Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 37

 

Emri: “el-Hakiim” (الْحَكِيمُ) [Gjykuesi i Urtë]

 

Është përmendur emri i Allahut “el-Hakiimu” në Kur'anin Fisnik afërsisht njëqind herë. Ka thënë i Lartësuari:

﴿وَهُوَ ٱلۡحَكِيمُ ٱلۡخَبِيرُ١٨

“Ai është Gjykatësi i Urtë e i Mirëinformuar.” [el-En’am, 18]

Gjithashtu ka thënë i Lartësuari:

﴿وَٱللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ٢٢٨

“Allahu është i Plotfuqishëm, Gjykatës i Urtë.” [el-Bekare, 228]

Ky emër madhështor tregon për vërtetësinë e gjykimit të plotë dhe urtësisë së plotë të Allahut. Për sa i përket përsosmërisë së urtësisë, atë e tregon urtësia e Allahut të Pastër nga çdo mangësi, në krijimin e Tij, në urdhrin e Tij dhe në ligjin e Tij, sepse Ai i vendos çdo gjë në vendin e duhur dhe i zbret në vendin që u takon, e Atij nuk i drejtohet asnjë pyetje dhe nuk mund të qortohet urtësia e Tij me asnjë fjalë.

Ndërsa përsosmëria në gjykimin e Tij vërtetohet me faktin që gjykimi i takon vetëm Allahut dhe se Ai gjykon mes robërve të tij si të dojë, vendos për ta si të dëshirojë dhe askush nuk e kthen dot gjykimin e Tij dhe askush nuk i kundërvihet dot vendimit të Tij. Ka thënë i Lartësuari:

﴿إِنِ ٱلۡحُكۡمُ إِلَّا لِلَّهِۖ

“Me të vërtetë që gjykimi i përket vetëm Allahut.” [el-En’am, 57]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

﴿وَلَا يُشۡرِكُ فِي حُكۡمِهِۦٓ أَحَدٗا٢٦

“...dhe askush nuk është ortak në gjykimin e Tij.” [el-Kehf, 26]

Askush nuk mund t’i kthehet Allahut që Ai ta rishikojë gjykimin e Tij, njësoj siç bëjnë njerëzit që u kthehen njëri-tjetrit për gjykimet e tyre. Ka thënë i Lartësuari:

﴿وَٱللَّهُ يَحۡكُمُ لَا مُعَقِّبَ لِحُكۡمِهِۦۚ وَهُوَ سَرِيعُ ٱلۡحِسَابِ٤١

“Allahu gjykon, e s’ka kush që mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij. E padyshim që Ai e mbaron shpejt llogarinë.” [er-Ra’d, 41]

Pra, gjykimi i Tij te krijesat e Tij zbatohet menjëherë dhe askush nuk e kthen dot mbrapsht.

Pohimi i gjykimit për Allahun e Pastër nga çdo mangësi, përmban pohimin e të gjithë emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të larta, sepse nuk mund të jetë Gjykues i Urtë vetëm se ai që është Dëgjues dhe Shikues, i Gjithëdijshëm, i Mirëinformuar, Folës, Sistemues, si dhe të posedojë emrat dhe cilësitë e tjera.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri