Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 27

 

Emrat:

el-‘Alijju (الْعَلِيُّ) [i Larti],

el-E’alaa (الْأَعْلَى) [Më i Larti],

el-Mute’aali (الْمُتَعَالِ) [i Lartësuari mbi të gjitha krijesat e Tij, me fuqinë dhe pushtetin e Tij]

 

Ka thënë i Lartësuari:

وَهُوَ ٱلۡعَلِيُّ ٱلۡعَظِيمُ٢

“Ai është i Larti, Madhështori.” [el-Bekarah, 255]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

سَبِّحِ ٱسۡمَ رَبِّكَ ٱلۡأَعۡلَى١

“Madhëroje emrin e Zotit tënd, më i Larti.” [el-E’alaa, 1]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

عَٰلِمُ ٱلۡغَيۡبِ وَٱلشَّهَٰدَةِ ٱلۡكَبِيرُ ٱلۡمُتَعَالِ٩

“Ai është që di me imtësi gjërat e padukshme dhe ato që janë të dukshme, i Madhi, i Lartësuari.” [err-Rra’d, 9]

Këto emra tregojnë për lartësinë absolute, në të gjitha aspektet dhe kuptimet e saj, sepse Ai është i Lartësuari me Veten e Tij, Ai është ngritur lart mbi Arsh, është lartësuar mbi të gjitha qeniet dhe është i ndarë nga ato. Ka thënë i Lartësuari:

ٱلرَّحۡمَٰنُ عَلَى ٱلۡعَرۡشِ ٱسۡتَوَىٰ٥

“I Gjithëmëshirshmi u ngrit lart mbi Arsh.” [Taha, 5]

Gjithashtu, i Lartësuari ka thënë në gjashtë ajete në Kur`an:

ثُمَّ ٱسۡتَوَىٰ عَلَى ٱلۡعَرۡشِ

“E pastaj Ai u ngrit mbi Arsh.” [el-E’araf, 54]

Domethënë që Ai u ngrit dhe u lartësua mbi Arshin me një lartësim që i takon Fisnikërisë, Përsosmërisë dhe Madhështisë së Allahut të Pastër nga çdo mangësi.

Gjithashtu, Ai është i Larti në veten e Tij, që është lartësia e cilësive të Tij dhe madhështisë së Tij, sepse cilësitë e Tij janë madhështore, askush nuk ka cilësi të ngjashme me to dhe askush nuk ka qoftë një cilësi të vetme që t’i afrohet cilësive të Tij. Madje robërit e kanë të pamundur që të perceptojnë qoftë edhe një cilësi të vetme nga cilësitë e Allahut.

Gjithashtu, Ai është i Lartë në sundimin e Tij, sepse Ai ka nënshtruar çdo gjë dhe që të gjitha krijesat i janë nënshtruar Atij. Pra, kontrolli i të gjitha krijesave është në Dorën e Tij, nuk lëviz asnjë krijesë dhe nuk qëndron në vend asnjë krijesë pa lejen e Tij. Çfarë dëshiron Ai ndodh e çfarë nuk e dëshiron Ai nuk ndodh.

Besimi në lartësinë e Allahut mbi krijesat e Tij, e bën robin që ta madhërojë Allahun dhe që të përulet para Atij dhe t’i nënshtrohet Atij, që ta pastrojë Allahun nga çdo mangësi apo e metë që i mveshin Atij, që t’ia dedikojë adhurimin me sinqeritet vetëm Atij, si dhe të qëndrojë larg nga të bërit Allahut shok e të barabartë. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

ذَٰلِكَ بِأَنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلۡحَقُّ وَأَنَّ مَا يَدۡعُونَ مِن دُونِهِۦ هُوَ ٱلۡبَٰطِلُ وَأَنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلۡعَلِيُّ ٱلۡكَبِيرُ٦٢

“Kjo ngaqë Allahu është i Adhuruari me të drejtë, ndërsa ata të cilët ju u luteni në vend të Atij, ata janë të kotë. E me të vërtetë që Allahu është i Larti, i Madhi.” [el-Haxh, 62]

 

Përktheu: Alban Malaj