Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 39

 

Emrat:

El-Keriim (الكَرِيمُ) [Bujari]

El-Ekrem (الأَكْرَمُ) [Bujari më i madh]

 

Emri “el-Keriim” është përmendur në tre vende në Kur'an. Ka thënë i Lartësuari:

وَمَن شَكَرَ فَإِنَّمَا يَشْكُرُ لِنَفْسِهِ ۖ وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ رَبِّي غَنِيٌّ كَرِيمٌ

“E ai që është mirënjohës, në të vërtetë ai është mirënjohës në të mirë të vetes së tij. Ndërsa kush është mosmirënjohës, le ta dijë se Zoti im është i Pasur, Bujar.” [en-Neml, 40]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

يَا أَيُّهَا الْإِنسَانُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ الْكَرِيمِ

“O ti njeri, çfarë të mashtroi ty që u largove prej Zotit tënd Bujar?” [el-Infitar, 6]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

فَتَعَالَى اللَّهُ الْمَلِكُ الْحَقُّ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ رَبُّ الْعَرْشِ الْكَرِيمُ

“Por i Lartësuar është Allahu, Sunduesi i vërtetë. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, Ai është Zoti i Arshit, Bujari.” [El-Mu'minun, 116]

Fjala “el-Keriimu” në këtë ajet, sipas atyre që e lexojnë me “dammeh” në fund, ka kuptimin e “Bujarit”.

Ndërsa sa i përket Emrit “el-Ekremu”, ai është përmendur në një vend të vetëm, që është Fjala e të Lartësuari:

اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ

“Lexo! Me të vërtetë që Zoti yt është Bujari më i madh." [el-'Alak, 3]

Ky emër vërteton cilësinë e bujarisë për Allahun e Plotfuqishëm e të Lartësuar. Fjala arabe “keram” (bujari) është një fjalë që përmbledh të gjitha gjërat e mira e të lavdëruara dhe nuk kufizohet vetëm te dhënia, porse dhënia është prej plotësimit të kuptimit të kësaj fjale. Prandaj janë transmetuar nga dijetarët fjalë të shumta në lidhje me kuptimin e këtij emri.

Kështu që, kanë thënë se kuptimi i emrit “Keriim” është: Ai që jep mirësi të shumta dhe është Dhurues.

Ka thënë gjithashtu: Ai që jep vazhdimisht mirësi.

Ka thënë gjithashtu: Ai që ka vlerë madhështore dhe pozitë të madhe.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që është i pastër nga mangësitë dhe gabimet.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që të nderon, të jep mirësi, të nderon më shumë se të tjerët.

Ka thënë gjithashtu: Ai që jep pa kërkuar gjë si këmbim.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që jep pa shkak.

Ka thënë gjithashtu: Ai që i jep atij që ka nevojë dhe atij që nuk ka nevojë.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që nëse premton e mban premtimin.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që i parashtrohet çdo nevojë, qoftë e vogël apo e madhe.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që nuk e humb personin që shpreson tek Ai dhe nuk e braktis atë që i mbështetet Atij.

Kanë thënë gjithashtu: Ai që nuk të dënon për gjynahet dhe t’i fal punët e këqija.

Janë thënë dhe kuptime të tjera në lidhje me këtë emër madhështor, e të gjitha ato janë të sakta, sepse ky emër është prej emrave të bukur që kanë kuptime të shumta dhe jo një kuptim të vetëm.

Nëse mediton në të gjitha kuptimet që janë thënë për këtë emër, atëherë do ta kuptosh se kuptimet madhështore dhe cilësitë fisnike që i meriton Allahu i Lartësuar, as që mund të llogariten dot.

 

Përktheu: Servet Mata