Bismilah...

Autor: Ahmed ibën Jahja en-Nexhmi

Burimi: http://www.ajurry.com/vb/showthread.php?t=88

Pyetja 42:

Shejkh i nderuar Ahmed bin Jahja en-Nexhmi, Allahu ju ruajttë. Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, më tej:

Shejkh i nderuar! Kohët e fundit, flitet shumë rreth atyre që quhen ilahije islame (enashid islamijeh). Ka nga njerëzit që i përkrahin (ilahijet) dhe ka nga ata që i kundërshtojnë. Shpresojmë nga Shkëlqesia juaj që të na jepni një fjalë të prerë për këtë çështje. Cila është këshilla juaj për atë që i edukon gjeneratën e të rinjve me këto ilahije dhe i nxit që t’i dëgjojnë ato, si dhe thotë se janë më të mira se këngët? Na mundësoni të përfitojmë për këtë çështje. Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Lavdërimi i takon Allahut, lëvdata dhe shpëtimi është për të Dërguarin e Allahut, për familjen e tij dhe shokët e tij.

Më tej:

Këto që i quajnë “ilahije Islame” janë bidat, dhe çdo bidat është devijim, e çdo devijim është në zjarr, siç ka treguar i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Sepse në këtë çështje ata ndjekin rrugën e Sufistëve në këndimet e tyre. Ibën Kajjimi ka folur shumë duke i kritikuar ata (Sufistët) përmes poezive dhe prozave. Po ashtu i ka kritikuar edhe Ibën Xheuzij në librin e tij “Nakdu el-Ilm ue el-Ulema.” Hamud et-Tuejxhri ka një shkrim akademik për aktrimin dhe mendoj se i përmend (duke i refuzuar) edhe ilahijet [1]. Ibën Xheuzij në librin e tij që u përmend më parë rrëfen nga Shafiju se ka thënë:

“Kam parë njerëz zindikë (të dalë nga feja) në Irak, të cilët kishin shpikur diçka që e quanin “tag-jiir” (zgjatje e zërit me këndim dhe melodi) dhe përmes këtyre i largonin njerëzit nga Kurani duke i bërë të shkujdesur ndaj tij.”

Ata i quajnë këto këndime: nashide (ilahijeh) të asketizmit (zuhd), ku pretendojnë se përmes këtyre e ndryshojnë gjendjen e njerëzve. Pra, i nxisin ata për asketizëm dhe adhurim dhe i paralajmërojnë nga shkujdesja. Shafiu i quajti ata zindika dhe tha se ata i bëjnë njerëzit të shkujdesur përmes këtyre ilahijeve.

Ilahijet kanë hyrë tek ata përmes sektit të sufistëve, në të cilin sekt besonte Hasan el-Bena dhe bëri besëlidhje për të. Pastaj, këto ilahije kaluan tek pasuesi e tij (Hasan el-Benas). Ai që është nga njerëzit e bidateve, është trashëgimtar i njerëzve të bidateve dhe do të ringjallet me ta, kurse ai që është nga njerëzit e Sunnetit (Ehli-Sunneh) është trashëgimtar i Ehli Sunnetit.

Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – atij personit i cili e pyeti për Kijametin, i tha:

“Çfarë ke përgatitur për të?” e ai tha: “Nuk kam përgatitur për të ndonjë vepër të madhe përveç se unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha atij: “Ti do të jesh me atë që e do.”

Pra, ai që e do Allahun, të Dërguarin e tij dhe Sahabët, le të kapet për sunneti, meqë ajo është rruga në të cilën ishin Sahabët. Kurse ai që i do bidatçijtë, do të ringjallet me ta.

Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar ka thënë:

احْشُرُوا الَّذِينَ ظَلَمُوا وَأَزْوَاجَهُمْ وَمَا كَانُوا يَعْبُدُونَ ﴿٢٢﴾ مِن دُونِ اللَّـهِ فَاهْدُوهُمْ إِلَىٰ صِرَاطِ الْجَحِيمِ ﴿٢٣﴾ وَقِفُوهُمْ ۖ إِنَّهُم مَّسْئُولُونَ ﴿٢٤﴾ مَا لَكُمْ لَا تَنَاصَرُونَ ﴿٢٥﴾ بَلْ هُمُ الْيَوْمَ مُسْتَسْلِمُونَ ﴿٢٦﴾

(Do t’u thuhet melekëve): Mblidhini ata që ishin zullumqarë, bashkë me shoqërinë e tyre dhe me ata që i adhuronin pos Allahut. Drejtojini ata drejt rrugës për në Xhehenem. Ndalini ata, sepse do te merren në përgjegjësi. Ç’keni që nuk ndihmoni njëri-tjetrin (siç bënit në dunja)? E ata atë Ditë, do të jenë të dorëzuar.” Saffat, 22 – 26

Dhe domethënia e fjalës “ezuaxhehum – shoqëria e tyre” do të thotë të ngjashmit me ta. Pra, çdokush që i ngjan dikujt, i bashkëngjitet atij që i përngjan. Kështu, mushrikët do t’u bashkëngjiten mushrikëve, bidatçijtë do t’ju bashkëngjitet bidatçijve; Khauarixhët – të cilët kanë mendimin se lejohet rebelimi kundrejt udhëheqësve Muslimanë, i shpallin qafira ata që bëjnë mëkate të mëdha dhe thonë se janë përjetësisht në zjarr – do t’u bashkëngjiten të ngjashmëve të tyre.

Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë për Khauarixhët se janë qentë e zjarrit. Abdullahu i biri Ahmed bin Hanbel ka transmetuar në librin “es-Sunneh” të tij (Imam Ahmedit):

“Më ka treguar Ebu Kamil, na ka treguar Hammad, pra Ebu Selemeh, nga Seid bin Xhuhman, se ka thënë: “Khauarixhët më ftonin saqë për pak nuk iu bashkëngjita atyre. Motra e Ebu Bilalit pa në ëndërr Ebu Bilalin (vëllain e saj) se ishte (shndërruar) në një qen leshatak, me sy të zi që i lotonin, ajo i tha: “Bëfsha kurban babain për ty (shprehje që thuhet si respekt dhe dashuri për tjetrin., sh.p.)! Ç’është puna jote që je katandisur kështu?” Ai tha: “U bëmë qenë të zjarrit pas jush.” Ebu Bilal ishte nga kokat e Khauarixhëve.”

Ajo që është e rëndësishme është se çdo pasues (i një kategorie të caktuar njerëzish) do të bashkohet me të ngjashmit e tyre, pastaj do të drejtohet për në zjarr. Ndërsa pasuesit e sunnetit që pasojnë gjurmët e atyre që ecin përkrah argumentit, do të shkojnë andej nga shkojnë ata. Ata ecin me argumentin ku do që të jetë ai; qëndrojnë me argumentin aty ku ndalet ai. Ata janë me Pejgamberin e tyre dhe shokët e tij derisa të hyjnë në Xhenet.

Andaj, o ju të rinj! Të mos ju mashtrojnë mashtruesit, të mos ju fusin në kurthe kurthngritësit, dhe kështu t’ju privojnë nga sunneti, nuhatja e erës së tij, ndenjja nën hijen e tij dhe pirja nga nektari i tij. Pasha Allahun! Kini mëshirë për veten tuaj. Kthehuni Zotit tuaj dhe menhexhit të Pejgamberit tuaj. Aty është shpëtimi, dhe çdo gjë tjetër pos atij (menhexhit të Pejgamberit) është devijim dhe shkatërrim. Kjo është këshilla ime për ju. Pra, nëse doni, pranojeni atë apo refuzojeni. Unë jam i sigurt se ju do të ndjeni keqardhje nëse e refuzoni atë.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَيَوْمَ يَعَضُّ الظَّالِمُ عَلَى يَدَيْهِ يَقُولُ يَا لَيْتَنِي اتَّخَذْتُ مَعَ الرَّسُولِ سَبِيلًا ﴿٢٧﴾ يَا وَيْلَتَى لَيْتَنِي لَمْ أَتَّخِذْ فُلَانًا خَلِيلًا ﴿٢٨﴾ لَّقَدْ أَضَلَّنِي عَنِ الذِّكْرِ بَعْدَ إِذْ جَاءَنِي وَكَانَ الشَّيْطَانُ لِلْإِنسَانِ خَذُولًا

“Atë ditë zullumqari do t'i kafshojë duart e veta dhe do të thotë: "I mjeri unë, ta kisha marrë rrugën e Pejgamberit!" O shkatërrimi im, ah sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më largoi mua prej përkujtuesit (besimit në Allahun dhe Kuranit) pasi që ai më erdhi mua. Shejtani është ai që e poshtëron njeriun (duke e larguar njeriun nga e vërteta dhe duke e zhytur atë në të kotën).” El-Furkan, 27-29

Kurse ata që i thërrasin për te këto bidate (ilahije), u mjafton atyre se janë thirrës për në Zjarr. Kurse fjala e tyre se ato (ilahijet) janë më të mira se këngët, për këtë unë them:

Këngët janë mëkat dhe ai që këmbëngul (në dëgjimin) e tyre është fasik (bën mëkat të madh), ndërsa ilahijet janë bidat dhe ai që këmbëngul (në dëgjimin) e tyre është bidatçi. Andaj, fasiku është më pak i keq se bidatçiu, ngase fasiku e di që po gabon e ndoshta një ditë kthehet e pendohet. Nga ana tjetër, bidatçiu mendon se është në të vërtetën dhe në mirësi, për këtë arsye sheh se ai vazhdon në atë që po bën deri në vdekje, përveç atë që Allahu do që ta shpëtojë dhe ia bënë të lehtë që dikush t’ia çelë sytë (duke ia bërë të qartë të vërtetën), ta udhëzojë që të pendohet e të kthehet tek Allahu, kështu ai pendohet. Kjo që thamë ne është ajo që ndodh më së shumti.

[1] (Shënim i përkthyesit): Libri i Shejkh Hamud et-Tuejxhrit titullohet: “Ikametu Delil ‘ala el-Men’i min el-Enashid el-Mulahhineh ue et-Temthil - إقامة الدليل على المنع من الأناشيد الملحنة والتمثيل

Përktheu: Jeton Shasivari