Bismilah...



Mësimi i katërt

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të mirin e gjithë njerëzimit, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Sahabët e tij, mbi Tabi’inët dhe mbi ata që i pasuan me mirësi.

E më pas:

Vëllezër të nderuar, kemi filluar tashmë me shpjegimin e “Tre Parimeve”, të Imamit, Muxhedidit, Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehhab – rahimehullah -:

Dhe ndaluam tek fjala e Imamit:

“Dije – Allahu të mëshiroftë – se e kemi detyrë që t’i mësojmë katër çështje. E para është Dija, e cila është: njohja e Allahut, njohja e Pejgamberit të Tij dhe njohja e Fesë Islame me argumente.”

Në mësimin e shkuar morëm njohjen e Allahut të Lartësuar. Kurse sot – in shaa Allah – do të marrim njohjen e Pejgamberit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -.

Fjala “nebij” vjen nga fjala “nebe`e” ose nga fjala “enbe`e”, me kuptimin lajmëroi. Kurse “nebe`e” pa hemzeh do të thotë u lartësua, u ngrit lart. Kurse nga ana terminologjike (në Sheriat), fjala “nebij” do të thotë: njeri i lirë, të cilit i është dhënë një sheriat, mirëpo nuk është urdhëruar që ta përcjellë atë.

Është thënë gjithashtu për përkufizimin e fjalës “nebij”: ai është ringjallësi i sheriatit të pejgamberit që ka ardhur përpara tij. Kurse “er-rrasul”, i dërguari, është ai i cili erdhi me sheriat abrogues (të sheriatit që ka qenë përpara tij). Dhe i dërguari “er-rrasul” është ai të cilit i ka zbritur sheriati dhe është urdhëruar që ta përcjellë atë.

Njohja e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është prej detyrave që i ka çdo njeri. Dhe nuk mjafton që njeriu të thotë: “Unë e njoh të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, të birin e ‘Abdullahut.” Kjo e vetme nuk mjafton. Porse është detyrë që ta dijë se ai është i dërguar nga Allahu dhe Allahu i ka zbritur atij Librin - dhe e urdhëroi që t’ia përcjellë atë Umetit dhe ai e udhëzoi Umetin që të kapen fort mbas këtij Libri.

Njohja e Pejgamberit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – përkufizohet me disa çështje:

E para, duke njohur personalitetin e tij: ai është Muhamedi, i biri i ‘Abdullahut, i biri i ‘Abdul-Mutalibit, i biri i Hashimit, nga fisi Kurajsh, dhe Kurajshët janë nga Arabët.

E dyta, duke e dashur atë – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – më shumë se sa do veten tënde, fëmijët dhe më shumë se çdo njeri tjetër.

E treta: të duash atë me të cilën erdhi Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – përgjithësisht dhe specifikisht.

E katërta: të punosh me atë, pra të punosh me atë me të cilën erdhi Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, duke shpresuar Mëshirën e Allahut dhe duke iu frikësuar Dënimit të Tij.

Dhe kanë përmendur dijetarët nga mbledhja e argumenteve dhe analizimi i tyre, se dëshmia “Muhammedun Rasul-lullah” ka katër kushte:

Kushti i parë është: që t’i bindesh urdhërit të tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -.

Kushti i dytë është: që të besosh lajmet që ka sjellë ai.

Kushti i tretë është: që të qëndrosh larg nga ato gjëra që ai i ka ndaluar.

Kushti i katërt është: që të adhurohet Allahut vetëm se me atë që ka ligjëruar i Dërguari i Allahut- sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -.

Ka thënë Shejkhu jonë, Shejkh Ibën Baz – rahimehullah -: “Njohja e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është prej kërkesave të Imanit.”

Dhe ka thënë Shejkh ‘Abdur-‘Rrahman Ibën Hasen – rahimehullah -: “Dhe njohja e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është farz për çdo mukel-lef (njeri dhe xhin) dhe është një prej detyrave më madhore të Fesë, që ta njohësh Pejgamberin tënd – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe të besosh se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, dhe se ai është Vula e Pejgamberëve dhe të Dërguarve, dhe se Allahu i Lartësuar e ka dërguar për të gjithë njerëzimin, dhe se ai është më i përsosuri nga të gjithë njerëzit, në dije, në vepra dhe në devotshmëri, – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -.”

Po e mbyllim me këtë, për sa i përket njohjes së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe po mjaftohemi me kaq.

Allahu dhëntë lavdërime dhe bekime për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj