Bismilah...

Të nderuar të pranishëm, dijeni se shpikjet moderne janë mirësi dhe janë të dobishme, nëse ato përdoren në mënyrën e saktë. Prej atyre është edhe kjo që ka dalë këto ditë sot, në kohën tonë, e cila quhet “Inteligjenca Artificiale”. Kjo gjë e re është shumë e dobishme, nëse ajo përdoret në mënyrën e saktë. Prej përdorimit të dobishëm të kësaj shpikjeje është se, nxënësi i diturisë kur dëshiron që të mbajë një ligjëratë për një temë të caktuar, ai i drejtohet “Inteligjencës Artificiale”, kurse ajo ia tubon atij lëndën akademike që i nevojitet dhe pastaj e ndan ligjëratën në disa pjesë përbërëse. E pikërisht kjo gjë është e dobishme për nxënësin e dijes. Por ama nxënësi i dijes duhet të bëjë kujdes që të sigurohet për autenticitetin e lëndës akademike.

 

Pastaj, këto shpikje e zbulime shkencore, nuk lejohet që të bëhen shkak për të abuzuar me fenë, si për shembull, dikush e përdor këtë “Inteligjencë Artificiale” për të prodhuar fjalime të disa dijetarëve që kanë vdekur, për çështje aktuale që kanë ndodhur mbas vdekjes së tyre. Për shembull, ata kanë bërë një audio sikur po flet Shejkh Ibën Bazi, Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm pastë mëshirë për të! Ose bëjnë audio sikur po flet Albani, Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm pastë mëshirë për të! Ose bëjnë audio sikur po flet Shejkh Ibën ‘Uthejmini, Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm pastë mëshirë për të! Në këto audio flasin ata që paraqiten sikur të jenë këta dijetarë, të cilët flasin për çështje aktuale dhe emergjente! Por kjo është haram, edhe nëse fjala që thonë ata është hak! Ama si është çështja me atë që na kanë transmetuar neve, se dikush paska prodhuar audio apo video, me zërat e atyre dijetarëve, kinse ata po i përkrahin gjërat që po bëjnë ata, ndërkohë që ata dijetarë nuk i kanë thënë kurrë këto fjalë! Me të vërtetë që kjo është – pasha Allahun! – prej gënjeshtrave më të shëmtuara dhe konsiderohet gënjeshtër ndaj dijetarëve të vdekur, madje konsiderohet gënjeshtër ndaj Allahut të Patëmeta e të Lartësuar, ngaqë ata ia mveshin këto fjalë fesë, e cila është feja e Allahut të Patëmeta e të Lartësuar.

 

Gjithashtu, më kanë transmetuar se disa muslimanë kanë filluar të futen në “Inteligjencën Artificiale” dhe aty sqarojnë gjendjen në të cilën ndodhen, pastaj kërkojnë nga “Inteligjenca Artificiale” që të shpikë për ta një dua që të jetë e përshtatshme për gjendjen e tyre. Kështu, “Inteligjenca Artificiale” cakton për ta një dua që duhet ta bëjnë. Kjo gjë, nëse nuk është bidat që në fillim, prapëseprapë kjo gjë është rrugë që të shpie në bidat. E nuk ka dyshim që kjo gjë është kalim i kufijve të duasë, kurse kalimi i kufijve të duasë është shkak për ndalimin e pranimit të duasë.

 

Madje më kanë transmetuar se disa muslimanë hyjnë në “Inteligjencën Artificiale” dhe aty përmendin gjendjen e tyre, pastaj kërkojnë nga kjo “Inteligjenca Artificiale” që ajo të bëjë dua për ta dhe pastaj bën dua për të kjo “Inteligjenca Artificiale”! Por s’ka dyshim që kjo është bidat dhe tallje me duanë. Ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –: “Duaja pikërisht është adhurimi!”

 

Ndërsa që të futet njeriu te kjo “Inteligjenca Artificiale” dhe të përmendë gjendjen e tij dhe pastaj të kërkojë nga kjo “Inteligjenca Artificiale” që t’i tregojë atij duatë që kanë ardhur në hadithe, të cilat përshtaten me gjendjen e tij, kurse ajo ia tregon atij duatë e sakta që kanë ardhur në hadithe, pastaj ai lutet me ato dua, kjo gjë s’ka problem sepse lutja me duatë që kanë ardhur në hadithe, është prej shkaqeve që kanë gjasa për pranimin e duasë.

 

Kur njeriu kërkon të njohë se cilat janë duatë që kanë ardhur në hadithe, të cilat përshtaten me gjendjen e tij, si për shembull sëmundja apo kërkimi i fëmijës apo për gjëra të tjera të ngjashme, kjo është një gjë e mirë. E njëjta gjë është nëse pyet ndonjë dijetar apo i referohet ndonjë libri apo diçkaje tjetër të dobishme.

 

E rëndësishme është se, unë i këshilloj muslimanët dhe muslimanet që të evitojnë abuzimin me fenë e Allahut të Plotëfuqishëm e të Madhërishëm nëpërmjet këtyre shpikjeve, kurse shfrytëzimi i këtyre shpikjeve për gjëra që kanë dobi dhe përfitime dhe që janë të drejta, atëherë kjo është diçka e mirë.

 

 

Përktheu: Alban Malaj