Autor: Shejkh Ibën ‘Uthejmin
Burimi: el-Kaul el-Mufiid ‘ala Kitaab et-Teuhiid, fq.523
Sharja e kohës ndahet në tre lloje:
E para: që të ketë për qëllim vetëm njoftimin, e jo fajësimin, kjo është e lejuar, si për shembull të thuash: u lodhëm nga vapa e madhe e kësaj dite apo nga i ftohti i saj apo gjëra të ngjashme, sepse veprat janë sipas nijeteve, kështu që fjalë si këto janë në rregull nëse janë vetëm për njoftim. Prej tyre është edhe fjala e Lutit – ‘alejhis-selam -:
هَذَا يَوْمٌ عَصِيبٌ
“Kjo qenka ditë e vështirë.” [Huud, 77]
E dyta: që ta shajë kohën duke besuar se është ajo që vepron, si për shembull ta shajë kohën duke besuar se ajo i ndryshon çështjet në të mira dhe të këqija; dhe ky është shirk i madh, sepse ai beson se me Allahun ka krijues tjetër, ngaqë ia atribuoi ndodhitë dikujt tjetër veç Allahut. Dhe kushdo që beson se ka krijues tjetër me Allahun, është kafir; e po ashtu, kushdo që beson se me Allahun ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet, është kafir.
E treta: që ta shajë kohën duke besuar se nuk është ajo që vepron, por duke besuar se Allahu është Ai që vepron, mirëpo ai e shan atë ngaqë ajo gjë e urryer për të ndodhi tek koha. Kjo është harram, mirëpo nuk arrin deri në gradën e shirkut. Kjo është prej marrëzisë në logjikë dhe prej devijimit në fe, sepse në të vërtetë sharja e tij ndaj kohës i kthehet Allahut të Përsosur nga çdo e metë, ngaqë Allahu i Lartësuar është Ai që e ndryshon kohën dhe ndodh në të ajo që do Ai, e mirë apo e keqe qoftë. Kështu që, nuk është koha ajo që vepron, dhe as nuk bën kufër ai që e thotë këtë sharje, sepse ai nuk e shau direkt Allahun e Lartësuar.
Përktheu: Alban Malaj