Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 91-92
Emri: القَابِضُ El-Kabid – Pakësuesi i furnizimit
Emri: البَاسِطُ El-Basit – Shtuesi i furnizimit
Këta dy emra kanë ardhur në Sunetin Profetik. Transmetohet në veprat “es-Sunen” dhe në veprën “el-Musned” të Imam Ahmedit, nga Enes ibën Maliki, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “U shtrenjtuan çmimet në kohën e të Dërguarit të Allahut, ﷺ dhe njerëzit i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të na i kishe ulur çmimet!” Ai tha: “Allahu është Krijuesi, el-Kabid, el-Basit, Furnizuesi dhe Ai që i cakton çmimet. Unë shpresoj që ta takoj Allahun dhe të mos më kërkojë askush për ndonjë padrejtësi që t’i kem bërë në gjak dhe pasuri.” [1]
Emri “el-Basit” do të thotë: Ai që ia shton furnizimin e Tij kujt të dojë nga robërit e Tij.
Emri “el-Kabid” do të thotë: Ai që ia pakëson apo e privon nga furnizimi i Tij cilit të dojë nga robërit e Tij, për një urtësi që e di Allahu dhe që është në dobi të atij njeriu.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿۞وَلَوۡ بَسَطَ ٱللَّهُ ٱلرِّزۡقَ لِعِبَادِهِۦ لَبَغَوۡاْ فِي ٱلۡأَرۡضِ وَلَٰكِن يُنَزِّلُ بِقَدَرٖ مَّا يَشَآءُۚ إِنَّهُۥ بِعِبَادِهِۦ خَبِيرُۢ بَصِيرٞ﴾
“Sikur Allahu t’ua shumonte furnizimin robërve të vet, ata do t’i kalonin kufijtë në tokë, por Ai e zbret furnizimin në bazë të masës që Ai dëshiron. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i shikon robërit e Tij.” Esh-Shura, 27
Fjala “el-kabd” që gjendet tek emri “el-Kabid” do të thotë pakësim dhe zvogëlim i furnizimit.
Fjala “el-best” do të thotë shtim dhe zgjerim i furnizimit.
I gjithë furnizimi është në Dorën e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit.
Pra, Ai është që shton të mirat (el-Basit), Ai që i pakëson të mirat (el-Kabid), Ai që e lartëson dikë (er-Rafië), Ai që e ulë dikë (el-Khafid), Ai që jep të mira (el-Muëtij), Ai që i ndalon të mirat (el-Manië), Ai që bën të fuqishëm dhe krenar dikë (el-Muiz), Ai që e poshtëron dikë (el-Mudhil). Ai nuk ka ortak dhe shok.
Shtimi dhe pakësimi i furnizimit që i atribuohet Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit, është përmendur në shumë tekste të Kuranit dhe Sunetit.
I Lartësuari ka thënë:
اللَّهُ يَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَنْ يَشَاءُ وَيَقْدِرُ وَفَرِحُوا بِالْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا فِي الآخِرَةِ إِلاَّ مَتَاعٌ
“Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë. Ata i gëzohen jetës së kësaj bote, kurse jeta e kësaj botë është një kënaqësi e përkohshme.” er-Rad, 26
Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:
إِنَّ رَبَّكَ يَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَنْ يَشَاءُ وَيَقْدِرُ إِنَّهُ كَانَ بِعِبَادِهِ خَبِيراً بَصِيراً
“Vërtet Zoti yt i shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson. Vërtet Ai është i Gjithëdijshëm dhe i shikon robërit e Tij.” El-Isra, 30
Të gjitha këto tekste dhe të tjera të ngjashme si këto, tregojnë se shtimi dhe pakësimi i furnizimit është i tëri në Dorën e Allahut, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit. Ai e kontrollon dhe e sistemon furnizimin. Ai i shton pasurinë, mirëqenien, jetën, diturinë, dhe jetën kujt të dojë dhe ai ia pakëson këto kujt të dojë. Ai është i Urti Absolut dhe i Gjithëdijshmi.
O Allah, na i shto begatitë e Tua, mëshirën Tënde mbi ne , mirësinë Tënde dhe furnizimin Tënd!
________
[1] Sunen Ebi Daud (3451), Sunen et-Tirmidhi (1314), Sunen Ibën Maxhe (2200), Musned Ahmed (3/156).
Përktheu: Jeton Shasivari