Bismilah...

Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli

 

 

Ajo që po përhapet nëpër lajme me të madhe, e që po u ndodh njerëzve tanë në Haleb, pa dyshim se e lëndon zemrën e besimtarit, për shkak se janë grumbulluar kundër tyre të ligët e dynjasë, siç janë qafirat dhe njerëzit e epsheve. Ata po përjetojnë një situatë shumë të vështirë dhe një agoni të madhe, ku armiqtë e tyre, nuk i përmbahen shenjtërimit të ndonjë gjëje. Ata nuk respektojnë as plakun e moshuar, as gruan e moshuar, as gruan shtatzënë, as fëmijën e vogël, as një adhurues që bën namaz. Ata po shfryjnë mllefin, zemërimin dhe sherrin që kanë kundër tyre. 

 

Unë po i bie shumë shkurt, duke treguar disa gjëra, që Muslimanët kanë nevojë për këtë situatë:

 

Xhihadi në rrugë të Allahut është nga adhurimet më të mëdha dhe më të vlefshme. Ky xhihad bazohet në argumente, e jo në emocione.

 

Çështja e parë:

Xhihadi në rrugë të Allahut, është një prej adhurimeve dhe është një adhurim fisnik; është një nga adhurimet më fisnike dhe më madhështore, si dhe më me vlerë dhe me shpërblim më të madh.

 

Ajo për të cilën kanë rënë në ujdi njerëzit e dijes është se, çdo adhurim nuk saktësohet, derisa të përmbushen kushtet e saj dhe të largohen pengesat. Andaj, adhurimi nuk bazohet në emocione dhe as në nevoja, porse bazohet në argumentet që tregojnë për të, siç janë parimet, si dhe bazohet në argumente që tregojnë për ndalesën e një adhurimi të caktuar. Kështu që, xhihadi nuk bazohet në ulërima e thirrje, dhe as nuk bazohet në emocionet e ndezura të njerëzve. Ai që është jashtë Sirisë, nuk i lejohet të shkojë në xhihad atje.

 

Njerëzit e dijes edukatorë, janë ata të cilëve u besohet çështja e xhihadit. Çështja e xhihadit, u besohet dijetarëve të mëdhenj, për sqarimin dhe aprovimin e tij, si dhe u besohet prijësve të Muslimanëve, për zbatimin dhe strategjinë e xhihadit. 

 

Ehli Suneti dhe Xhemati kanë ixhma (njëzëshmëri) se xhihadi vazhdon deri në Kijamet me çdo lloj prijësi (emir), qoftë ai i devotshëm (birr) apo mëkatar (faaxhir). Dijetarët edukatorë, e studiuan gjendjen që po ndodh në Siri, dhe dhanë fetva se ai që është jashtë Sirisë nga vendet e ndryshme, nuk i lejohet që të shkojë në Siri për të bërë xhihad, për shkak të disa gjërave:

 

E para:

Shumica e kushteve, për të cilat janë pajtuar dijetarët se janë të domosdoshme për atë që shkon atje për të kërkuar (xhihadin) – jo për atë që është sprovuar dhe ta largojë atë sprove – është se këto kushte, nuk përmbushen për ata që janë jashtë Sirisë. Kështu që, për ata nuk ka xhihad sheriatik – kam për qëllim ata që janë jashtë Sirisë.

 

E dyta:

Urtësia sheriatike e kërkon një gjë të tillë, ngase shkuarja e njerëzve në ato vende, i jep shkas armikut që t’i kalojë kufijtë në veprimet e tij, dhe është shkak që shtetet e botës të ndërhyjnë në këtë çështje (në luftë). Dhe kjo gjë (ardhja e tyre në Siri), e pengon atë që kanë marrë përsipër ta bëjnë disa prijësa të Muslimanëve – siç është Shërbëtori i Dy Haremeve të Shenjta, mbreti Selman, Allahu e ruajttë – për ta larguar këtë fatkeqësi nga Muslimanët.

 

E treta:

Çështja (e xhihadit) nuk është çështje numrash, por është çështje e përgatitjes dhe armatimit, me të cilat mund të largohet kjo padrejtësi. Dhe kjo nuk është e mundur për atë që vjen nga vendet tjera dhe futet në Siri.

 

Unë e kam ritheksuar kohë pas kohe se, ajo me të cilën e adhuroj Allahun e Plotfuqishëm e të Madhëruar – pasi që e kam studiuar këtë çështje (për pjesëmarrjen e të huajve në luftën e Sirisë) dhe dija të cilën po e themi sot, për të cilën do të japim llogari nesër, kur të dalim para Allahut, të Plotfuqishëm e të Madhëruar – se ai që është brenda Sirisë (jo i ardhur nga jashtë) dhe i mbron Muslimanët me nijet për ta ngritur Fjalën e Allahut dhe për t’i mbrojtur vëllezërit e tij, kjo është xhihad për të në rrugë të Allahut. Kurse, ai që është jashtë Sirisë nga vendet e ndryshme, nuk i lejohet të shkojë në Siri për të luftuar dhe të marrë pjesë në luftë.

 

Këtë e themi duke u bazuar në atë që e kemi mësuar nga njerëzit e diturisë dhe fikhut të katër medh’hebeve, si dhe të tjera; ajo që kemi mësuar nga studimi dhe vështrimi i argumenteve dhe aktualitetit. 

Të gjithë Muslimanët e kanë detyrë që të ndjejnë dhimbje, dhe assesi të mos dëshpërohen nga përgjigja e Allahut për lutjet e tyre.  

 

Çështja e dytë:

Të gjithë Muslimanët e kanë detyrë – udhëheqës dhe qytetarë – ta ndjejnë atë që i ka kapluar vëllezërit e tyre në Haleb, dhe të shprehin dhimbje për këtë, të mos pajtohen me këtë, sepse kjo është nga detyrat me të cilat Sheriati na ngarkon të gjithë neve. Çdonjëri nga ne, e ka detyrë ta bëjë atë që është e mundur dhe e ligjëruar me Sheriat, për t’i ndihmuar vëllezërit e tij, dhe njëra prej ato është lutja. T’i shpeshtojmë lutjet për ta.

 

Unë vërtet habitem me ata njerëz që i përkatësohen Islamit dhe thonë: “Ju i ndaloni njerëzit që të shkojnë në xhihad dhe i urdhëroi të bëjnë lutje!” Duaja (lutja) – pasha Allahun – është nga ushtritë shkatërrimtare më të forta, dhe është më e fortë se armët vrasëse. E si të mos jetë kështu, kur ti me lutjen tënde kërkon ndihmë prej Allahut – të Plotfuqishmit e të Madhëruarit – i Cili nëse do, ua kthen armët e qafirëve kundër vetes së tyre dhe i shkatërron njëherë e mirë.

 

Andaj, lutja është nga armët më të mprehta, më të forta dhe më të mëdha, të cilën gjë ne e kemi të ligjësuar me Sheriat – o robërit e Allahut –  të lutemi për vëllezërit tanë, që Allahu t’ua largojë këtë fatkeqësi. Të lutemi kundër armiqve të tyre për shkatërrim, dënim, poshtërim dhe nënçmim.

 

Neve e kemi detyrë – o ju dashurit e mi për hir të Allahut – t’i shtojmë lutjet. Unë vërtet habitem, me njerëzit që nuk luten për vëllezërit e tyre, në lutjet e tyre të fshehta, në namazin e tyre, dhe fajësojnë ata që nuk bëjnë duanë e kunutit (gjatë namazit të vitrit), dhe luten në kunut për vëllezërit e tyre. Duaja e kunutit në raste fatkeqësie (e cila bëhet nëpër xhamia pas imamit, bashkë me xhemat, në namazin e vitrit) – sipas mendimit më të saktë të njerëzve të dijes – është në dorën e udhëheqësit të Muslimanëve, në bazë të dobive që sheh ai. Kurse për lutjen që bëhet në vete, nuk ka ndonjë pengesë apo ndalesë.

 

Ne e kemi detyrë, që të lutemi për vëllezërit tanë dhe t’i shtojmë lutjet. Të mos dëshpërohemi kurrë për përgjigjen e saj, sepse Allahu ka urtësi, Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar –  dëgjon çdo gjë, i dëgjon lutjet tona dhe Ai na ka premtuar se do të na përgjigjet. Ai – i Pastri nga çdo mangësi – është i Urti që posedon urtësi të përsosur, nëse Ai bën diçka, nuk e dëshiron këtë vetëm se për një urtësi të caktuar. Ashtu siç na takon neve që t’i ndihmojmë vëllezërit tanë në Haleb, brenda mundësive tona, siç janë ndihmat financiare brenda rregulloreve të çdo shteti. Në duhet të nxitojmë në dërgimin e ndihmave financiare, sipas rregullave që ka vënë çdo shtet, për te vëllezërit tanë në Haleb dhe anët e tjera të Sirisë, të cilën e sulmojnë tiranët.

 

Andaj, e kemi obligim – o ju vëllezër – që t’i përmbahemi Sheriatit të Allahut, e të mos jepemi pas emocioneve. Të bëjmë aq sa kemi mundësi, për t’i ndihmuar vëllezërit tanë përmes rrugëve që janë të ligjësuara me Sheriat, me të cilat i realizojmë synimet dhe i largojmë dëmet.

 

Lus Allahun – të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin – me Emrat e tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta, Ai është i Fuqishmi, Ndëshkuesi i Ashpër – e lus Allahun që t’i ndihmojë vëllezërit tanë të shtypur në Haleb dhe në Siri; t’u japë fuqi atyre dhe t’ua largojë fatkeqësitë; t’ua thyejë qafën armikut të tyre; të na ndihmojë neve që të kapemi pas Sheriatit të Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar – dhe të na ndihmojë që të kapemi pas asaj që ne e kemi detyrë, dhe të na bëjë të mundur neve për t’i ndihmuar vëllezërit tanë në Siri dhe gjetkë. 

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari