Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 15-16

 

Emrat:

Er-Rezzaak (الرَّزَّاقُ) [Furnizuesi i gjithçkaje]

Er-Raazik (الرَّازٍقُ) [Furnizuesi]

 

Emri i Allahut “er-Rrazzak” është përmendur në Kur'anin fisnik vetëm në një vend, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿إِنَّ اللَّهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ

Me të vërtetë që Allahu është Furnizuesi, i Cili posedon fuqi të pathyeshme.” [edh-Dharijat, 58]

Ndërsa emri "er-Rraazik" është përmendur në trajtën e shumësit në disa vende; një prej tyre është Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿ وَاللَّهُ خَيْرُ الرَّازِقِينَ

Allahu është më i miri nga të gjithë furnizuesit.” [el-Xhumu'ah, 11]

Gjithashtu, ai është përmendur në Sunet (hadith), siç do të përmendet më vonë te emrat "El-Kaabid” dhe “El-Baasit".

Allahu - i Pastërti nga çdo mangësi - është Furnizuesi (err-Rrazzaak), që do të thotë se: Ai e ka marrë përsipër furnizimin e njerëzve; Ai e mban çdo gjallesë me furnizimin e përditshëm që ajo ka nevojë. Thotë i Lartësuari:

﴿وَمَا مِنْ دَابَّةٍ فِي الْأَرْضِ إِلَّا عَلَى اللَّهِ رِزْقُهَا

Çdo gjallese që është në tokë, Allahu e ka garantuar furnizimin e saj.” [Hud, 6]

Thotë i Lartësuari:

﴿وَكَأَيِّنْ مِنْ دَابَّةٍ لَا تَحْمِلُ رِزْقَهَا اللَّهُ يَرْزُقُهَا وَإِيَّاكُمْ 

E sa prej gjallesave nuk kanë mundësi ta sigurojnë furnizimin e tyre, kurse Allahu i furnizon ato edhe juve.” [el-Ankebut, 60]

Furnizimi i Allahut për robërit e Tij është dy llojesh:

I pari: Furnizimi i përgjithshëm, i cili përfshin të devotshmin dhe të shthururin, besimtarin dhe qafirin, të parët dhe të fundit, e ky është furnizimi fizik për ta. Thotë i Lartësuari:

﴿وَمَا مِنْ دَابَّةٍ فِي الْأَرْضِ إِلَّا عَلَى اللَّهِ رِزْقُهَا

“Çdo gjallese që është në tokë, Allahu ia ka garantuar furnizimin e saj.” [Hud, 6]

Duke u bazuar në këtë themi se: nëse dikush ka shumë si ky furnizimi në këtë botë, kjo nuk është argument se ai është i nderuar tek Allahu, ashtu siç nuk është argument furnizimi i pakët i ndonjërit, se ai është i pavlerë tek Allahu.

Thotë i Lartësuari:

﴿فَأَمَّا الْإِنْسَانُ إِذَا مَا ابْتَلَاهُ رَبُّهُ فَأَكْرَمَهُ وَنَعَّمَهُ فَيَقُولُ رَبِّي أَكْرَمَنِ وَأَمَّا إِذَا مَا ابْتَلَاهُ فَقَدَرَ عَلَيْهِ رِزْقَهُ فَيَقُولُ رَبِّي أَهَانَنِ

E sa për njeriun, kur Zoti i tij e sprovon duke e nderuar dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar!” Ndërsa kur e sprovon duke ia pakësuar furnizimin e tij, Ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar!” [el-Fexhr, 15-16]

Ky ajet do të thotë se: jo çdokush që Unë e kam begatuar në dynja është i nderuar tek Unë; e jo çdokujt që Unë i kam dhënë pak furnizim në dynja, është i poshtëruar tek Unë. Në të vërtetë, pasuria dhe varfëria, bollëku dhe pakica, janë sprovë dhe testim nga Allahu, që të dallohet se kush është falënderues e kush është mosmirënjohës, kush është durimtar e kush është jodurimtar.

I dyti: Furnizim i veçantë. Ky është furnizimi i zemrave dhe ushqimi i tyre me dije dhe iman.

Gjithashtu hyn furnizimi hallall që e ndihmon robin që të jetë në rregull me fenë e tij. Ky furnizim është i veçantë vetëm për besimtarët, në varësi të gradave të tyre, sipas Urtësisë dhe Mëshirës së Tij. Pastaj, Allahu - i Pastërti nga çdo mangësi - do ta plotësojë Bujarinë dhe Mirësinë e Tij ndaj tyre, duke i futur Ditën e Gjykimit në Xhenetet e begative. Thotë i Lartësuari:

﴿ وَمَنْ يُؤْمِنْ بِاللَّهِ وَيَعْمَلْ صَالِحًا يُدْخِلْهُ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا  قَدْ أَحْسَنَ اللَّهُ لَهُ رِزْقًا

E kush beson në Allahun dhe vepron vepra të mira, Ai do ta fusë atë në Xhennete nëpër  të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë në to përgjithmonë. E sa furnizim të mirë që i ka dhënë Allahu atij!” [et-Talak, 11]

 

Përktheu: Servet Mata