Burimi: Mexhmu’u Muel-lefat ue Rasail Hamud et-Tuejxhrij, vëll. 1, fq. 15
Emri dhe prejardhja
Ai është shejkhu, el-Al-lameh (kolosi), muxhahidi, Hamud bin Abdullah bin Hamud bin Abdur-Rahman bin Abdullah bin Mukhim bin Allahullah et-Tujexhri, nga familja Alu Xhebbara, një degë e madhe e fisit ‘Anizeh el-Uailijeh er-Ribijeh el-Adnanijeh.
Vendlindja dhe edukimi
Shejkhu lindi në qytetin el-Xhumuah, në ditën e premte, më 15 Dhul-Hixh-xheh 1334 h.
Kërkimi i diturisë
Shejkhu – Allahu e mëshiroftë – në fëmijërinë e tij, filloi të mësonte shkrim-leximin në moshën tetë vjeçare, në duart e Shejkh Ahmed es-Sanië në vitin 1342 hixhrij në moshën tetë vjeçare pak ditë para se t’i vdiste i ati. Tek ai mësoi bazat e shkrim-leximit, pastaj mësoi Kuranin përmendësh ende pa i mbushur njëmbëdhjetë vite. Në këtë moshë të re, ai i lexoi dhe i mësoi librat e përmbledhur e të shkurtuar të fesë në Teuhid, Hadith, Fikh, Faraid (çështjet e trashëgimisë pas vdekjes) dhe gramatikë. Nga gjërat që i lexoi dhe i mësoi te Shejkh Ahmed es-Sanië ishte libri “Usulu Thelathe – Tre Parimet” të Shejkhut, Imamit, Ringjallësit të fesë Muhamed ibën Abdul-Uehhabit – Allahu e mëshiroftë.
Mësuesit
Kur ai – Allahu e mëshiroftë – arriti moshën e rinisë, mori pjesë në mësimet e fekihut, gjykatësit të rajonit të Sudejrit, Shejkh Abdullah bin Abdul-Aziz el-‘Ankerij dhe mësoi tek ai 25 vite me radhë. Me të mësoi shumë dituri të fesë, siç janë: Teuhidi, Hadithi, Fikhu, Usulu Fikh, Faraidi, gramatika, libra të biografive, libra të historisë dhe libra letërsie.
Nga librat që i lexoi dhe i mësoi tek ai, ishin:
1) “Fet’hul-Barij” i Hafidh ibën Haxherit.
2) “el-Mugnij” i Ibën Kudame el-Makdisit.
3) “Minhaxhu Sunneti Nebeuijeh” i Shejkhul-Islam ibën Tejmijes.
4) “Deru Te’arudi el-Akl ue en-Nakl” i Shejkhul-Islam ibën Tejmijes.
5) “El-Fetaua el-Misrijeh el-Kubra” i Shejkhul-Islam ibën Tejmijes.
6) “Zadul-Me’ad” i Ibën Kajjimit.
Si dhe një sërë librash të Shejkhul-Islam ibën Tejmijes, Ibën Kajjimit, Imamëve të thirrjes (pasardhësve të Muhamed ibën Abdul-Uehhabit në Nexhd), si dhe shumë libra tjerë. Gjatë leximit te ky dijetar, ai mësoi përmendësh tekstet kryesore të librave të fesë, i kuptoi dhe i përvetësoi në mënyrë të shkëlqyer ato, për arsye se i ndiqte mësimet vazhdimisht, kishte zell të madh, aftësisë për të mësuar përmendësh dhe posedonte kuptim të drejtë.
Shejkh Abdullah el-Ankerij i dha ixhaze (leje, autorizim) të stërzgjatur që të transmetonte nga ai ato gjëra që kishte mësuar me të, siç janë: librat e Sahihëve, Musnedeve dhe Suneneve; librat e Shejkhul-Islam ibën Tejmijes, Ibën Kajjimit, librat e Fikhut Hanbeli në përgjithësi si dhe të gjitha “kutub el-ethbaat – librat e ethbateve ” [1]. Para këtyre librave Shejkh Abdullah el-Ankerij i mësoi hadithin e parë që një shejkh ia mëson nxënësit të tij e që quhet “hadithu er-rahmeh el-muselsel bil eu’uelijeh” [2].
Kur Shejkh Abdullah bin Muhamed bin Humejd u caktua gjykatës në el-Xhumu’ah dhe në Sudejr, ai filloi të lexonte tekstet e librave që Shejkh Humejdi i shpjegonte. Kështu, lexoi tek ai libra të Fikhut, Faraidit dhe gjuhës. Po ashtu, ka lexuar edhe te Shejkhu, Fekihu, kolosi Muhamed bin Abdul-Muhsin el-Khajjal, ish-gjykatësi i qytetit. Tek ai lexoi libra të gramatikës dhe Faraidit.
Po ashtu ka lexuar te Shejkh Sulejman bin Hamdan, një nga gjykatësit e Mekkes dhe ka transmetuar nga ai hadithin “Hadithu er-rrahmeh el-muselsel bil eu’uelijeh” të Hanbelive, e që është hadithi:
"الرَّاحِمُونَ يَرْحَمُهُمُ الرَّحْمَنُ ، ارْحَمُوا مَنْ فِي الأَرْضِ يَرْحَمْكُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ "
“Të mëshirshmit, do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.” [3]
Ky Shejkh i dha ixhaze për të gjitha transmetimet e tij për librat e Sahiheve, Suneneve, Musnedeve dhe Ethbateve. Të gjitha këto Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë – i ka përmendur në librin e thebtit (një nga librat e ethbateve) të tij që quhet “It’hafu Nubela bi Riuajeti ‘an el-‘Alaam el-Fudala.”
Pasi që Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë – ishte “ngopur” me shkencat sheriatike dhe ato të gjuhës arabe nga këta dijetarë të mëdhenj, fillimisht falë ndihmës së Allahut të Lartësuar dhe pastaj për shkak të ambicies dhe mundit të tij për të mësuar dituri fetare, në vitin 1368, u ngarkua me detyrë që të punonte në gjykatën e qytezës Rahimeh, që gjendet në rajonin lindor të Arabisë Saudite. Pas një viti pak a shumë, u transferua me këtë detyrë që të punonte në gjykatën e qytezës Zulfij dhe vazhdoi të punojë si gjykatës deri në vitin 1372 ku ai kërkoi që ta lëshojë këtë post dhe ai u lirua nga kjo detyrë.
Librat e tij
Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë –, kishte ambicie të larta për dituri dhe për të bërë kërkime akademike, për këtë arsye të gjithë kohën ia kushtoi diturisë. Ai filloi të shkruante libra për të mëdhenjtë e për të vegjlit. Librat e tij ishin përplot dobi, për arsye se ai u angazhua me shkrim të librave në çështje që njerëzit kishin gabuar, ose shkruante libra për çështjen e bidateve dhe shpikjeve në fe që ekzistonin në shoqëri. Kështu që, ai u bëri ballë të gjitha gabimeve në fe dhe bidateve, dhe i sqaroi duke i shkoqitur me argumente të forta dhe fakte të qarta, e si rrjedhojë kjo u pranua nga njerëzit dhe librat e tij ishin të dobishëm.
Ditën ia përkushtonte diturisë duke bërë kërkime dhe duke shkruar, që nga lindja e diellit e deri në perëndim e tij, madje ndonjëherë deri në namazin e jacisë. Ndonjëherë qëndronte një kohë të shkurtër pas namazit të jacisë në librarinë e tij, që ta mbaronte atë që kishte filluar gjatë ditës. Këtë e bënte zakonisht në fund të jetës së tij. Kurse pjesën më të madhe të natës, e kalonte duke falë namaz nate. Ai falte namaz nate kur ishte udhëtar dhe vendas.
Librat dhe broshurat e Shejkhut, Allahu e mëshiroftë, janë më shumë se pesëdhjetë (50). Nga këta libra janë botuar vetëm dyzet e ca.
Ato libra janë:
1) It’haful Xhema’ah bi ma xhae fil Fiteni uel Melahimi ue Eshrati Sa’ah (Dhuratë Xhematit në lidhje me atë që ka ardhur për fitnet, luftërat e përgjakshme që do të ndodhin në të ardhmen dhe shenjat e Kijametit).
2) El-Ihtixhaxhu bil Ether ‘ala men enkere el-Mehdij el-Muntedhar (Argumentimi me ether për atë që mohon Mehdijun e pritur). [Shënim i përkthyesit]: Autori, Allahu e mëshiroftë, refuzon Abdullah bin Zejd bin Mahmudin, i cili pretendon se hadithet që flasin për Mehdijun e pritur, nuk janë të sakta, madje janë të shpikura dhe janë besëtytni. Ky libër ka parathënie nga Shejkh Ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë.
3) Ithbatul-‘Ului Lah ue Mubajenetuhu li Khalkihi ue er-Redu ‘ala men ze’ame enne Me’ijetaLlahi lil Khalki Dhatijetun (Pohimi i të qenët të Allahut mbi krijesat e Tij dhe se Ai është i ndarë nga krijesat e Tij; refuzim për atë që pretendon se Allahu është me krijesat me Qenien e Tij). [Shënim i përkthyesit]: Autori, Allahu e mëshiroftë, këtu refuzon një nga dijetarët e mëdhenj bashkëkohor të Ehli Sunnetit, i cili ka thënë një fjalë e cila lë vend për dyshime se ky person që e thotë këtë a është në Akiden e Ehli Sunnetit apo nuk është, ajo fjalë është: “Allahu është me krijesat e tij me Qenien e Tij, por kjo është ashtu siç i takon Madhështisë së Tij, që nuk do të thotë se Ai është i përzier me krijesat e Tij dhe se Ai është një bashkë me krijesat në vendet e tyre.” Për këtë fjalë Shejkh Hamudi et-Tuejxhri e ka refuzuar atë duke shpjeguar se është fjalë e njerëzve të bidatit që thonë se Allahu është bashkë me krijesat (ittihaad) dhe është i shkrirë bashkë me ta (huluul). Libri në fillim ka lëvdatë (takriidh) nga Shejkh Ibën Bazi, kurse në fund ka një shtojcë nga Shejkh Uthejmini si përkrahje për këtë refuzim.
4) Tuhfetul-Ikhuan bi ma xhae fil Mu’ualaat uel Mu’adaat, uel Hubbi uel Bugdi uel Huxhran (Dhuratë vëllezërve në lidhje me tekstet që flasin për marrëdhëniet ndërnjerëzore, armiqësinë, dashurinë dhe bojkotimin).
5) El-Kaulu el-Muharrer fil Emri bil M’arufi ue Nehji anil Munker (Fjala e përpiktë në lidhje me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja).
6) Er-Reddu ‘ala men Ebaha er-Riba el-Xhaarij fi B’adi el-Bunuk (Refuzim për atë që lejon të merren paratë si përqindje që t’i jep banka për shkak të llogarisë bankare).
7) Taglidhul Melam ‘alel Muteseri’ine fil Futja ue Tag’jiril Ahkam (Qortim i ashpër për të nguturit në dhënien e fetvave dhe ndryshimin e dispozitave).
8) El-Idaahu ue et-Tebjiin lima uaka’a fihi el-Ektherun min Mushabehati el-Mushrikin (Qartësim dhe sqarim në lidhje me shumicën e Muslimanëve që u përngjajnë Mushrikëve). [Shënim i përkthyesit]: Ky libër ka parathënie nga Shejkh Ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë.
9) Kasasu el-‘Ukubaat ue el-‘Iber ue el-Meua’idh (Histori të ndëshkimeve të popujve të mëhershëm dhe marrja e mësimeve dhe këshillave nga këto histori).
10) Idahu el-Mehaxh-xheh fi Redi ala Sahibi Tanxheh (Qartësia e rrugës së drejtë për refuzimin e banorit të Tangierit). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër, autori refuzon Ahmed ibn Muhamed ibn Siddik el-Gumarij el-Hasenij nga Tangeri – qytet në portin e ngushticës së Gjibraltarit në Marok – , i cili shkroi një libër me titull “Përputhja e zbulimeve bashkëkohore për të cilat na ka lajmëruar zotëria e krijesave.” Në këtë libër el-Gumarij ka bërë shumë gabime, siç janë: interpretimi i gabuar i ajeteve dhe haditheve, sharja e poshtërimi i ndihmuesve të fesë, nga ana tjetër lavdëron dhe i ngre lart armiqtë e fesë, e gjëra të tjera.
11) Er-Red el-Kauijj ‘ala er-Rufaij ue el-Mexh’huul ue Ibn ‘Alauijj ue Bejan Akhtaaihim fi el-Meulid en-Nebeuijj (Refuzim i fuqishëm kundër Rufaijt, të panjohurit dhe Ibën Alauijut; sqarim i gabimeve të këtyre në lidhje me Mevludin).
12) El-Intisaar ‘ala men ezraa bil Muhaxhirine ue el-Ensar (Ngadhënjimi mbi atë që nënçmon Muhaxhirët dhe Ensarët). [Shënim i përkthyesit]: Autori – Allahu e mëshiroftë –, në këtë libër refuzon Abdullah es-S’ad, i cili thotë se: Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka qenë beduin, po ashtu edhe Khalifët e Drejtë dhe Sahabët kanë qenë beduinë, e nuk kanë qenë njerëz që kanë banuar nëpër fshatra apo vendbanime. Ky libër ka parathënie nga ish-muftiu i Arabisë Saudite, Muhamed bin Ibrahim Alu Shejkh – Allahu e mëshiroftë.
13) Es-Sirraaxh el-Uehhaxh li Mahui Ebatiil Ahmed Shelebij ‘an el-Isra ue el-M’iraaxh (Pishtari flakërues për demaskimin e të pavërtetave të Ahmed Shelebijt për çështjen e Israsë dhe Miraxhit). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër autori refuzon Ahmed Shelebijn, profesor në universitetin e Kajros, për një broshurë të vogël që ka shkruar për Isranë dhe Miraxhin, në të cilën mohon hadithet që janë saktësuar nga Pejgamberi – alejhis-salatu ues-selam – për këtë çështje. Ahmed Shelebij mohon hadithet e sakta që Pejgamberi – alejhis-salatu ues-selam – të ketë hipur në kafshën “el-Burak” dhe pretendon se këto janë besëtytni dhe mendime që janë përhapur në mesin e njerëzve, si dhe mohon shumë hadithe të tjera që kanë ardhur për rrugëtimin e Pejgamberit – alejhis-salatu ues-selam – për në qiell.
14) Inkaru et-Tekbir el-Xhemaa’ij ue gajruhu (Qortim për Tekbiret që bëhen njëzëri me xhemat në festat e Dy Bajrameve si dhe gjëra të tjera). [Shënim i përkthyesit]: Ky libër ka parathënie nga Shejkh Ibën Bazi dhe Shejkh Abdullah bin Humejdi – Allahu i mëshiroftë.
15) It’hafu Nubelaa bi er-Riuajeti an el-E’alaam el-Fudala (Dhuratë fisnikëve me transmetimin nga të mëdhenjtë e diturisë dhe njerëzit e vlerave). [Shënim i përkthyesit]: Libër i autorit që ka transmetime me zinxhir të drejtpërdrejtë nga mësuesit e tij.
16) El-Ixhabetu el-Xhelijjeh an el-Esileti el-Ku’uejtijjeh (Përgjigje e shkoqitur për pyetjet nga Kuvajti).
17) El-‘Ilaanu en-Nekir ‘ala el-Meftunine bi Tesuiir (Paralajmërim i ashpër për ata që kanë rënë në sprovën e fotografive). [Shënim i përkthyesit]: Ky libër ka parathënie nga Shejkh Ibën Bazi dhe Shejkh Abdur-Rezzak Afifi – Allahu i mëshiroftë.
18) Ikametu el-Burhan ri er-Reddi ‘ala men enkere Khuruxh el-Mehdij ue ed-Dexh-xhal ue Nuzul el-Mesih fi Akhiri Zeman (Ngritja e argumenteve për të refuzuar atë që mohon daljen e Mehdijut, Dexhallit dhe zbritjes së Mesihut në fund të kohës). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër refuzohet Abdul-Kerim el-Khatib për një artikull të tij ku mohon lajmet e të Dërguarit të Allahut – alejhis-salatu ues-selam – në hadithet e sakta për shfaqjen e Mehdiut të pritur, zbritjen e Isait – alejhi selam – dhe daljen e Dexhallit.
19) Tah’dhiru el-Ummeh el-Islamijeh min el-Muhdethat el-letij de’at ilejha Neduetu el-Ehil-leti el-Kuejtijjeh (Paralajmërim për Ummetin Islam nga shpikjet në fe drejt të cilave thërret simpoziumi Kuvajtian i hënës së re).
20) Tahrimu es-Suer ue er-Reddu ‘ala men Ebahahu (Ndalesa e fotove-videove dhe refuzim për atë që i lejon).
21) Tenbihu el-Ikhuan ‘ala el-Akhta fi Meseleti Khalki el-Kuran (Njoftim i vëllezërve për disa gabime që gjenden në librin “Çështja e krijimit të Kuranit”). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër autori – Allahu e mëshiroftë –, refuzon Abdul-Fettah el-Guddeh për librin e tij me titull: “Çështja e krijimit të Kuranit dhe gjurmët e kësaj në radhët e transmetuesve, muhadithëve dhe librave të xherhit dhe tadilit.” Abdul-Fettah el-Guddeh në këtë libër sjell fjalë të Xhehmijve dhe ai njihej për armiqësinë e ashpër që kishte kundrejt Ehli Sunnetit – siç e përmend këtë Shejkh Albani në parathënien e librit: “Sherh el-Akideh et-Tahauijeh” (fq. 49).
22) Ed-Delail el-Uadihaat ‘ala Tahrimi el-Muskiraat ue el-Mufettiraat (Argumentet e qarta për ndalesën e lëndëve dehëse dhe narkotike). [Shënim i përkthyesit]: Ky libër ka parathënie nga Shejkh ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë.
23) Dhejlu es-Sauaik li Mahui el-Ebatil ue el-Mekhaarik (Shtojcë e librit “es-Sauaik esh-Shedideh” për rrëzimin e të pavërtetave dhe shpifjeve). [Shënim i përkthyesit]: Në vijim do të përmendet ky libër.
24) Er-Redd el-Xhemil ‘ala el-Akhtai Ibni Akiil (Refuzim i bukur për gabimet e Ibën Akilit). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër refuzon Ebu Abdur-Rahman el-Akil – një fanatik i Ebu Hazëm edh-Dhahirijut. Ky el-Akili, në një artikull të tij në një gazetë Saudite, kishte thënë se askush nuk e shan fenë e Ebu Hazmit përveç dy personave, e njëri prej tyre është Hamud et-Teujxhri në librin e tij: “Faslu el-Khitab fi er-Reddi ‘ala Ebi Turab.”
25) Er-Reddu ‘ala el-Katib el-Meftun (Refuzim për autorin që ka rënë në fitne).
26) Er-Reddu ‘ala men ezhaze Tehdhibe el-Lihjeteh (Refuzim për atë që lejon heqjen e mjekrës).
27) Er-Redd el-Kauim ‘ala el-Muxhrim el-Ethim (Refuzim i drejtë për kriminelin mëkatar). [Shënim i Përkthyesit]: Në këtë libër refuzon Sejjid Salih Ebu Bekr, i cili sulmon disa Sahabë dhe Tabi’in, dhe pretendon se Sahihu i Bukhariut – Allahu e mëshiroftë – përmban 120 hadithe të cilat janë israilijate dhe ato duhet të pastrohen nga Sahihu i Bukhariut.
28) Kitabu er-Ruja (Libri i Ëndrrave).
29) Es-Sarim el-Bettar lil Ixh’hazi ‘ala men khaalefe el-Kitabe ue es-Sunnete ue el-Ixhma’a ue el-Athar (Shpata e mprehtë për ekzekutimin e atij që e kundërshton Kuranin, Sunnetin dhe etheret). [Shënim i përkthyesit]: Me këtë libër refuzon Ibrahmin bin Muhamed bin Nasir i cili lejon transaksionet me interes (kamat) që bëhen nëpër banka. Ky libër ka parathënie të Shejkh Ibën Bazit – Allahu e mëshiroftë.
30) Es-Sarim el-Mesh’hur ala Ehli et-Teberruxhi ue es-Sufur (Mostoleranca e njohur ndaj atyre që janë pro zhveshjes së gruas dhe zbulimit të fytyrës së saj).
31) Es-Saua’ik esh-Shedideh ‘ala Etba’i el-Hejeti el-Xhedideh (Rrufetë e forta mbi ithtarët e astronomisë bashkëkohore). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër ai – Allahu e mëshiroftë –, refuzon teoritë bashkëkohore të zbulimeve të rreme e të manipuluara të NASA-s në univers, të cilat i përkrah dhe i promovon Muhamed Mahmud es-Sauafi. Shejkhu i hedh poshtë pretendimet e këtij Sauafit që i përkrah teoritë e tyre se dielli është i palëvizshëm kurse toka është ajo që rrotullohet, duke sjell ajete të qarta nga Kurani që tregojnë për palëvizshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tokës dhe lëvizjen e diellit; refuzon gënjeshtrën e madhe se dielli është shumë herë më i madh se toka, zbritjen në hënë, etj.
32) Akidetu Ehli el-Iman fi Khalki Adem ‘ala Surati er-Rahman (Akideja e njerëzve të imanit në lidhje me krijimin e Ademit në pamjen e të Gjithëmëshirshmit). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër, autori flet për hadithin i cili njihet si “hadithi i pamjes – hadithu Suurah”. Teksti i hadithit është: “Allahu e krijoi Ademin në pamjen e Tij”. Autori sqaron Akiden e Ehli Sunnetit dhe Xhematit në shpjegimin e këtij hadithi, duke treguar se përemri pronor “e Tij” në këtë hadith, i referohet Allahut por pa përngjasuar Atë me asnjë krijesë dhe pa e përshkuar Atë. Aty sjell argumente nga Kurani, Sunneti dhe fjalët e dijetarëve për kuptimin e këtij hadithi dhe i hedh poshtë fjalët e kundërshtarëve të Ehli Sunnetit. Ky libër ka parathënie nga Shejkh ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë – në të cilën lavdërohet Shejkh Tuejxhri për mundin e tij.
33) Fet’hul-M’abud fi er-Reddi ‘ala Ibni Mahmud (Ndihma e të Adhuruarit në refuzimin e ibën Mahmudit). [Shënim i përkthyesit]: Autori në këtë libër refuzon Shejkh Abdullah bin Zejd bin Mahmud, kryetarin e Gjykatës së Lartë të qeverisë së Katarit, për dy libra të tij në të cilat ka bërë gabime rreth çështjes së Kaderit dhe dallimit midis termit “resul – i dërguar” dhe “nebij – pejgamber,” dallimin midis Imanit dhe Islamit. Këtë libër të Shejkh Tuejxhrit – Allahu e mëshiroftë – e kanë lavdëruar dhe i kanë shkruar parathënie dy dijetarët e mëdhenj: Shejkh bin Bazi dhe Shejkh Abdullah bin Humejdi – Allahu i mëshiroftë.
34) Faslul-Khitaab fi er-Reddi ‘ala Ebi Turab (Gjykimi i prerë për refuzimin e Ebu Turabit). [Shënim i përkthyesit]: Autori në këtë libër refuzon Ebu Turab ed-Dhahirijun i cili pason me fanatizëm mendimin e Ibën Hazëm edh-Dhahirijut në lidhje me lejimin e muzikës dhe instrumenteve muzikore. Ky libër ka parathënie nga Shejkh ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë.
35) El-Kaulul Beliig fi Tahdhiri min Xhema’ati Tebliig (Fjala e shtjelluar për paralajmërimin kundër Xhematit Teblig).
36) Et-Tenbihat ‘ala Risaleti el-Albani fi Salat (Vërejtje ndaj librit të Albanit për namazin).
37) Ikametu Delil ‘ala el-Men’i minel Enashid el-Mulahhaneh ue et-Temthil (Ngritja e argumenteve për ndalesën e nashideve (ilahijeve) melodike dhe aktrimit). [Shënim i përkthyesit]: Në këtë libër autori – Allahu e mëshiroftë –, sqaron gjykimin e ilahijeve të ashtuquajtura “islame” që këndohen me zëra melodik. Po ashtu flet edhe për aktrimin, humorin dhe dramën të cilat i quajnë “Islame”. Autori e sqaron ndalesën e këtyre me argumente nga Kurani, Sunneti dhe fjalët e Selefëve.
38) Esh-Shuhub el-Mermijjeh li Mahki el-Meazif ue el-Mezamir ue Sairi el-Melahij bil Edil-leti en-Naklijeh ue el-Aklijeh (Yjet rënëse për shkatërrimin instrumenteve muzikore dhe këndimeve, me argumente të transmetuara të fesë dhe argumente logjike).
39) Dalaailul Ether ‘ala tahrimi et-temthili bi esh-shaër (Argumentimi me ethere për ata që mjekrën dhe flokët i bëjnë me modele). [Shënim i përkthyesit]: Autori – Allahu e mëshiroftë –, në këtë kërkim të tij sjell çështje të shumta që kanë të bëjnë me çështjen e mjekrës si dhe prerjen e flokëve sipas modeleve që bien ndesh me mësimet e Islamit dhe njëra ndër ato është ajo që quhet “el-kazaë” (prerje e flokëve ku në njërën pjesë të kokës rruhen flokët dhe në njërën pjesë lihen). Ky libër ka parathënie nga Shejkh ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë –, dhe ai e lavdëron autorin dhe librin për dobitë e shumta që gjenden në këtë libër.
40) Tebrietul Khalifeh el-‘Adil ue er-Reddu ‘ala el-Muxhadil bil Batil (Pafajësia e Khalifit të drejtë dhe refuzim për polemizuesin me të pavërtetën). [Shënim i përkthyesit]: Autori, Allahu e mëshiroftë, mbron prijësin e besimtarëve, Umer bin Abdul-Azizi – Allahu e mëshiroftë –, duke i refuzuar injorantët dhe shpifësit. Autori hedh poshtë gënjeshtrën e Ahmed bin Safuet se Umer ibën AbdulAzizi këndonte para se të bëhej Khalife, duke u bazuar në transmetimin e Ebu el-Ferexh el-Asbahanijt në librin e tij “el-Egaanij”. Ky libër i Tuejxhrit ka parathënie dhe tezkije nga ish-muftiu i Arabisë Saudite, Muhamed bin Ibrahim Alu Shejkh – Allahu e mëshiroftë.
41) Er-Risaleh el-Bedi’ah fi Reddi ala Ehli el-Mexhel-leti el-Khali’ah (Broshura e mrekullueshme për refuzimin e autorëve të revistës së pandershme). [Shënim i përkthyesit]: Autori në këtë libër refuzon autorët e një reviste të Kuvajtit, të cilët kishin nxjerrë një artikull me titull “Këngët, muzika, kinemaja, televizori, nuk thotë dikush për këto se janë haram përveç se injorantët dhe ekstremistët”. Ky libër ka parathënie nga ish-muftiu i Arabisë Saudite, Muhamed bin Ibrahim Alu Shejkh – Allahu e mëshiroftë.
42) Gurbetul-Islam (Huajësia e Islamit).
Shejkhu, kolosi, Abdul-Aziz ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë – u ka bërë parathënie një numri të caktuar të këtyre librave.
Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë – i doli në prit çdo autori bashkëkohor që bëhej pengesë në rrugë e Allahut dhe i refuzonte ata me lapsin e tij, duke mbrojtur Sunnetin dhe Akiden e saktë, Akiden e Ehli Sunnetit dhe Xhematit. Ndonjëherë, kjo mbrojtje e tij përhapej në shkrime dhe artikuj nëpër gazeta, brenda dhe jashtë shtetit.
Disa refuzime që i shkruante, ia paraqiste Shejkhut të nderuar, Imamit, Muhamed bin Ibrahim – Allahu e mëshiroftë – gjë e cila bëri që Shejkh Muhamedi ta vlerësojë mundin e tij në refuzimin e kundërshtuesve. Shejkh Muhamedi kishte dashuri të madhe për Shejkh Hamudin. Një nxënës i Shejkhut, Imamit, Muhamed ibën Ibrahimit – Allahu e mëshiroftë – tregon se ai e donte Shejkh Hamud et-Tuejxhrin – Allahu e mëshiroftë –, saqë në një rast ky nxënës e pa Shejkh Hamudin duke ia lexuar Shejkh Muhamedit një refuzim të vetin që e kishte shkruar kundër një bidatçiu, kur Shejkh Hamudi mbaroi së lexuari dhe u largua, Shejkh Muhamedi tha: “Shejkh Hamudi është muxhahid, Allahu e shpërbleftë me të mira.”
Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë – ka komente, vërejtje dhe saktësime që u ka bërë librave të ndryshëm, siç janë:
1) Komentet e shumta që i ka bërë Musnedit të Imam Ahmed bin Hanbelit, botimit që i ka bërë tahkik (verifikim) Ahmed Shakiri.
2) Komentet në librin “Fet’hul-Barij”
3) Vërejtje në librin “Mustedrakul-Hakim” në të cilin ka shkruar vërejtjet e tij.
Nxënësi e tij
Shejkh Hamudi – Allahu e mëshiroftë – ishte angazhuar me shkrim të librave dhe studim dhe për shkak të kësaj, nuk kishte kohë që të jepte mësim nxënësve. Kjo ka bërë që ata që morën dituri prej tij ishin shumë të paktë. Disa nga këta nxënës janë: Abdullah er-Rumij, Abdullah bin Muhamed bin Hamud si dhe djemtë e Shejkhut: Doktor Abdullahu, Muhamedi, AbdulAzizi, AbdulKerimi, Salihu, Ibrahimi dhe Khalidi.
Morali i tij
Shejkhu – Allahu e mëshiroftë – shquhej për moralin e tij të vyer dhe edukatën e lartë; ai ishte prej atyre që ndaleshin menjëherë në kufijtë që i ka vënë Allahu. Njëherë, me rastin e lëshimit të çmimit ndërkombëtar të mbretit Fejsal, Shejkh Hamudi tha: “Pa dyshim se Shejkh Nasir (Muhamed Nasiruddin el-Albani) është më meritori që t’i jepet ky çmim për shkak të shërbimit që i ka bërë Sunnetit.” Kur Shejkh Albani e vizitoi Rijadin në vitin 1410 h., Shejkh Hamudi e ftoi dhe e mirëpriti atë në shtëpinë e tij.
Ata që e njohin Shejkh Hamudin e përshkruajnë atë se ishte i devotshëm dhe bënte shumë adhurime të ndryshme për Allahun e Lartësuar. Ai ishte nga ata që e lexonte shpesh Librin e Allahut, falte namaz nate dhe namaze të tjera vullnetare; ishte nga ata që i largoheshin asaj që s’ka dobi, për këtë arsye, atë shihje ose duke bërë adhurim ose duke studiuar e duke shkruar, krahas kësaj, ai nuk donte që të dukej e të binte në sy të njerëzve dhe të grumbullonte pasues. Ai ishte i qetë dhe i butë; ishte modest dhe ishte i sjellshëm në marrëdhëniet me njerëzit.
Shejkh Hamudi kishte vendosmëri të habitshme dhe nuk mbështetej te të tjerët edhe në qoftë se ata ishin njerëzit më të afërt të tij. Bijtë e tij thonë: Shejkhu kurrë nuk kërkonte ndonjë gjë nga dikush! Madje as kur u dobësua shëndeti e tij. Ai bënte çaj dhe kafe vet, edhe pse fëmijët e tij i thonin vazhdimisht të mos i bënte këto gjëra në mënyrë që të pushonte. Përkundrazi, Shejkhu – Allahu e mëshiroftë – i shërbente gruas së tij kur udhëtonin, madje edhe kur ai arriti një moshë të thellë.
Me gjithë dashurinë e madhe që ai kishte për gruan e tij si dhe respektin e veçantë që ajo kishte për të, ai ndonjëherë gatuante vetë. Një nga shenjat e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë është se ai falte namaz nate në fund të natës, siç e kishte zakon, pastaj shtrihej paksa deri sa të hynte koha e namazit të sabahut. Pasi hynte koha e sabahut, ai e ngrohte ujin për gruan e tij që ajo të merrte abdes.
Ai u mjaftua me ca punë tregtie, të cilat nuk i bënte vetë. Ai ishte asket në dunja dhe para vdekjes ia dha njërit nga bijtë e tij çdo gjë që posedonte – nuk kishte ndonjë gjë të madhe – që ta jepte atë lëmoshë të tërën. Pra ai –Allahu e mëshiroftë –, nuk la pas vdekjes ndonjë tokë ose pasuri, përveç shtëpisë në të cilën jetonte me bijtë e tij.
Vdekja
Ai vdiq në qytetin e Rijadit, në orët e fundit të ditës së mërkurë, që përkon me datën 5/7/1413 hixhrij afër moshës 78 vjeçare. Xhenazen ia falën në xhamin er-Raxhihi, ai që ia fali xhenazen ishte Shejkhu i nderuar Ibën Bazi – Allahu e mëshiroftë. U varros në varrezat “en-Nesim”. Në varrimin e tij morën pjesë një numër i madh njerëzish, ku kishte dijetarë dhe nxënës dije. Allahu e mëshiroftë me mëshirën e Tij të gjerë dhe e bëftë prej banorëve të Firdeusit më të lartë në Xhenet.
_________________
[1] [Shënim i përkthyesit]: “Kutubul-Ethbat” janë librat ku një muhadith grumbullon në të atë që ka dëgjuar dhe që ka transmetuar nga mësuesit e tij, duke e përmendur edhe të tjerë që i kanë dëgjuar ato transmetime, ndoshta edhe tregon vendin ku e ka dëgjuar.
[2] [Shënim i përkthyesit]: Kur një nxënës fillonte të mësonte te një shejkh, gjeja e parë që shejkhu ia mësonte nxënësit të tij nga vargu i gjatë i haditheve që kishte ky nga shujukhët (mësuesit) e tij, ishte ky hadith:
"الرَّاحِمُونَ يَرْحَمُهُمُ الرَّحْمَنُ ، ارْحَمُوا مَنْ فِي الأَرْضِ يَرْحَمْكُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ "
“Të mëshirshmit, do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.”
Dhe ky hadith quhej “Hadithu er-Rahmeh el-muselsel bil eu’uelijeh,” që do të thotë: hadithi i mëshirës, i pari nga vargu i transmetimit të haditheve. Pra, një shejkh i transmetonte hadithin nxënësit, duke i thënë se e kam dëgjuar nga shejkhu im, pastaj shejkhu i këtij tregon se nga kush e ka dëgjuar, derisa arrinte te fillimi i zinxhirit të transmetuesit.
[3] E ka nxjerrë Ebu Daudi (9491), Tirmidhiu (1924) dhe të tjerë, nga hadithi i Abdullah ibën Amër – radijAllahu ‘anhu . Shejkh Albani e ka saktësuar në “es-Sahihah” (925).
Përktheu: Jeton Shasivari
21 Ramadan 1440 hixhrij
25 maj 2019
Gostivar