Autor: Shejkh Muhamed bin Ibrahim
Burimi: Fetaua ue Resail li Shejkh Muhamed bin Ibrahim, vëll. 8, fq. 116-117, pyetja 1947.
“...loja e futbollit, tani në këtë kohë, është e shoqëruar me gjëra të qortuara, gjë që kërkon nevoja që ajo të ndalohet. Këto gjëra mund t’i përmbledhim në pikat në vazhdim:
1 – Është vërtetuar tek ne se ushtrimi i kësaj loje në kohët e namazit bëhet shkak i lënies së namazit nga ana e lojtarëve dhe spektatorëve, apo lënies së namazit me xhemat apo vonimit të kryerjes së tij në kohën e vet. Nuk ka dyshim se është haram çdo punë që të pengon nga falja e namazit në kohë apo humbja e faljes së tij me xhemat përderisa nuk ka ndonjë arsye sheriatike.
2 – Natyra e kësaj loje shpie në ndarje, nxitje të trazirave dhe mbjellje të urrejtjes. Këto janë rezultate që bien ndesh me atë në të cilën thërret Islami, e që është obligimi i faljes, tolerancës, vëllazërisë, dëlirjes së shpirtit dhe brendisë nga inatet, mllefet dhe grindjet.
3 – Kjo lojë përmban rrezik fizik për lojtarët si rrjedhojë e përplasjeve dhe dëmtimeve. Kështu që, zakonisht, nuk mbaron kjo lojë vetëm se ndonjëri nga lojtarët bie pa ndjenja në fushë, apo thyen këmbën ose dorën. Nuk ka dëshmi më të qartë për ta vërtetuar këtë fakt se vet domosdoshmëria e pranisë së ambulancës, e cila qëndron në gatishmëri pranë tyre gjatë kohës së lojës.
4 – Nga ajo që u tha më lart, mësuam se qëllimi i lejimit të lojërave sportive është aktiviteti fizik, stërvitja për luftë dhe mënjanimi i sëmundjeve kronike. Por, futbolli, tani në këtë kohë, nuk ka një synim të këtillë. Siç u tha më lart, kjo lojë shoqërohet me uzurpim të pasurisë me pa të drejtë, ta lëmë anash ekspozimin ndaj dëmtimeve fizike dhe mbjelljen e urrejtjes në shpirtrat e lojtarëve dhe spektatorëve si dhe nxitjen e trazirave. Madje, situata del jashtë kontrollit, kur disa spektatorë marrin guximin të sulmojnë lojtarin apo ta vrasin atë. Siç ndodhi në një ndeshje që u mbajt në një qytet para një muaji dhe mjafton vetëm kjo për ta ndaluar këtë lojë.
Prej Allahut vjen suksesi.
Esselamu alejkum...
Muftiu i trojeve të Saudisë
13/8/1387 H.
Përktheu: Jeton Shasivari