Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli
Burimi: Sherh Delilu Talib, mësimi 83, min. 58:51, më datë 2/4/1438 H
Pyetje: Allahu ju shpërbleftë me të mira! Ky pyetës thotë: “Cilat janë pengesat që e ndalojnë kremtimin e festave të fundvitit?”
Përgjigje: Po këtë fundvitin, kush është ai që e ka quajtur “fund”? Pastaj, nuk lejohet për ne Muslimanët festimi i ndonjë feste, përveç dy festave (Dy Bajramet), sepse Allahu na i ka ndërruar të gjitha festat e xhahilijetit (periudha para ardhjes së Islamit) me këto dy festa (Bajramet). Kështu që, Allahu e shpalli të pavlefshme çdo festë të xhahilijetit – dhe ndër to janë festat e të Krishterëve – e Ai na bëri dy festa: festën e Fitër Bajramit dhe festën e Kurban Bajramit. Andaj, kur ti e feston këtë festë vjetore (të Bajramit), kjo është festë, sepse përsëritet çdo vit në kohën e tij të caktuar. Nga ana tjetër, edhe kjo tjetra (festat e Krishtlindjeve) është festë, porse kjo s’lejohet.
Së dyti: siç ju thashë, të Krishterët e kremtojnë këtë festë si fe të tyre. Ne themi: sikur kjo festë të ishte vërtet prej fesë së tyre, me të cilën ka ardhur Isa – ‘alejhis-selam – pra themi “sikur të ishte,” neve nuk na lejohet ta festojmë atë, sepse feja e tyre është shfuqizuar. Atëherë, si është puna, kur kjo festë, nuk është prej fesë së tyre me të cilën erdhi Isa – ‘alejhis-selam – porse këtë festë e kanë shpikur, dhe ata gëzohen me lindjen e djalit të Zotit! Si të festojmë së bashku me ata?!
Ata vendosin bredh dhe i vënë drita; vendosin aty kuti me dhurata; çdonjëri nga ata shkruan në kuti dëshirën e tij për vitin e ri dhe Mesihu ua realizon atyre dëshirat. Si mund të vijë një njeri që ka logjikë, e të thotë se lejohet ta festojmë këtë!
O vëllezër! E kam sqaruar herë pas here se, ata që jetojnë bashkë me ne në vendet tona, e që janë nga Ehli Kitabët, siç janë Jehudët dhe të Krishterët, ata nderohen, u jepen dhurata jashtë kohës së festave të tyre dhe ruhet nderi i tyre.
Nëse unë shoh gruan e një fqinji të Krishterë – edhe nëse nuk jam në Medine – shoh se gruaja e fqinjit tim të Krishterë kanoset nga një Musliman, unë i dal përballë atij Muslimani, e ndaloj atë, madje edhe e luftoj atë, duke e mbrojtur nderin e këtij të Krishteri. Nëse shoh ndonjërin që sulmon kishat e të Krishterëve, e ndaloj atë, e denoncoj tek autoritetet përgjegjëse, porse nuk lejohet për ne që të marrim pjesë në festat e tyre. Ama që ti, t’i bashkosh këto dyja (d.m.th. të sillesh mirë me ta dhe në të njëjtën kohë, të marrësh pjesë në festat e tyre; t’ua urosh ato, t’u bësh dhurata për hir të festave të tyre, etj. sh.p.), Sheriati nuk e miraton këtë.
Disa njerëz, për shkak të injorancës së tyre, mendojnë se fjalët e dijetarëve për mos-festimin me ta dhe mos-lejimin e një gjëje të tillë, nga kjo domosdoshmërisht kuptohet që atyre t’ju bëhet dëm gjatë festave të tyre. Kjo nuk lejohet! Nga ana tjetër, disa njerëz mendojnë se prej respektit dhe mirësjelljes së domosdoshme, është që të marrësh pjesë në festat e tyre.
Ka ngelur edhe një çështje, e ajo është se disa njerëz thonë: “Kjo është nga aspekti i mirësjelljes me ta. Ata festojnë bashkë me ne gjatë festave tona, kështu edhe ne festojmë gjatë festave të tyre.” Kjo nuk lejohet të thuhet, sepse dispozitat kthehen te Sheriati, ndërsa Sheriati tregon se kjo festë nuk duhet të festohet. Andaj, nuk na lejohet që të marrim pjesë në festat e tyre. Ata marrin pjesë në festat tona të vërteta, kurse neve nuk na lejohet që të marrim pjesë në festat e tyre të kota.
Pra, nëse fqinji im i Krishterë ma uron martesën, pastaj shoh se ai ka një të dashur dhe thotë: “Kjo është e dashura ime, dhe ne (të Krishterët) këtë e konsiderojmë martesë.” A ta uroj unë atë për këtë martesë, ose a ta uroj për të dashurën e tij?! E të them se kjo është mirësjellje?! Kjo nuk duhet bërë dhe nuk lejohet.
E vërteta është se ta angazhosh umetin me atë që nuk është i ngarkuar që ta bëjë dhe nuk ka dobi në të, nuk është e logjikshme dhe nuk është prej kuptimit të drejtë. Duhet t’i mësojmë njerëzit se, nuk lejohet padrejtësia dhe sulmi ndaj atyre që jetojnë me Muslimanët, ata që janë nga Ehli Kitabët dhe të tjerë që nuk janë nga Ehli Kitabët; nuk lejohet sulmimi i tyre dhe nuk lejohet dëmtimi i tyre.
Ne i dënojmë këto vepra kriminale që i bëjnë disa njerëz. Ne u mësojmë atyre (Muslimanëve) kuptimin e duhur për këto çështje; ua mësojmë dispozitat Sheriatike. Ne e sqarojmë atë që kanë sqaruar dijetarët tanë. Nuk kemi nevojë për njerëzit që s’kanë fik`h (kuptim të drejtë të fesë). Ata vijnë e thonë: “Duam ripërtëritje të fik`hut! Të parët (Selefët) nuk dinin! Të sjellim diçka të re për umetin!” Ne s’kemi nevojë për këta. Pasha Allahun! Këta nuk të shpien drejt të mirës.
Ta rrënjosim fikhun në shpirtrat e njerëzve. Ne nuk dëmtohemi nëse nuk i festojmë (festat e Ehli Kitabëve). Pse i gjithë ky zell... SubhanAllah (i Pastër është Allahu nga çdo mangësi)! Unë habitem! Dikush prej njerëzve ka zell që njerëzit të festojnë festat e fundvitit, kurse në të njëjtën kohë, është i zellshëm që të lërë pas dore faljen e namazit me xhemat, duke thënë se mendimi që thotë se është obligim falja e namazit me xhemat, është ashpërsi, e shumë tjera. O vëlla! Sikur të merreshe me nxitjen e njerëzve për faljen e namazit me xhemat, kjo do të ishte më e mirë për ty.
Por, disa prej këtyre (siç është festimi i Krishtlindjeve), në realitet, janë komplote të armiqve (të Islamit), me të cilat duan ta dobësojnë kapjen tonë në fenë tonë, dhe i nxisin këto tema dhe këto çështje. Disa prej këtyre gjërave vijnë për shkak të injorancës, kurse disa prej këtyre vinë nga njerëz që duan pozitë; duan pozitë te prijësit; duan që të kenë popullaritet te njerëzit. Në vend që ai të ketë popullaritet te Muslimanët, ai fiton popullaritet te Krishterët dhe te Muslimanët, dhe si pasojë e kësaj, i dëmtojnë Muslimanët.
Feja është amanet dhe umeti është amanet. Pasha Allahun – o vëllezër –, jetët tona nuk mjaftojnë që të angazhohemi me adhurimin e Allahut – e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar –, atëherë përse të angazhohemi me atë që nuk është adhurim për Allahun?!
E lus Allahun që t’i udhëzojë të gjithë; të na bëjë neve dhe juve nga robërit e Tij të devotshëm; të na angazhojë neve në bindje ndaj Tij dhe të na bëjë neve nga ata që Ai është i kënaqur me ta dhe nga ata që janë të kënaqur me Të; të na japë jetë në atë që ka mirësi dhe të na marr shpirtin në atë që është mirësi; të na japë përfundim të mirë të jetës sonë dhe të na marr shpirtin në këtë dëshmi madhështore: La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut).
Dhe Allahu e di më së miri.
Lëvdata dhe paqja e Allahut qoftë për Pejgamberin tonë.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari