Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 13

 

Emrat:

el-Khaalik (الْخَالِقُ) [Krijuesi],

el-Baari (الْبَارِئُ) [Ai që sjell gjithçka në ekzistencë],

el-Musauuir (الْمُصَوِّرُ ) [Formëdhënësi]

 

Allahu i ka përmendur së bashku të tre këto emra në Fjalën e Tij – i Pastër nga çdo mangësi është Ai! –:

﴿هُوَ اللَّهُ الْخَالِقُ الْبَارِئُ الْمُصَوِّرُ  لَهُ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى

“Ai është Allahu, Krijuesi (el-Khaalik), Ai që ka sjellë në ekzistencë gjithçka (el-Baari), Formëdhënësi (el-Musauir); Atij i përkasin emrat më të bukur.” [el-Hashr, 24]

Domethënë që Ai është uniku që ka krijuar të gjitha krijesat, Ai me Urtësinë e Tij solli në ekzistencë gjithçka që ekziston, si dhe Ai me precizionin dhe krijimtarinë e Tij të bukur u dha formë të gjitha qënieve. Pra, Ai i krijoi, i sajoi dhe i dha secilës natyrën e vet, secilën në kohën e përshtatshme për të. Ai i krijoi ato me përcaktim të shkëlqyer dhe i bëri në mënyrë të përkryer, pastaj i dha çdo krijese frymëzimin që të bëjnë atë që është në të mirën e saj. Ai çdo gjë e krijoi në formën që është e përshtatshme për të, pastaj udhëzoi çdo krijesë që të bëjë atë gjë për të cilën u formësua dhe u krijua.

Pra, “el-Khaalik” është Ai që i ka përcaktuar gjërat me masë, sipas Urtësisë së Tij, “el-Baari” është Ai që i solli ato në ekzistencë mbasi që ishin inekzistente, kurse “el-Musauuir” është Ai që u jep formë krijesave dhe qënieve, si të dojë Ai.

Kështu që, këto dy emra, “el-Baari” dhe “el-Musauuir”, siç ka thënë Ibën Kajjimi, përmbajnë shtjellim për emrin “el-Khalik”, sepse Allahu kur do të krijojë një gjë, e përcakton atë me diturinë dhe urtësinë e Tij, pastaj e krijoi atë, domethënë e solli në ekzistencë sipas përcaktimit dhe formës që dëshiroi dhe deshi i Përsosuri nga çdo mangësi.

Prandaj këto tre emra u renditën sipas radhës së tyre në ajet, i pari ishte krijimi, që është përcaktimi për ekzistencën e krijesës, pastaj bërja e saj, domethënë sjellja e saj në ekzistencë mbasi që ishte inekzistente, pastaj e bëri atë me formën që dëshiroi për të, i Përsosuri nga çdo mangësi.

 

Përktheu: Alban Malaj