسِ الْخَنَّاسِ ﴿٤﴾ الَّذِي يُوَسْوِسُ فِي صُدُورِ النَّاسِ﴿٥﴾ مِنَ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ ﴿٦﴾

“Thuaj! Kërkoj mbrojtjen e Zotit të njerëzve! Sunduesit të njerëzve! Të Adhuruarin e njerëzve! Prej të keqes së atij (shejtanit) që pëshpërit (të keqen në zemrat e njerëzve), i cili fshihet (kur dikush e përmend Allahun). I cili hedh vesvese në zemrat e njerëzve! (Qoftë ai që vepron këtë) prej Xhinëve apo prej njerëzve!” en-Nas, 1-6

 

Kjo Sure përmban kërkimin e Mbrojtjes së Zotit të njerëzve, Sunduesit dhe të Adhuruarit të tyre prej shejtanit, i cili është origjina dhe baza e të gjitha të këqijave! Prej sprovave dhe sherrit të tij është se ai pëshpërit në zemrat e njerëzve, ua zbukuron atyre të keqen, ua paraqet atë në formë të mirë dhe i nxit ata që ta duan veprimin e saj; i pengon nga e mira dhe ua paraqet të mirën në një formë tjetër nga realiteti i saj.

 

Pra, shejtani gjithmonë e bën këtë gjë. Ai hedh vesvese, pastaj zmbrapset kur robi e përkujton Zotin e tij dhe kërkon mbrojtjen e Tij për ta larguar atë. Prandaj, njeriu duhet që të kërkojë ndihmën, mbrojtjen dhe kthimin duke besuar se Allahu është Ai që i posedon të gjithë njerëzit pasi që të gjitha krijesat janë nën Sundimin dhe Pushtetin e Tij.

 

Nuk ka gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij dhe Ai i ka krijuar krijesat me qëllim që ta adhurojnë vetëm Atë. Ky adhurim i tyre nuk do të plotësohet vetëm se duke e larguar të keqen e armikut të tyre, i cili dëshiron që t’i largojë ata prej këtij adhurimi dhe dëshiron t’i bëjë ata prej pasuesve të tij, në mënyrë që të jenë prej banorëve të Zjarrit.

 

Ndërsa vesveset, ashtu siç vijnë prej xhinëve, vijnë edhe prej njerëzve! Prandaj Allahu thotë:

 

مِنَ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ ﴿٦﴾

(Qoftë ai që vepron këtë) prej Xhinëve apo prej njerëzve!”

 

 

Përktheu: Servet Mata