Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Rrahman bin Nasir es-Sa’di

Burimi: Kapitulli i dytë i librit “el-Kaulus-Sedijd Sherh Kitabut-Teuhijd”

 

 

Nuk ka gjë me ndikim dhe vlera më të mira sesa Teuhidi pasi të gjitha mirësitë në këtë botë dhe në botën tjetër burojnë nga ky Teuhid dhe vlerat që ka ai:

 

1 – Falja dhe shlyerja e gjynaheve është nga vlerat dhe rezultatet e Teuhidit.

 

2 – Teuhidi është mjeti dhe mënyra më e mirë nëpërmjet të cilit largohen tensionet, mundimet dhe dënimet e kësaj jete dhe ato të jetës së përtejme.

 

3 – Teuhidi të pengon nga qëndrimi i përjetshëm në Zjarrin e Xhehenemit qoftë edhe sikur ai (Teuhidi) të jetë në zemrën e dikujt sa një farë mustarde. Nëse gjendet i plotë në zemrën e dikujt, atëherë ai ka për ta shpëtuar atë që të mos hyjë fare në Zjarr.

 

4 – Teuhidi i jep atij që është kapur fort pas tij udhëzim dhe siguri të plotë në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

 

5 – Teuhidi është mënyra e vetme nëpërmjet të cilit arrihet Kënaqësia dhe shpërblimi i Allahut dhe njeriu më i lumtur që do të ketë ndërmjetësimin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është ai që ka thënë sinqerisht me zemrën e tij La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut).

 

6 – Nga vlerat më të mëdha të Teuhidit është se pranimi, pasurimi dhe shpërblimi i të gjitha veprave dhe fjalëve, qofshin ato të jashtme apo të brendshme, varen nga Teuhidi. Kështu që, sa më i fortë që të jetë Teuhidi dhe sinqeriteti për Allahun, aq më të forta do të jenë ato.

 

7 – Teuhidi i bën më të lehta veprat dhe punët për robin ashtu sikurse ia bën atij më të lehtë braktisjen e veprave të këqija e të ndyra. Gjithashtu, ai e mban robin larg nga fitnet që ndodhin. Pra, veprat e ibadetit janë shumë të lehta për atë që është i sinqertë për Allahun në besimin dhe Teuhidin e tij për shkak se ai shpreson për shpërblimin dhe Kënaqësinë e Zotit të tij. Po ashtu, është shumë e lehtë për të që t’i braktisë gjynahet që ia do epshi i shpirtit të tij për shkak të frikës që ka nga Zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut.

 

8 – Nëse Teuhidi plotësohet i tëri në zemër, Allahu do ta bëjë zotëruesin e këtij Teuhidi që ta dojë besimin (Imanin) dhe ta zbukurojë atë në zemrën e tij. Po ashtu, Teuhidi do ta bëjë atë që ta urrejë kufrin (mosbesimin), gjynahet dhe mosbindjen dhe do ta bëjë nga ata që janë të udhëzuar drejt.

 

9 – Teuhidi do t’ia lehtësojë punët robit dhe do t’ia lehtësojë dhimbjet dhe mundimet. Sa më shumë Teuhid dhe Iman të plotë të ketë robi, aq më shumë ka për t’i pranuar me zemër të hapur, me qetësi, nënshtrim dhe kënaqësi çdo gjë të pakënaqshme që vjen nga Caktimi (Kaderi) i Allahut.

 

10 – Nga vlerat më të mëdha të Teuhidit është se ai e çliron robin nga robëria, ndjekja, frika dhe shpresa që mund të ketë te krijesat dhe të punuarit e çdo gjëje për hatrin e tyre dhe ky është thelbi i vërtetë i nderit dhe fisnikërisë. Me anë të kësaj ai do t’i robërohet me të vërtetë Zotit të tij, nuk do t’i mbajë shpresat tek askush tjetër përveç Tij, nuk do t’i frikësohet askujt tjetër përveç Tij dhe nuk do t’i mbështetet askujt tjetër përveç Tij. Nëpërmjet kësaj ai ka arritur suksesin dhe ngadhënjimin e vërtetë.

 

11 – Nga vlerat e Teuhidit që s’mund t’i ketë askush tjetër është se, nëse ai është i plotë në zemër dhe është i vendosur krejtësisht me sinqeritet të plotë, ai i shndërron veprat e vogla në të mëdha dhe i shumëfishon veprat dhe fjalët pa u munduar. Dhe e gjithë kjo është për shkak të sinqeritetit që gjendet në zemër. Sa të shumtë janë ata që e thonë atë por nuk e arrijnë një gradë të tillë ngase zemrat e tyre nuk e kanë të plotë Teuhidin dhe sinqeritetin që ka një person i tillë, apo diçka më poshtë se kaq.

 

12 – Allahu ka marrë përsipër që t’u dhurojë njerëzve të Teuhidit ngadhënjim, nder, fisnikëri, rrugët drejt udhëzimit, qetësisë, përmirësimit dhe rregullimit të çështjeve dhe palëkundshmëri në fjalë dhe vepra.

 

13 – Allahu i mbron Mu`uahidinët (njerëzit që i janë nënshtruar Teuhidit) dhe njerëzit e Imanit nga çdo e keqe në këtë botë dhe në botën tjetër dhe i begaton ata me një jetë të pastër që të ndihen të sigurtë nga Ai dhe ta përkujtojnë Atë.

 

Argumentet nga Kur'ani dhe Suneti për këto vlera janë të shumta dhe të mirënjohura dhe Allahu e di më së miri.”

 

Përktheu: Alban Malaj