Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu Fataua ue Mekalat Muteneui’ah, vëll. 26/fq. 376

 

Pyetje: Një vëlla me inicialet F. K nga Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë në pyetjen e tij: “Kam lexuar një fetva të Shkëlqesisë suaj para një kohe në revistën “el-Mexh-xheletu el-Arabijeh” se hadithi që është transmetuar në lidhje me namazin e tesbihut nuk është i saktë dhe se ky namaz nuk lejohet. Pas një kohe pashë një hadith në Sunenin e Ibën Maxhes që transmetohet nga Ebi Rafië se i Dërguari i Allahut i ka thënë Abbasit: “O xhaxhai im, a të të jap një dhuratë? A të të tregoj diçka të dobishme? A të vazhdoj t’i mbaj lidhjet familjare me ty?...” e deri në fund të hadithit. Këtë hadith e ka saktësuar Shejkh Muhammed Nasiruddin el-Albani, të cilin e ka sjellë në librat “el-Mishkat” dhe “Sahihu Tergib”. Shpresoj që të na nderojë Shkëlqesia juaj me sqarimin e kësaj paqartësie?

Përgjigje:  E sakta dhe e vërteta është se ai hadith është shpikur, siç e ka thënë këtë kolosi Ibën el-Xheuzij në librin “el-Meudu’at”. Po ashtu e kanë dobësuar atë Tirmidhiu dhe el-Ukajli. El-Hafidh ibën Haxheri në “et-Telkhis” ka thënë: “E vërteta është se të gjitha rrugët e transmetimit të këtij hadithi janë të dobëta.” Po ashtu, e kanë shpallur të dobët Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh dhe el-Mizzij.

E vërteta është se ai hadith është i shpikur, siç u përmend më lart.  Siç e ka përmendur Ibën el-Xheuzij në “el-Meudu’at” për shkak se zinxhiret e tij janë të dobëta, teksti i hadithit është i papranueshëm dhe i kundërshton hadithet e tjera të sakta që kanë ardhur me shumë rrugë transmetimi që sqarojnë formën e namazit sheriatik.

 

Allahu është Ai që e sjellë suksesin.

 

Përktheu: Jeton Shasivari