Bismilah...

nga Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani

[es-Silsiletud-Da’ifeh, Vëll. 1, n. 110, dhe n. 117]

 


Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani ka thënë në Silsiletud-Da’ife (1/110) në verifikimin e Hadithit:

“Çfarë përkujtuesi i mrekullueshëm që janë tespijet (subhah).”

[Hadith Meudu’- i Shpikur]

Atëherë, vërtet ky hadith, për sa i përket kuptimit të tij, është i pavërtetë sipas mendimit tim për disa arsye:

Së pari: Se tespijet janë një bidat që nuk kanë ekzistuar në kohën e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ato u shpikën pas tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kështu që si mund të mendohet se ai i inkurajoi shokët e tij që të bënin një gjë të cilën ata nuk e njihnin fare (d.m.th. ata nuk i njihnin fare tespijet)? Dhe argumenti për atë që kam përmendur është ajo që ka transmetuar Ibn Ueddah në el-Bid’a uen-Nehji anha (Bidatet dhe Ndalimi i tyre), nën autoritetin e Salt Ibn Bahram, i cili ka thënë: “Ibn Mes’udi kaloi pranë një gruaje që kishte tespije të cilat i përdorte për t’i bërë tesbih Allahun, kështu që ai ia këputi dhe i hodhi poshtë ato. Pastaj ai kaloi pranë një burri që po i bënte tesbih Allahut duke përdorur guralecë, kështu që ai i hodhi ata me këmbën e tij dhe i tha: “Vërtet të gjithë ju keni dalë përpara, jeni futur gabimisht në bidat dhe vërtet ua keni kaluar në dije shokëve të Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”

Dhe zinxhiri i transmetuesve të këtij transmetimi është i saktë (Sahijh) deri tek es-Salt (Ibn Bahram) i cili është i besueshëm, nga pasuesit e Tabi’inëve (Etba’ut-Tabi’ijn).

Së dyti: Se ato bien në kundërshtim me udhëzimin e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Abdullah bin ‘Amr ka thënë: “E pashë të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke i numëruar tesbihët që i bënte Allahut me dorën e tij të djathtë.”

El-Albani ka thënë gjithashtu (1/117): Dhe sikur të mos kishte gjë tjetër tek tespijet përveç një të keqeje, dhe ato ia kanë kaluar Sunetit, i cili është duke i numëruar me dorë, ose thuajse ia kanë kaluar – megjithë pajtimin e tyre se gishtërinjtë janë më mirë – atëherë kjo (e keqe e vetme) do të ishte e mjaftueshme. Sepse vërtet, rrallë ndodh që të shoh ndonjë plak të moshuar që t’i numërojë tesbihët që i bën Allahut me gishtat e tij!

Atëherë, vërtet njerëzit janë specializuar në shpikjen e gjërave krahas kësaj shpikjeje. Kështu që do të shikoni ndonjë nga ata që i atribuojnë vetet e tyre tek ndonjë nga tarikatet e Sufistëve se i ka varur tespije e tij në qafë! Dhe disa prej tyre i numërojnë kur të flasin ose kur dëgjojnë bisedën tënde! Dhe gjëja e fundit që më ka rënë në sy disa ditë më parë ishte se pashë një burrë mbi një biçikletë të zakonshme që po ecte në disa rrugë që ishin të mbushura me njerëz dhe në njërën dorë mbante ca tespije! Ata përpiqen kështu t’u tregojnë njerëzve që ata nuk janë të pavëmendshëm ndaj përkujtimit të Allahut qoftë edhe për një hapje-mbyllje të syrit.

Dhe shpesh herë ky bidat është shkak për humbjen e kryerjes së asaj që është obligim, sepse vërtet më ka ndodhur vazhdimisht - dhe poashtu edhe të tjerëve përveç meje – që t’u kem dhënë selam njërit prej këtyre njerëzve e ai ma ka kthyer duke ngritur dorën pa dhënë selamin. Dhe dëmet e këtij bidati nuk mund të numërohen, kështu që, sa e bukur është fjala e poetit:

“Dhe çdo e mirë është në pasimin e Selefëve (ata që erdhën më përpara)

dhe çdo e keqe është në pasimin e Khalefëve (ata që erdhën më pas).”

 

Përktheu Alban Malaj