Bismilah...

Autor: Shejkh Hamud et-Tuvejxhirij (rahimehullah)

Shkëputur nga libri “Tenbihat ‘ala Risaletejn lish-Shejkh Ebij Bekr el-Xhezairi” (fq. 36-39) i Shejkh Hamud et-Tuvejxhirit, Allahu pastë mëshirë për të.

 

Në faqen 14 të kopjes (së librit rreth shenjave të Kijametit) që është me shkrimin e autorit dhe në faqen 54 të kopjes së botuar ka thënë El-Xhezairi: “Demonstratat do të zënë vendin e betejave dhe xhihadit…” [el-Lukatat fij Ba’d Ma Dhahera lis-Sa’ati min ‘Alamat (fq. 54)]

Pastaj tha në faqen 55-56 të kopjes së botuar: “Vërtet Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka përmendur atë me fjalë të qarta dhe e ka vendosur mes shenjave të Kijametit… Ja ku është Taberani, në librin e tij el-Kebir transmeton me zinxhirin e tij thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kur t’i shikoni tri gjëra, atëherë do të vijë Ora.” Pastaj e sqaroi atë duke thënë: “Se ndërtesat do të rrënohen e do të rindërtohen pa qenë e nevojshme, se betejat do të kthehen në thirrje (Nida`) dhe se njeriu do ta mbajë amanetin që i është besuar ashtu si deveja (e uritur) që kafshon pemën pak e nga pak.”

Dhe ai (Ebu Bekr el-Xheza`iri) përmendi në një fusnotë se hadithi është transmetuar nga el-Begauij në librin e tij “Muëxhem es-Sahabeh” dhe nga Ibn Asakir në librin e tij “et-Tarikh”.

Pastaj ai (Ebu Bekr el-Xhezairi) tha: “Argumenti tek ky hadith është tek thënia e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Se betejat do të kthehen në thirrje (nida`).” Kuptimi i fjalës Nida` këtu është ngritja e zërit nga demonstruesit duke thënë “Rroftë filani!” ose “Poshtë filani!” apo gjëra të ngjashme. Ata i konsiderojnë këto thirrje me zërin më të lartë që të jetë e mundur nëpër demonstratat e tyre si betejë dhe xhihad apo si diçka akoma më e madhe se beteja dhe xhihadi.” [el-Lukatat fij Ba’d Ma Dhahera lis-Sa’ati min ‘Alamat (fq. 55-56)]

Unë (Hamud et-Tuvejxhiri) them: “Sa i përket hadithit që ka përmendur el-Xhezai`ri, atë e ka transmetuar Taberani me një zinxhir të dobët nga transmetimi i Urveh Ibn Muhamed Ibn ‘Attijeh es-Sea’dij, nga babai i tij në formë merfuë (që arrin deri tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë: “Kur t’i shikoni tri gjëra, atëherë ajo (Dita e Fundit) është afër, është afër! Se ndërtesat do të shkatërrohen e do të rindërtohen pa qenë e nevojshme, se betejat do të kthehen në thirrje (Nida`), dhe se njeriu do ta mbajë amanetin që i është besuar ashtu si deveja (e uritur) që kafshon pemën pak e nga pak.” [el-Mu’xhemul-Kebir (19/243).]

Ka thënë Hejthemiu në “Mexhme’u ez-Zeua`id”: “Atë e ka transmetuar Taberani dhe në zinxhirin e tij është Jahja Ibn ‘Abdilah el-Babaletij, i cili është i dobët (da’ijf).” [Mbaroi fjala e Hejthemiut]

Ata e ka transmetuar edhe el-Begauij dhe Ibn Asakir me tekstin: “Vërtet, prej shenjave të Orës janë: Që ndërtesat do të rrënohen dhe do të rindërtohen pa qenë e nevojshme, betejat do të bëhen me fida` (pagesë, shpërblim), dhe se njeriu do ta mbajë amanetin që i është besuar ashtu si deveja (e uritur) që kafshon pemën pak e nga pak.” [Siç gjendet në Kenzul-‘Umal (17/186).]

E ka përmendur këtë transmetim autori i librin “Kenz el-Ea’mal” fq.186, vëll.17. Dhe tek ky transmetim ka ndodhur një ngatërrim në thënien e tij: “...dhe do të bëhen betejat me fida` (pagesë, shpërblim), me “f” në fillim të fjalës (fida`). El-Xheza`iri e ka ngatërruar me fjalën e tij “nida`” me “n” në fillim të fjalës. Dhe këtë ngatërrim nuk e kam parë tek të tjerët. Dhe e sakta është (rifdan), gërma “r” ka zanoren “i” ndërsa gërma “f” nuk ka zanore, siç gjendet në transmetimin e Taberanit që e përmendi Hejthemiu në “Mexhme’u ez-Zeua`id”. Dhe ai gjendet në faqen n.243, vëll.19 tek Muëxhem el-Kebir, botimi i Shtëpisë Botuese “el-Ummeh” në Bagdad. Dhe domethënia e fjalës “rifd” në beteja është përkrahja e tyre me mercenarë dhe pagesë.

Dhe kjo është përmendur në mënyrë të qartë në hadithin e transmetuar nga Ibn Mendeh, të cilin e ka transmetuar nga ‘Abdur-Rrazaku, nga Ma’mer, nga Kethir Ibn ‘Ataa` el-Xhundij: na ka treguar Abdullah Ibn Zubejb el-Xhundij i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “O ‘Ubadeh Ibnus-Samit! O Ebal-Uelijd! Kur ta shikosh lëmoshën se po fshihet, se po merren merecenarë për të luftuar, dhe kur ta shikosh njeriun që e mban amanetin ashtu si deveja (e uritur) që kafshon pak e nga pak pemën, dhe kur të rrënohen shtëpitë dhe të rindërtohen pa qenë e nevojshme, atëherë ti dhe Ora e Fundit do të jeni si këta të dy.” Pastaj ai bëri bashk gishtin e tij tregues me gishtin e mesit. Këtë hadith e ka përmendur el-Hafidh Ibn Haxher në librin e tij el-Isabeh, në biografinë e ‘Abdullah Ibn Zubejb el-Xhundij.

Kurse sa i përket thirrjes së injorantëve në demonstratat e tyre dhe britmave të tyre “Rroftë Filani” apo “Poshtë Filani”, kjo nuk është nga veprat e njerëzve me logjikë, lëre më pastaj që të jetë prej Xhihadit. Por, në të vërtetë ajo është shfaqje e injorancës, budallallëkut dhe kaosit.

Sikur el-Xheza`iri ta përmendte praninë e demonstratave në Fundin e Kohës si diçka për të cilën ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur foli për shfaqjen e injorancës, kjo do të kishte qenë më e përshtatshme.

 

 



Përktheu: Alban Malaj