Ata thonë: “Ne nuk duam gjë tjetër! Ajo që duam ne është përkujtimi (i ditëlindjes së Pejgamberit ﷺ ). Sahabët nuk e festuan ditëlindjen e tij sepse jetuan bashkë me të Dërguarin e Allahut në kohën e tij. Kurse ne pas gjithë kësaj historie të gjatë, ne duam ta përkujtojmë të Dërguarin e Allahut ﷺ .”
A qëndron kjo fjalë?
Le ta pyesim njëri-tjetrin: Kur e paskan harruar Muslimanët të Dërguarin e Allahut ﷺ në mënyrë që ta përkujtojmë me festimin e ditëlindjes së tij duke u mbledhur bashkë për të ngrënë, për të pirë dhe për t’u parfumosur në natën 12 të rebiu-uelit të çdo viti? A e harruan Muslimanët të Dërguarin e Allahut? A u lejohet atyre që ta harrojnë atë? Jo, kurrsesi!
Çdo muezin kur e thërret ezanin thotë: “esh-hedu en la ilahe il-lAllah – dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut” dhe nuk e lë pa thënë edhe “ue esh-hedu enne Muhammed resulullah – dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut”.
Çdo Musliman kur hyn në xhami thotë: “Me emrin e Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin për të Dërguarin e Allahut.”
Çdo Musliman që fal shumë namaze përveç farzeve, në çdo namaz ai dërgon salavate për të Dërguarin e Allahut ﷺ .
Çdo Musliman kur del prej xhamisë i dëgon salavate dhe selam Pejgamberit ﷺ .
Çdo nxënës i diturisë që lexon mësimin e tij dhe çdo mësues që jep mësime, dërgon salavate për Pejgamberin ﷺ disa herë brenda kohës së një mësimi.
Atëherë, duke i përkujtuar dhe duke folur për begatitë e Allahut, nuk e kemi harruar të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe të gjithë Muslimanët.
Kështu që, ne s’kemi nevojë për atë që quhet “përkujtim i ditëlindjes së Profetit.”
Përktheu: Jeton Shasivari