Bismilah...

Mësimi i dymbëdhjetë

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin për atë që u dërgua si paqe për të gjithë njerëzimin, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

E më pas:

O ju vëllezër të nderuar, vazhdojmë mësimin tonë në shpjegimin e “Tri Parimeve”, të imamit dhe muxhedidit, Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah -. Mësimin e shkuar filluam me mesazhin e dytë, që është fjala e autorit - rahimehullah -:

اعْلَم - أنّّهُ يَجِبُ على كلِّ مُسْلِمِِ و مُسْلِمَةِِ تَعَلُّمُ ثَلاثِ هَذِهِ الْمَسَائِلِ

“iëlem ennehu jexhibu ‘ala kul-li Muslimin ue Muslimetin te’al-lumu thelathi hadhihi el-mesa`il.”

“Dije se është obligim për çdo Musliman e Muslimane që t’i mësojë këto tri çështje dhe të punojë me to.”

Përmendëm se fjalia e saktë është që të thuhet:

تََعَلُّمُ هَذِهِ المَسَائلِ الثلاثِ

“…te’al-lumu hadhihi el-mesa`ili eth-thelath.”

Kurse sot - in shaa Allah - do të fillojmë me sqarimin e këtyre tri çështjeve.

“Çështja e parë është: që Allahu na ka krijuar e furnizuar dhe nuk na ka braktisur. Përkundrazi, ai na dërgoi një të dërguar: kush i bindet atij hyn në Xhenet, e kush nuk i bindet hyn në Zjarr. Dhe argumenti është Fjala e të Lartësuarit:

إِنَّا أَرْسَلْنَا إِلَيْكُمْ رَسُولا شَاهِدًا عَلَيْكُمْ كَمَا أَرْسَلْنَا إِلَى فِرْعَوْنَ رَسُولا (١٥) فَعَصَى فِرْعَوْنُ الرَّسُولَ فَأَخَذْنَاهُ أَخْذًا وَبِيلا (١٦

“Ne, me të vërtetë, ju kemi sjellë një të Dërguar dëshmitar mbi ju, ashtu siç ia çuam një të dërguar Faraonit. Por Faraoni nuk iu bind të Dërguarit, andaj i çuam dënim të rëndë.” el-Muzemmil, 15-16.

Fjala e imami dhe muxhedidit - rahimehullah -:

“Allahu na ka krijuar e furnizuar.”

Domethënë: Ai na solli në ekzistencë pasi që nuk ekzistonim. Pra, ne, përpara se të na krijonte Ai, nuk ishim asgjë, sikurse ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

هَلْ أَتَى عَلَى الإنْسَانِ حِينٌ مِنَ الدَّهْرِ لَمْ يَكُنْ شَيْئًا مَذْكُورًا (١

“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ishte asgjë për t’u përmendur?!” el-Insan, 1

Dhe Fjala e të Përsosurit nga çdo e metë:

قَالَ كَذَلِكَ قَالَ رَبُّكَ هُوَ عَلَيَّ هَيِّنٌ وَقَدْ خَلَقْتُكَ مِنْ قَبْلُ وَلَمْ تَكُ شَيْئًا (٩

“Ai tha: “Kështu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje.”” Merjem, 9

Njeriu përpara se të krijohet nuk ishte asgjë, nuk ekzistonte. Ai që e solli atë në ekzistencë është Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa. Është Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa. Allahu i Përsosur nga çdo e metë thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالإنْسَ إِلا لِيَعْبُدُونِ (٥٦

“Unë nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit përveç se që ata të më adhurojnë Mua të vetëm.” edh-Dharijjat, 56

Allahu i Përsosur nga çdo e metë thotë:

اللَّهُ خَالِقُ كُلِّ شَيْءٍ

“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.” ez-Zumer, 62

Allahu i Përsosur nga çdo e metë thotë:

أَمْ خُلِقُوا مِنْ غَيْرِ شَيْءٍ أَمْ هُمُ الْخَالِقُونَ (٣٥

“A mos u krijuan ata nga hiçi, apo mos vallë ata vetë janë krijuesit?” et-Tuur, 35

Pra, kjo tregon se patjetër që ka një Krijues. Ky univers patjetër që e ka një Krijues, patjetër që është një Krijues që e ka sjellë në ekzistencë. Ky univers nuk erdhi në ekzistencë rastësisht, sikurse thonë disa njerëz të devijimit, siç janë natyralistët, komunistët etj.. Njeriu nuk e krijon veten e tij, prandaj patjetër që ka një Krijues, i Cili është Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa. Pra, Allahu na ka krijuar dhe na ka furnizuar. Kur patëm nevojë për të ngrënë e për të pirë, për t’u veshur e për vendbanim, Allahu i Përsosur nga çdo e metë e dinte për çfarë kishim nevojë, prandaj Ai e nënshtroi çdo gjë në qiej e në tokë në dobinë tonë, që ne të vazhdojmë jetën dhe të ndihmohemi me këto gjëra për të përmbushur qëllimin për të cilin jemi krijuar. Ka thënë Allahu, i Përsosuri nga çdo e metë:

وَفِي السَّمَاءِ رِزْقُكُمْ وَمَا تُوعَدُونَ (٢٢

“Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.” edh-Dharijjat, 22

Dhe thotë i Përsosuri nga çdo e metë:

وَاللَّهُ يَرْزُقُ مَنْ يَشَاءُ بِغَيْرِ حِسَابٍ (٢١٢

“Allahu furnizon kë të dojë Ai, pa hesap.” el-Bekarah, 212

Kanë thënë dijetarët se rrizku, furnizmi është dy llojësh:

Lloji i parë është furnizimi hallall, i cili është i veçantë për Besimtarët. Ai është furnizim i dobishëm. Ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ اللَّهِ الَّتِي أَخْرَجَ لِعِبَادِهِ وَالطَّيِّبَاتِ مِنَ الرِّزْقِ قُلْ هِيَ لِلَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا خَالِصَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ

“Thuaj: Kush i ka ndaluar stolitë dhe ushqimet e mira, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet? Thuaj: Ato janë për ata që besojnë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për ta (besimtarët).” el-E’araf, 32

Ky lloj është i veçantë vetëm për Besimtarët, që është furnizimi hallall.

Lloji i dytë është furnizimi i përgjithshëm, me të cilin mbahet trupi i njeriut, qoftë hallall apo qoftë haram, si dhe qoftë i furnizuari me të Musliman apo qafir. Ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

وَمَا مِنْ دَابَّةٍ فِي الأرْضِ إِلا عَلَى اللَّهِ رِزْقُهَا

“S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos e ketë furnizimin nga Allahu.” Hud, 6

Domethënë, qoftë Musliman e qoftë qafir (mosbesimtar). Ky pra është furnizimi i përgjithshëm.

Tha autori: “…dhe nuk na ka braktisur.” I braktisur është i hedhuri, të cilin e kanë braktisur natën dhe ditën. Pra, Allahu i Lartësuar nuk na lënë pas asnjë detyrë.

“Përkundrazi, Ai na dërgoi një të Dërguar: kush i bindet atij hyn në Xhenet, dhe kush nuk i bindet atij hyn në Zjarr.”

Pra, kush nuk i bindet atij hyn në Zjarr. Kështu që, nuk lejohet që adhurimet t’i marrim sipas asaj që na pëlqen neve apo duke pasuar qorrazi filanin ose fistekun. Përkundrazi, Allahu padyshim që na dërgoi një të dërguar që të na sqarojë se si ta adhurojmë Atë, sepse adhurimet janë të kufizuara në Kur`an dhe Sunet, dhe nuk lejohet që të adhurohet Allahu me diçka tjetër pos asaj që ka ligjëruar Ai. Ne sapo mësuam që Allahu nuk na ka lënë të braktisur, domethënë as na ka urdhëruar ndonjë gjë e as na ka ndaluar nga ndonjë gjë. Pra, Ai nuk na ka lënë të jetojmë kot, sikurse ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

أَفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثًا وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لا تُرْجَعُونَ (١١٥) فَتَعَالَى اللَّهُ الْمَلِكُ الْحَقُّ لا إِلَهَ إِلا هُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمِ (١١٦

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?! I lartësuar është Allahu, Mbreti i Vërtetë. S’ka të adhuruar tjetër me hak përveç Atij, Zotit të Arshit Madhështor.” el-Mu`minun, 115-116

Dhe ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

أَيَحْسَبُ الإنْسَانُ أَنْ يُتْرَكَ سُدًى (٣٦

“Vallë, a mendon njeriu se do të lihet pa përgjegjshmëri?” el-Kijameh, 36

Domethënë të lihet kot, pa asnjë detyrë. Jo uAllahi! Në të vërtetë Allahu na ka krijuar neve, ka krijuar këto me të cilat furnizohemi dhe mundësitë tona, me një urtësi madhështore, e cila është: që ne të adhurojmë Allahun e Përsosur nga çdo e metë. Ai nuk na krijoi ashtu siç krijoi bagëtitë, të cilat u krijuan për dobinë e robërve, pastaj ngordhin dhe shkojnë, sepse ato nuk janë të ngarkuara, as të urdhëruara dhe të ndaluara nga ndonjë gjë. Porse ty o rob i Allahut, të ka dhënë Allahu logjikë, me të cilën ti bën dallim midis të mirës dhe të keqes.

وَهَدَيْنَاهُ النَّجْدَيْنِ (١٠

“Vërtet, Ne i sqaruam atij të dy rrugët.” el-Beled, 10

Domethënë: Ne ia kemi bërë të qartë atij rrugën e të mirës dhe rrugën e të keqes.

“Përkundrazi, Ai na dërgoi një të Dërguar: kush i bindet atij hyn në Xhenet, dhe kush nuk i bindet atij hyn në Zjarr.”

Dhe i Dërguari është Muhamedi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, Vula e Pejgamberëve. Atë e dërgoi Allahu për ne, që ai të na sqarojë përse jemi krijuar, që të na sqarojë si ta adhurojmë Allahun - ‘Azze ue Xhel-le - dhe që të na ndalojë nga shirku, kufri dhe gjynahet. Kjo është detyra e tij - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem. Ai na ka lënë në një rrugë të bardhë, nata e saj është njësoj sikurse dita e saj, nuk devijon nga ajo askush përpos atij që është i shkatërruar. Andaj, kush i bindet atij hyn në Xhenet, domethënë kush i bindet atij në urdhërat e tij, hyn në Xhenet. Dhe kush nuk i bindet atij në largimin nga ato gjëra që ai i ka ndaluar, do të hyjë në Zjarr. Sikurse ka thënë Allahu i Përsosur nga çdo e metë:

وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ (٥٦

“Dhe bindjuni të Dërguarit që të mëshiroheni.” en-Nuur, 56

وَإِنْ تُطِيعُوهُ تَهْتَدُوا

“Dhe nëse i bindeni atij, do të udhëzoheni.” en-Nuur, 54

مَنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.” en-Nisaa`, 80

Dhe ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -:

كُلُّ أُمَّتِي يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ إِلَّا مَنْ أَبَى قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ وَمَنْ يَأْبَى قَالَ مَنْ أَطَاعَنِي دَخَلَ الْجَنَّةَ وَمَنْ عَصَانِي فَقَدْ أَبَى

“I gjithë Umeti im do të hyjë në Xhenet, me përjashtim të atij që nuk do.” I thanë: “E kush është ai që nuk do, o i Dërguari i Allahut?” Tha: “Kush më bindet mua, hyn në Xhenet, dhe kush nuk më bindet mua, nuk do që të hyjë në Xhenet.” Bukhari, n.6737

Pra, kijeni frikë Allahun dhe bindjuni Allahut - Xhel-le ue ‘Alaa - dhe bindjuni të Dërguarit të Tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Bindja është pajtueshmëria, me zbatimin e urdhërave të tij dhe qëndrimin larg gjërave që i ka ndaluar ai. Kurse mosbindja është kundërshtimi, me braktisjen e urdhërave të tij dhe bërjen e gjërave që ai i ka ndaluar.

Prandaj, le të jemi të kujdesshëm në bindjen ndaj Allahut të Përsosur nga çdo e metë, dhe në bindjen ndaj të Dërguarit të Tij - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem. Ka thënë i Lartësuari:

إِنَّا أَرْسَلْنَا إِلَيْكُمْ رَسُولا شَاهِدًا عَلَيْكُمْ كَمَا أَرْسَلْنَا إِلَى فِرْعَوْنَ رَسُولا (١٥) فَعَصَى فِرْعَوْنُ الرَّسُولَ فَأَخَذْنَاهُ أَخْذًا وَبِيلا (١٦

“Ne, me të vërtetë, ju kemi sjellë një të Dërguar dëshmitar mbi ju, ashtu siç ia çuam një të dërguar Faraonit. Por Faraoni nuk iu bind të Dërguarit, andaj Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër.” el-Muzzemmil, 15-16

“Ne, me të vërtetë, ju kemi sjellë…” [Ne] ky është përemër i madhështisë.

• Kuptimi i pjesës: “ju kemi sjellë” domethënë ju kemi dërguar një të Dërguar dhe i kemi zbritur shpallje atij. U kemi shpallur juve o ju njerëz e xhindë. Kjo u drejtohet të gjithë njerëzve, sepse Mesazhi i këtij të Dërguari - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - është i përgjithshëm për të gjithë njerëzit, deri kur të vijë Ora e Fundit.

“ju kemi sjellë një të Dërguar”: ai është Muhamedi - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -.

“dëshmitar mbi ju” domethënë është dëshmitar tek Allahu, Ditën e Kijametit, sepse ai u përcolli juve Mesazhin dhe ua ngriti argumentin.

رُسُلا مُبَشِّرِينَ وَمُنْذِرِينَ لِئَلا يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللَّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ وَكَانَ اللَّهُ عَزِيزًا حَكِيمًا (١٦٥

“Të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë argument ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve.” en-Nisaa`,165

“ashtu siç ia çuam një të dërguar Faraonit.” I dërguari këtu është Musa - ‘alejhis-salatu ues-selam -, kurse Faraoni ishte mbreti tiran në Egjipt, i cili pretendoi se ishte zot. Me titullin faraon emërtoheshin të gjithë mbretërit në Egjipt, të cilët thirreshin “faraon”.

“Por Faraoni nuk iu bind të Dërguarit”, domethënë nuk iu bind Musait - ‘alejhis-salatu ues-selam -, të cilit nuk i besoi Faraoni, sikurse e ka përmendur Allahu në Librin e Tij.

“andaj Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër.” Domethënë i morëm ata me një dënim. Allahu e mbyti atë në det atë me gjithë popullin e tij, pastaj i futi në zjarr. Fjala “el-uebijl” në ajet do të thotë: i rëndë, i ashpër. Prandaj thotë Ibën Mes`udi: “El-Hakku thekijlun merijun, uel-Batilu khafijfun uebijl.” (Haku është i rëndë dhe i hidhur, kurse Batili është i lehtë dhe me pasojë të rëndë.”) “andaj Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër.” Domethënë e morën Faraonin me një dënim. Allahu e mbyti atë me gjithë popullin e tij në det, pastaj i futi në zjarr. Ka thënë i Lartësuari:

مِمَّا خَطِيئَاتِهِمْ أُغْرِقُوا فَأُدْخِلُوا نَارًا فَلَمْ يَجِدُوا لَهُمْ مِنْ دُونِ اللَّهِ أَنْصَارًا (٢٥

“Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr.” Nuuh, 25

Domethënë, ata përfunduan në zjarr, në berzekh (në botën e varrit).

النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَعَشِيًّا وَيَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ (٤٦

“Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në botën e varrit) e, kur të arrijë Ora e Kijametit (do të thuhet): Futini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë.” Gafir, 46

Lus Allahun - Xhel-le ue ‘Alaa - që të na japë neve dhe juve dije të dobishme, vepra të mira dhe sinqeritet në fjalë dhe në vepra.

Po e mbyll me kaq.

Lavdërimet, paqja dhe begatitë e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj