Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 5, fq. 594

 

Pyetje:

Mësimi që mbahet para ezanit në ditën e Xhuma, çfarë gjykimi ka? Po ashtu, çfarë gjykimi ka nëse ky mësim përsëritet vazhdimisht?

 

Përgjigje:

Për sa i përket mësimit të veçantë që bëhet midis një dijetari dhe nxënësve të tij, për këtë nuk ka ndonjë problem. Përndryshe ai (Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka ndalur që njerëzit të mblidhen për të mësuar në xhami (para namazit të xhumasë) ditën e Xhuma [1] nëse i ngushton ata që do vijnë në xhami për të falur xhumanë.

Por, nëse ky mësim është i përgjithshëm, pra që mësimi të mbahet me altoparlantë, që të mbahet për të gjithë të pranishmit në xhami, atëherë kjo është vepër e keqe (munker) dhe bidat.

(1) Fakti se pse kjo vepër është munker, është se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i qortoi Sahabët kur pa se ata faleshin grupe-grupe dhe lexonin Kuran me zë të lartë, duke u thënë: “Çdonjëri prej jush le t’i lutet Zotit me zë të ulët dhe mos e pengoni njëri-tjetrin duke e ngritur zërin.” Sepse nëse ndonjëri e ngrit zërin, u pengon të tjerëve. Për nga ky aspekt, kjo vepër është munker, ngaqë ka njerëz që duan të lexojnë Kuran, ka njerëz të tjerë që duan të falin namaz vullnetar (nafile), ka të tjerë që duan të bëjnë tesbih (të thonë SubhanAllah – i Pastër është Allahu nga çdo mangësi dhe gabim), tehlil (të thonë la ilahe il-Allah – nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut), tekbir (të thonë Allahu Ekber – Allahu është më i madhi), jo të gjithë njerëzit duan ta dëgjojnë atë që flet, dhe kështu ky që flet, i pengon ata. Mu për këtë arsye, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ndaloi Sahabët që të lexonin me zë të lartë në prani të njëri-tjetrit.

(2) Fakti tjetër se përse kjo vepër është bidat, është se kjo nuk është bërë në kohën e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – e ai ishte njeriu më i zellshëm për ta përcjellë mesazhin e fesë dhe kjo gjë nuk ndodhi në kohën e tij. Për arsye se përkujtimi i njerëzve dhe këshillimi i tyre do të bëhet përmes hutbes sheriatike kur të prezantojë Imami.

Këshilla ime për vëllezërit e mi kudo qofshin nëpër vendet Islame, të cilët i mbajnë këto mësime, është që ta lënë këtë vepër për hir të Allahut dhe duke kërkuar afrim tek Ai; nëse duan që t’i këshillojnë njerëzit me mësimet e tyre, le ta bëjnë këtë në një kohë tjetër në varësi të nevojës dhe rrethanave.

____________________

[1] (Shënim i përkthyesit):

Transmetohet nga Abdullah ibën Amër el-‘As – radijAllahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka ndaluar shitblerjen në xhami, të kërkohet dhe të pyetet për një send të humbur brenda në xhami, të recitohet poezi dhe ka ndaluar që të mblidhen njerëzit para namazit të xhumasë.” Transmeton Ebu Daudi, nr. 1079. Shejkh Albani e ka shpallur këtë hadith “Hasen

Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad – Allahu e ruajttë – në shpjegimin e këtij hadithi në  Sunenin e Ebu Daudit në kapitullin “Nehju Tehal-luki kable Salatil Xhumu’ahNdalimi i Mbledhjes para Namazit të Xhumasë”, thotë:

“Me fjalën mbledhje (et-tehal-luk) këtu është për qëllim grumbullimi i njerëzve në xhami për të mësuar një çështje të fesë para namazit të Xhumasë. Për arsye se, njeriu e ka detyrë që kur të vijë në xhami (ditën e Xhuma), të angazhohet duke e përmendur Allahun, të lexojë Kuran, të fal namaz (vullnetar). Por që të ulet në xhami në këtë kohë dhe t’u mësojë të tjerëve një çështje të fesë, me këtë që bën i pengon njerëzit që të falin namaz dhe të përmendin Allahun. Sahabët e të Dërguarit të Allahut – ‘alejhi salatu ue selam - kur vinin herët në xhami për namazin e xhumasë, falnin namaz aq sa kishte caktuar Allahu për ta, pastaj uleshin dhe nuk ngriheshin vetëm se për namazin e xhumasë. Mbajtja e mësimeve para namazit të xhumasë, i largon njerëzit nga përmendja e Allahut dhe namazi. Po ashtu, me mbajtjen e mësimit, ata i shkëpusin rreshtat e namazit dhe i pengojnë që t’i plotësojnë rreshtat me radhë duke u nisur nga i pari; i largojnë njerëzit nga përmendja e Allahut, leximi i Kuranit dhe namazi. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ndaloi këtë gjë, porse ndalesa është e kufizuar vetëm para namazit të xhumasë, kurse pas namazit, nuk ka ndonjë problem që të mbahet mësim. E gjithë kjo tregon se ndalesa është vetëm para namazit.”

Burimi: Sherhu Suneni Ebi Daud, 11/136

 

Përktheu: Jeton Shasivari