Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 34-35

 

Emrat:

el-Hafiidhu (الْحَفِيظُ) [Ai që i ruan të gjitha krijesat e Tij në përgjithësi]

el-Haafidhu (الْحَافِظُ) [Ai që i ruan robërit e Tij besimtarë në veçanti]

 

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

إِنَّ رَبِّي عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٍ حَفِيظٞ٥٧

“Me të vërtetë që Zoti im është Ruajtës i gjithçkaje.” [Hud, 57]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

إِنَّا نَحۡنُ نَزَّلۡنَا ٱلذِّكۡرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ

“Me të vërtetë që Ne e zbritëm Përkujtuesin (Kur`anin) dhe padyshim që Ne jemi Ruajtësit e Tij.” [el-Hixhr, 9]

Këta dy emra madhështorë tregojnë që Allahu i Pastër nga çdo mangësi cilësohet me veprën e ruajtjes. Ruajtja e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij është dy llojëshe: e përgjithshme dhe e veçantë.

Ruajtja e përgjithshme është ruajtja e Tij për ta, duke ua lehtësuar atyre ngrënien, pirjen dhe ajrin; i ka udhëzuar ata tek ato gjëra që janë të dobishme për ta, ka caktuar dhe ka vendosur për ta domosdoshmëri dhe nevoja, e të gjitha ato përbëjnë udhëzimin e përgjithshëm, për të cilin ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:

﴿ الَّذِي أَعْطَى كُلَّ شَيْءٍ خَلْقَهُ ثُمَّ هَدَى

“Ai i cili i dha çdo gjëje krijimin që i takonte dhe pastaj e udhëzoi.” [Taha, 50]

Gjithashtu, Ai i ruan ata duke larguar prej tyre gjëra të ndryshme të urryera, të dëmshme apo të këqija. Kjo ruajtje e Allahut është për njerëzit e mirë dhe për njerëzit e prishur, madje edhe për kafshët dhe krijesat e tjera. Bijve të Ademit u janë caktuar melaike që t’i ruajnë ata, me urdhrin e Allahut, sikurse ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:

﴿لَهُۥ مُعَقِّبَٰتٞ مِّنۢ بَيۡنِ يَدَيۡهِ وَمِنۡ خَلۡفِهِۦ يَحۡفَظُونَهُۥ مِنۡ أَمۡرِ ٱللَّهِۗ

“Ai ka melaike që e përcjellin atë nga përpara e nga mbrapa, si dhe e mbrojnë atë ngaqë i ka urdhëruar Allahu.” [err-Rra’d, 11]

Domethënë që ata largojnë prej tij – me urdhrin e Allahut – çdo gjë që e dëmton atë, e cila patjetër që do ta kishte dëmtuar atë, po të mos kishte qenë ruajtja e Allahut.

Kurse ruajtja e veçantë është ruajtja që ia jep Allahu robërve të Tij të dashur, përveç ruajtjes së përgjithshme që u përmend më përpara, ngaqë Ai ua ruan atyre imanin nga dyshimet devijuese, nga fitnet rrëmbyese dhe nga epshet shkatërruese. Kështu pra, Ai u jep atyre mirëqënie duke i ruajtur nga të gjitha ato, si dhe duke i ruajtur nga armiqtë e tyre xhindë e njerëz e duke i ndihmuar kundër tyre. Ai i heq prej tyre komplotet e armiqve, e në varësi të imanit që ka robi, ashtu do të jetë edhe mbrojtja e Allahut për të.

Për këtë arsye, ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

احْفَظْ اللهَ يَحْفَظْكَ

“Ruaje Allahun që të të ruajë Allahu ty.”

[E ka transmetuar Ahmedi dhe Tirmidhiu.]

Domethënë: ruaji urdhrat e Allahut duke i zbatuar ato, ruaji ndalesat e Allahut duke qëndruar larg tyre, ruaji kufijtë e Allahut duke mos i shkelur ato, që Ai të të ruajë veten tënde, fenë tënde, pasurinë tënde, fëmijën tënd, si dhe çdo gjë tjetër që ta ka dhënë Allahu i Pastër nga çdo mangësi.

 

Përktheu: Alban Malaj