Bismilah...

 

Ndodhia e Khidrit përmban një parim madhështor nga parimet e fesë, e cila është: se ibadeti që bëjnë krijesat për Allahun, nga sheriati dhe feja e Tij, duhet të jetë argument kundrejt intelekteve njerëzore dhe jo të merren intelektet njerëzore si argument kundrejt fesë së Tij. A nuk e ke parë se kundërshtimi që ia bëri Musai Khidrit për anijen dhe vrasjen e atij djalit, ishte kundërshtim i saktë në pamje të jashtme dhe Musai nuk qortohet përse kundërshtoi. Por ama kur e sqaroi Khidri arsyen dhe qëllimin përse veproi ashtu, atëherë kundërshtimi që Musait iu duk i saktë doli që kishte qenë gabim, kurse veprimi i gabuar që iu duk Musait te Khidri doli që kishte qenë i saktë. Kështu pra, ky është një argument i prerë se është obligim që t’i nënshtrohesh Allahut në fenë e Tij dhe të Dërguarit të Tij në Sunetin e tij dhe në sqarimin e Librit të Zotit të tij.
 
Gjithashtu, duhet të akuzohen intelektetet njerëzore nëse ato nuk arrijnë dot që të perceptojnë urtësinë e Allahut në ndonjë çështje të fesë së Tij, sepse paaftësia e tyre në perceptimin e urtësisë së Tij është sprovë nga Allahu për robërit e Tij, është testim për ta, në mënyrë që sprovimi i tyre të jetë i përkryer.
 
Dhe pikërisht nga kundërshtimi i këtij parimi kanë devijuar bidatçijtë, atëherë kur ata gjykuan me intelektet e tyre dhe iu referuan atyre kur nuk patën dije rreth domethënieve të Kaderit dhe për çështje të tjera të ngjashme. E kjo që bënë ata ishte gabim i tyre sepse intelektet e robërve kanë një fund, kurse dija e Allahut s’ka fund. Ka thënë Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm:
 
وَلَا يُحِيطُونَ بِشَيْءٍ مِّنْ عِلْمِهِ إِلَّا بِمَا شَاءَ ۚ
 
Ata nuk arrijnë dot asgjë nga dija e Tij, përveç atij që dëshiron Ai! [el-Bekarah, 255]
 
Ajo dije që e ka fshehur Ai, ajo është sekreti që Allahu nuk ia tregon askujt, prandaj nuk lejohet që të angazhohesh me të, as nuk je i ngarkuar që ta kërkosh atë, ngaqë dobia e robërve qëndron te fshehja e asaj diturie për ta, kurse urtësia qëndron në mbajtjen sekret të saj deri në Ditën kur sekretet do të dalin në shesh. E s’ka dyshim që Allahu është më i Urti e më i Dituri. Ka thënë i Lartësuari:
 
وَلَوِ اتَّبَعَ الْحَقُّ أَهْوَاءَهُمْ لَفَسَدَتِ السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ وَمَن فِيهِنَّ ۚ
 
E po të kishte ndjekur e vërteta epshet e tyre, atëherë padyshim që do të ishin shkatërruar qiejt e toka e gjithçka që ndodhet në to. [el-Mu`minun, 71]
 
Burimi: Sherh Sahih el-Bukharij (vëll.1/fq.201)

Përktheu: Alban Malaj