Bismilah...

Pyetje:

Ky pyetës thotë: janë shfaqur ato që quhen demonstrata paqësore, të organizuara. A lejohen me të vërtetë këto lloj demonstratash dhe cili është kriteri, ngase ne shohim se aktualiteti tregon të kundërtën e kësaj?

Përgjigje nga Shejkh Sulejman er-Rruhajli:

Allahu na qoftë në ndihmë!

Të gjitha lavdet janë për Allahun. Çfarë janë demonstratat në realitet? Demonstratat janë grumbullim i një numri njerëzish nëpër sheshet publike, për të kërkuar një çështje të cilën ata e shohin si e drejta e tyre. Dhe me të vërtetë dijetarët me peshë kanë dhënë fetva se ato janë harram dhe unë kam parë mendimet e më shumë se 40 dijetarëve me peshë në fetva, ku thonë se demonstratat janë harram kategorikisht, dhe për këtë kanë përmendur arsyet që përmbajnë demonstratat në vetvete.

Mes dijetarëve ka prej atyre që ka thënë se tek demonstratat ka përngjasim me qafirat, sepse kjo gjë nuk është prej zakoneve të Muslimanëve dhe as nuk është njohur tek njerëzit e devotshëm, porse ato i morën disa Muslimanë nga qafirat. Dhe kështu që, ato përmbajnë përngjasim me qafirat, (përngjasim) i cili është harram.

Mes dijetarëve ka prej atyre që kanë thënë se ato janë harram ngaqë janë bidat, sepse ato janë vepër nëpërmjet të cilës kërkohet e drejta, dhe kjo është një çështje e shpikur, kështu që është bidat.

Dhe kanë thënë disa prej dijetarëve se ato janë harram për shkak të dëmeve që përmbajnë.

Kurse ajo që shoh unë – dhe Allahu e di më së miri – është se demonstratat janë harram për shkak të dëmeve që ato përmbajnë. Dhe dëmet e demonstratave janë dëme të lidhura me to. Dhe nëse dëmi i një çështjeje është i lidhur me çështjen, gjykimi i saj është i prerë, që nuk ndryshon. Kështu që, demonstratat që të gjitha janë harram, ngase dëmet që ndodhin në to janë të lidhura ngushtë me demonstratat si dhe me pasojat që rrjedhin prej tyre.

Prej atyre dëmeve është grumbullimi i turmave të cilat s'mund të mbahen nën kontroll dhe as që mund të ketë demonstrim paqësor - siç thuhet - porse aty patjetër që do të ndodhë sadopak shkatërrim dhe patjetër që do të ndodhë ndonjëlloj shkeljeje. Përse? Sepse në demonstratë mblidhen njerëzit që ndoshta nisen me një numër të caktuar, pastaj mes tyre hyjnë njerëz të tjerë dhe ata shpërthejnë duke e bërë të vështirë mbajtjen nën kontroll të demonstratës si dhe ndodhin të këqija, brenda rradhëve të demonstruesve. Nuk kemi parë asnjë demonstratë ku të mos kenë ndodhur të këqija të cilat i di më së miri Allahu. Madje - është për të ardhur keq - kemi parë se nëpër demonstrata mblidhen njerëzit e prishur që këndojnë dhe kërcejnë, dhe vijnë disa që i atribohen diturisë dhe thonë: "Kjo është rini e bekuar!" E s'ka dyshim se kjo është e keqe shumë e madhe.

Prej atyre (dëmeve) është: se njerëzit marrin zemër kundër udhëheqësit dhe kjo është rrugë që të çon tek rebelimi. Dhe nuk ka njeri që të mbajë qetësinë kur irritohet. Nuk ka njeri që të mbajë qetësinë kur irritohet. Dhe kush e provon shijen e kësaj gjëje, zor se heq dorë më nga ajo.

Prej atyre (dëmeve) është: se ajo është rrugë që të shpie në kaos, e patjetër që do të ndodhë ashtu.

Në rregull: tani dole nëpër demonstrata për të kërkuar një të drejtë. Mirë. E more këtë të drejtë ose u bëre ti udhëheqësi. Vijnë disa njerëz që demonstrojnë kundër teje, kërkojnë një të drejtë që t'i s'mund t'ua ndalosh. Ti arrite (në këtë post) nëpërmjet kësaj rruge (d.m.th. nëpërmjet demonstratave), atëherë si t'i ndalosh ata nga kjo gjë? Pastaj vjen një tjetër dhe njerëzit sa herë që ndonjëri prej tyre kërkon diçka, ata dalin në demonstratë, madje edhe njerëzit mendjelehtë. Ndodh ndonjë gjë në ndonjë vend, në Emirate apo në Saudi, pastaj çohen njerëzit në një vend tjetër dhe dalin në demonstratë (për shkak të asaj ngjarjeje).

Pastaj, unë them o vëllezër se nuk ka asgjë sikur siguria dhe qetësia. Kujt i ka dhënë Allahu siguri dhe qetësi le të falenderojë Allahun.

Pasha Allahun dhe pasha Allahun, me të vërtetë fukarallëku në siguri dhe qetësi dhe lirinë e zbatimit të fesë është më fisnik për njeriun sesa pasuria në mungesë të sigurisë.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj