Autor: Shejkh Ahmed en-Nexhmij
Kapitulli i dytë: Kush e përmbush Teuhidin do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari
Dhe Fjala e Allahut të Lartësuar:
إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِّلَّـهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ ﴿١٢٠﴾
“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë Umet (prijës shembullor me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, Hanijf (në fenë e pastër Islame) dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.” [en-Nahl, 120]
Dhe Ai ka thënë:
وَالَّذِينَ هُم بِرَبِّهِمْ لَا يُشْرِكُونَ ﴿٥٩﴾
“Dhe ata të cilët Zotit të tyre nuk i shoqërojnë asgjë në adhurim.” [el-Mu`minun, 59]
Nga Husajn Ibën ‘Abdir-Rrahman i cili ka thënë:
كُنْتُ عِنْدَ سَعِيدِ بْنِ جُبَيْرٍ فَقَالَ أَيُّكُمْ رَأَى الْكَوْكَبَ الَّذِي انْقَضَّ الْبَارِحَةَ ؟ قُلْتُ أَنَا ، ثُمَّ قُلْتُ : أَمَا إِنِّي لَمْ أَكُنْ فِي صَلَاةٍ وَلَكِنِّي لُدِغْتُ ، قَالَ فَمَاذَا صَنَعْتَ ؟ قُلْتُ اسْتَرْقَيْتُ ، قَالَ فَمَا حَمَلَكَ عَلَى ذَلِكَ ؟ قُلْتُ حَدِيثٌ حَدَّثَنَاهُ الشَّعْبِيُّ ، فَقَالَ وَمَا حَدَّثَكُمْ الشَّعْبِيُّ ؟ قُلْتُ : حَدَّثَنَا عَنْ بُرَيْدَةَ بْنِ حُصَيْبٍ الْأَسْلَمِيِّ أَنَّهُ قَالَ : لَا رُقْيَةَ إِلَّا مِنْ عَيْنٍ أَوْ حُمَةٍ
Isha tek Se’id Ibën Xhubejri dhe ai tha: Kush nga ju e pa yllin që ra mbrëmë? Unë thashë: Unë. Pastaj thashë: Në të vërtetë, unë nuk isha në namaz, porse më kishte pickuar diçka. Ai tha: “E çfarë bëre pastaj?” Unë thashë: “Bëra rukje.” Ai tha: “Çfarë të shtyu që e veprove kështu?” Unë thashë: Një hadith të cilin na e transmetoi Sh’abiu. Ai tha: “E çfarë u ka transmetuar?” Unë thashë: Na ka transmetuar nga Burajdeh Ibnul-Husajb se ai ka thënë: “Nuk ka rukje, përveçse për syrin e keq ose për helmimin.” [1]
فَقَالَ قَدْ أَحْسَنَ مَنْ انْتَهَى إِلَى مَا سَمِعَ وَلَكِنْ حَدَّثَنَا ابْنُ عَبَّاسٍ عَنْ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ
Ai tha: “Ai ka bërë mirë që është mjaftuar me atë që ka dëgjuar, mirëpo neve na ka transmetuar Ibën ‘Abbasi nga Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhiuesel-lem – se ai ka thënë:
عُرِضَتْ عَلَيَّ الْأُمَمُ فَرَأَيْتُ النَّبِيَّ وَمَعَهُ الرُّهَيْطُ وَالنَّبِيَّ وَمَعَهُ الرَّجُلُ وَالرَّجُلَانِ وَالنَّبِيَّ لَيْسَ مَعَهُ أَحَدٌ إِذْ رُفِعَ لِي سَوَادٌ عَظِيمٌ فَظَنَنْتُ أَنَّهُمْ أُمَّتِي فَقِيلَ لِي هَذَا مُوسَى صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ وَقَوْمُهُ وَلَكِنْ انْظُرْ إِلَى الْأُفُقِ ، فَنَظَرْتُ فَإِذَا سَوَادٌ عَظِيمٌ فَقِيلَ لِي انْظُرْ إِلَى الْأُفُقِ الْآخَرِ فَإِذَا سَوَادٌ عَظِيمٌ فَقِيلَ لِي هَذِهِ أُمَّتُكَ وَمَعَهُمْ سَبْعُونَ أَلْفًا يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ بِغَيْرِ حِسَابٍ وَلَا عَذَابٍ
“Më treguan popujt dhe pashë një pejgamber që kishte me vete një grup prej më pak se dhjetë vetash, pastaj një pejgamber tjetër që kishte me vete një apo dy veta, pastaj një pejgamber që nuk kishte me vete asnjë njeri tjetër. Kur sakaq, mu shfaq një grumbull i madh njerëzish, saqë mendova se ai është Umeti im, por më thanë: “Ky është Musa me popullin e tij.” Pastaj hodha shikimin dhe sakaq pashë një grumbull shumë të madh njerëzish. Më thanë: Ky është Umeti yt dhe mes tyre janë shtatëdhjetë mijë veta që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar.”
ثُمَّ نَهَضَ فَدَخَلَ مَنْزِلَهُ فَخَاضَ النَّاسُ فِي أُولَئِكَ الَّذِينَ يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ بِغَيْرِ حِسَابٍ وَلَا عَذَابٍ ، فَقَالَ بَعْضُهُمْ فَلَعَلَّهُمْ الَّذِينَ صَحِبُوا رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ، وَقَالَ بَعْضُهُمْ فَلَعَلَّهُمْ الَّذِينَ وُلِدُوا فِي الْإِسْلَامِ وَلَمْ يُشْرِكُوا بِاللَّهِ ، وَذَكَرُوا أَشْيَاءَ ، فَخَرَجَ عَلَيْهِمْ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقَالَ : ((مَا الَّذِي تَخُوضُونَ فِيهِ ؟ )) فَأَخْبَرُوهُ ، فَقَالَ
Pastaj ai u çua dhe hyri në shtëpinë e tij. Kurse njerëzit filluan të diskutonin për ata (që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar). Disa prej tyre thanë: “Ndoshta janë ata që shoqëruan të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem.” Disa të tjerë thanë: “Ndoshta janë ata që lindën në Islam dhe nuk i kanë bërë fare shirk Allahut.” Dhe përmendën kështu disa gjëra. Atëherë u doli i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe ata e njoftuan atë (për diskutimin që patën). Ai u tha:
هُمْ الَّذِينَ لا يَسْتَرْقُونَ وَلا يَتَطَيَّرُونَ وَلا يَكْتَوُونَ وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ
“Janë ata të cilët nuk kërkojnë që t’u bëhen rukje, as nuk kurohen me djegien me zjarr, as nuk zmbrapsen nga shenjat ogurzeza dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten.”
فَقَامَ عُكَّاشَةُ بْنُ مِحْصَنٍ فَقَالَ : ادْعُ اللَّهَ أَنْ يَجْعَلَنِي مِنْهُمْ ، فَقَالَ : (( أَنْتَ مِنْهُمْ )) ، ثُمَّ قَامَ رَجُلٌ آخَرُ فَقَالَ : ادْعُ اللَّهَ أَنْ يَجْعَلَنِي مِنْهُمْ فَقَالَ : سَبَقَكَ بِهَا عُكَّاشَةُ
Atëherë u çua ‘Ukasheh Ibën Mihsan dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë mua prej atyre.” Ai tha: “Ti je prej atyre.” Pastaj u çua një burrë tjetër dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë mua prej atyre.” Ai tha: “Ta kaloi këtu ‘Ukasheja.” [2]
Domethënë: ai do të hyjë (në Xhenet) përpara se t’i bëhet llogaria.
Shpjegimi:
Sa i përket Fjalës së Lartësuarit:
إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِّلَّـهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ ﴿١٢٠﴾
“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë Umet (prijës shembullor me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, Hanijf (në fenë e pastër Islame) dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.” [en-Nahl, 120]
Unë them: për përmbushjen e Teuhidit mund të argumentohesh me Fjalën e Allahut të Lartësuar:
الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَـٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ ﴿٨٢﴾
“Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” [el-En’am, 82]
Fjala e Tij:
الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ
“Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien besimin e tyre me padrejtësi…”
Do të thotë: ata nuk e përzien besimin e tyre me shirk. Dhe ai që nuk e përzien besimin e tij me shirk, as me shirk të vogël dhe as me shirk të madh, për të shpresohet që ta ketë përmbushur Teuhidin. Dhe nëse ai e ka përmbushur Teuhidin, atëherë për të do të jetë siguria e plotë dhe udhëzimi i plotë. Domethënë, kush e përmbush Teuhidin, ka për të arritur gradën e lartë të sigurisë dhe udhëzimit.
Kështu që, nga ajeti që u përmend më përpara për vlerën e madhe të Teuhidit nxirret argument për këtë kapitull dhe thuhet: se kush e përmbush Teuhidin, duke mos e përzier besimin e tij me shirk, ai do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari. Dhe kush e përzien besimin e tij me shirk të vogël apo me ndonjë lloj prej gjynaheve të mëdha apo me prej bidateve që nuk të nxjerrin nga Feja, atëherë ai është nën Dëshirën e Allahut.
Autori – rahimehullah – e solli si argument Fjalën e Allahut të Lartësuar:
إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِلَّهِ
“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë Umet (prijës shembullor me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut…” [en-Nahl, 120]
Se kush e përmbush Teuhidin hyn në Xhenet.
Kuptimi i pjesëve të ajetit:
[قَانِتًا لِلَّهِ]: “kaanitan lil-laahi” – i përulur para Allahut.
[حَنِيفًا]: “hanijfan” – i distancuar nga shirku, i kapur fort në Teuhid.
[وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ]: “ue lem jeku minel-mushrikiin” – ngaqë Ibrahimi u lavdërua nga Allahu sepse ai e përmbushi urdhrin që i dha Zoti i tij, saqë thotë Allahu – Subhanehu ue Te’ala –:
وَإِبْرَاهِيمَ الَّذِي وَفَّىٰ ﴿٣٧﴾
“Dhe Ibrahim i cili e përmbushi (atë me të cilën u urdhërua).” [en-Nexhm, 37]
Dhe Ai thotë:
وَإِذِ ابْتَلَىٰ إِبْرَاهِيمَ رَبُّهُ بِكَلِمَاتٍ فَأَتَمَّهُنَّ ۖ قَالَ إِنِّي جَاعِلُكَ لِلنَّاسِ إِمَامًا ۖ قَالَ وَمِن ذُرِّيَّتِي ۖ قَالَ لَا يَنَالُ عَهْدِي الظَّالِمِينَ ﴿١٢٤﴾
“Kur Ibrahimin e sprovoi Zoti i tij me disa urdhra dhe ai i përmbushi ato, Ai i tha: Unë do të të bëj ty prijës të njerëzve.” [el-Bekarah, 124]
Pra, Ai i dha atij të drejtën e udhëheqjes dhe ky është argument për udhëheqjen e Ibrahimit – ‘alejhis-selam.
Nga kjo nxirret se Ibrahimi e përmbushi atë me të cilën u urdhërua dhe ai pati frikë për veten e tij dhe për bijtë e tij nga shirku. Prandaj Allahu e bëri atë imam (prijës, udhëheqës) në Teuhid, siç i bëri edhe të tjerët pos tij:
قَدۡ كَانَتۡ لَكُمۡ أُسۡوَةٌ حَسَنَةٞ فِيٓ إِبۡرَٰهِيمَ وَٱلَّذِينَ مَعَهُۥٓ
“Shembull i shkëlqyer për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të…” [el-Mumtehineh, 4]
Pastaj ai (Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab) solli ajetin tjetër:
وَالَّذِينَ هُم بِرَبِّهِمْ لَا يُشْرِكُونَ ﴿٥٩﴾
“Dhe ata të cilët Zotit të tyre nuk i shoqërojnë asgjë në adhurim.” [el-Mu`minun, 59]
Ky përshkrim është për ata që janë besimtarë të plotë, të cilët e përmbushin hakun e Teuhidit më së miri, e pikërisht ata janë shembujt më të lartë në përmbushjen e Teuhidit dhe prandaj ata arritën vendet më të larta tek Allahu – Subhanehu ue Te’ala.
Pastaj ai (Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab) solli hadithin:
(( Nga Husajn Ibën ‘Abdir-Rrahman i cili ka thënë: Isha tek Se’id Ibën Xhubejri dhe ai tha: Kush nga ju e pa yllin që ra mbrëmë? Unë thashë: Unë. Pastaj thashë: Në të vërtetë, unë nuk isha në namaz, porse më kishte pickuar diçka… ))
Fjala e tij: (( Nga Husajn Ibën ‘Abdir-Rrahman i cili ka thënë: Isha tek Se’id Ibën Xhubejri dhe ai tha: Kush nga ju e pa yllin që ra mbrëmë? ))
[إِنْقِضاَضُ الْكَوْكَبِ]: “inkidadel-keukeb” – domethënë kur hidhen dhe vezullojnë yjet.
Fjala e tij: (( Unë thashë: Unë. ))
Mirëpo, ai pati frikë për veten e tij nga syefaqësija (err-rrijaa`), prandaj ai tha: “Në të vërtetë, unë nuk isha në namaz, porse më kishte pickuar diçka.” Domethënë: shkaku pse isha zgjuar natën ishte ajo që më kishte pickuar. Pra, ai njoftoi për realitetin, duke larguar kështu syefaqësinë. Atëherë ia ktheu Se’id Ibën Xhubejri: “E çfarë bëre pastaj?” Ai tha: “Bëra rukje.” Domethënë: I bëra rukje vetes. Ai tha: “Çfarë të shtyu që e veprove kështu?” Kjo tregon se Selefët – Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për ta – kur dikush prej tyre vepronte diçka, e pyesnin atë ku e ke argumentin. Dhe fjala e tij, “Çfarë të shtyu që e veprove kështu?”, do të thotë: Ku e ke argumentin? Kush është shembulli yt për këtë që veprove?
(( Unë thashë: Një hadith të cilin na e transmetoi Sh’abiu. Ai tha: “E çfarë u ka transmetuar?” Unë thashë: Na ka transmetuar nga Burajdeh Ibnul-Husajb se ai ka thënë: “Nuk ka rukje, përveçse për syrin e keq ose për helmimin.” ))
[لا رُقْيَةَ َ]: “la rukjete” – këtu ka mohim të rukjes sheriatike, me përjashtim kur ajo është nga syri i keq.
[العَيْنُ]: “el-‘ajn” – është syri i atij që të ha mësysh.
Dhe ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –:
العَيْنُ حَقٌّ
“Syri është i vërtetë.” [3]
[ أَوْ حُمَة]: “humeh” – është pickimi i gjallesave që kanë helm, siç është gjarpri dhe akrepi.
(( Ai tha: “Ai ka bërë mirë që është mjaftuar me atë që ka dëgjuar… ))
Domethënë: kush mjaftohet me atë që ka dëgjuar dhe vepron me të, ka vepruar mirë.
Fjala e tij: (( mirëpo neve na ka transmetuar Ibën ‘Abbasi nga Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – se ai ka thënë: “Më treguan popujt…”)),((…dhe mes tyre janë shtatëdhjetë mijë veta që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar.” ))
Nga ky hadith nxirret se prej përmbushjes së Teuhidit është lënia e shkaqeve të lejuara, që është kurimi me djegie me zjarr dhe rukja.
Unë them: ka ardhur në disa transmetime urdhri për të bërë rukje dhe miratimi i Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – për to. Atëherë, a e cungon Teuhidin çdo rukje? Apo ajo që e cungon Teuhidin është kërkimi i rukjes nga të tjerët?! Dhe kjo është ajo që kuptohet nga fjala e tij:
هُمْ الَّذِينَ لا يَسْتَرْقُونَ
“Janë ata të cilët nuk kërkojnë që t’u bëhen rukje.”
Domethënë: ata nuk e kërkojnë rukjen nga të tjerët.
Ndërsa për sa i përket transmetimit tjetër:
لا يَرْقُون
“nuk bëjnë rukje” [4]
Ndoshta ky do të jetë gabim nga ana e transmetuesit, ngaqë kush u bën rukje të tjerëve, nuk i cungohet Teuhidi dhe as mbështetja e tij në Allahun nga bërja e rukjes për të tjerët. [5]
Kurse në rastin kur i bëjnë rukje veteve të tyre, apo u bëhen rukje nga të tjerët pa ua kërkuar atyre, këtu s’ka ndalesë dhe as nuk ka cungim të përsosmërisë së Teuhidit. Mirëpo, përsosmëria e Teuhidit cungohet atëherë kur kërkohet rukja nga të tjerët.
Fjala e tij: (( as nuk kurohen me djegien me zjarr ))
Është transmetuar se Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – e ka vepruar kurimin me djegie, sepse ai e kuroi Esued Ibën Zurarah – radij-Allahu ‘anhu – me zjarr. [6]
Dhe ai ka thënë:
إنْ كَانَ فِي شَيْءٍ مِنْ أَدْوِيَتِكُمْ خَيْرٌ فَفِي شَرْطَةِ مِحْجَمٍ ، أَوْ فِي شَرْبَةٍ مِنْ عَسَلٍ ، أَوْ لَذْعَةِ نَارٍ تُوَافِقُ الدَّاءَ ، وَمَا أُحِبُّ أَنْ أَكْتَوِيَ
“Nëse ka mirësi në ndonjë prej ilaçeve tuaja kuruese, atëherë ajo është tek: hixhamja ose tek pirja e mjaltit ose tek djegia me zjarr sipas masës së sëmundjes. Mirëpo mua nuk më pëlqen që të kurohem me djegie.” [7]
Kështu që, kurimi me djegie është i lejuar, kurse lënia e tij është prej përsosmërisë së Teuhidit.
Fjala e tij: (( as nuk zmbrapsen nga shenjat ogurzeza ))
Domethënë: ata nuk i përfillin në vetet e tyre shenjat ogurzeza, dhe kjo është prej përsosmërisë së Teuhidit.
Fjala e tij: (( dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten ))
Domethënë: ata i lënë shkaqet e lejuara, duke iu mbështetur vetëm Allahut. Dhe kjo është prej përsosmërisë së Teuhidit.
[Fjala e tij]: (( Atëherë u çua ‘Ukasheh Ibën Mihsan dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë mua prej atyre.” Ai tha: “Ti je prej atyre.” Pastaj u çua një burrë tjetër dhe tha: “Lute Allahun që të më bëjë mua prej atyre.” Ai tha: “Ta kaloi këtu ‘Ukasheja.” ))
Domethënë: Ukasheja do të hyjë në Xhenet përpara se të merret në llogari.
Nga ky hadith u bë e qartë se ata shtatëdhjetë mijë që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar, në të vërtetë e arritën këtë gradë me përsosjen e Teuhidit të tyre.
Dhe Allahu është Dhënësi i Suksesit.
Fundnota:
[1] “El-humeh” është helmi i akrepit apo i gjallesave të ngjashme.
[2] E ka transmetuar Bukhari (n.5752) dhe Muslimi (n.220) dhe teksti i hadithit është i tij.
[3] E ka transmetuar Bukhari (n.5740) dhe Muslimi (n.2187), nga hadithi i Ebi Hurejras – radij-Allahu ‘anhu.
[4] E ka transmetuar Muslimi (n.220).
[5] Kjo është shkurtimisht çfarë thuhet në Fet`hul-Barij (11/408): “Ka ardhur në transmetimin e Se’iid Ibën Mensur tek Muslimi:
وَ لا يَرْقُونُ
“Dhe nuk bëjnë rukje.”
Mirëpo Shejkh Ibën Tejmijeh e hodhi poshtë këtë transmetim dhe pretendoi se ai është gabim nga ana e transmetuesit të saj, dhe u argumentua duke thënë se rukjexhiu i bën mirë atij që po i bën rukje, andaj si mund të kërkohet që të braktiset kjo gjë?!...” Mbaroi fjala e tij, shkurtimisht.
[6] E ka transmetuar Tirmidhiu (n.2050), dhe Albani – rahimehullah – e ka shpallur Sahih në el-Mishkat (n.4534).
[7] E ka transmetuar Bukhari (n.5683) dhe Muslimi (n.2205), nga hadithi i Xhabir Ibën ‘Abdilah – radij-Allahu ‘anhu.
Përktheu: Alban Malaj