Bismilah...

 

Emri dhe Prejardhja e tij:

Ai është Sejjid Bediud-Din Shah Ibn Ihsanullah Ibn Rashidullah Shah Ibn Rashidud-Din Shah Ibn Muhamed Jasin Shah Ibn Muhamed Rashid Shah er-Rashidi el-Husejni.

Lindja e tij:

Shejkh Bediud-Din Shah ka lindur më 15 Korrik të vitit 1925 (1342H). Vendlindja e tij është qyteti i quajtur Pir Çando (qytet i Sa’idabadit), në provincën Hala, që është rreth 70 km nga qyteti i Hajdarabadit.

Edukimi i tij:

Babai i Shejkh Bediud-Dinit, Ihsanullah Shah, ishte gjithashtu dijetar dhe muhadith. Ai hodhi themelet e Medresesë në qytetin e tij. Këtu Shejkh Bediud-Dini morri edukimin e parë fetar dhe pati mundësinë që të përfitonte nga mësues të ndryshëm në disa fusha të dijes. Gjatë studimeve ai tregoi interes të veçantë në shkencat e Hadithit (‘Ulumul-Hadijth).

 

Ai studioi vepra të tilla si:

Erba’inun-Neueuij,

Bulugul-Meram,

Mishkat,

Kutubus-Sitte,

Muwetta Imam Malik,

Muwetta Imam Muhamed,

Pjesë nga Sherh Ma’ani el-Ether të Tahauiut.

 

Në Fik’h studio deri tek el-Hidaje; në Usul-Fik’h deri tek Teluih; në Nahw (Gramatikë) studioi deri tek Sherh Xhami’ dhe një pjesë nga ‘Abdul-Gafur; kurse në Sarf (Morfologji) i studioi të gjithë librat.

Mësuesit e tij:

Shejkhu udhëtoi gjithashtu jashtë qytetit të tij për të ushqyer zellin e tij në mësimin e shkencave të Hadithit nga dijetarë të ndryshëm. Prej tyre përmendim:

Shejkh Muhamed Isma’il Ibn ‘Abdul-Khalik el-Afgani es-Sindi,

Shejkh Muhamed Medeni,

Shejkh Muhibullah Shah er-Rashidi (vëllai i madh i Shejkh Bediud-Dinit),

Shejkh Ebu Uefij Thenaullah Emritsari,

Muhadithi, Ebu Muhamed ‘Abdul-Hak Beheualpuri el-Muhaxhir el-Mekki

Shejkh, el-‘Alame ‘Abdullah Muhadith Rupari,

Shejkh Ebu Is`hak Naik Muhamed,

Muhadithi i kohës së tij, el-‘Alame Ebu Se’id Sherefud-Din Dehleui.

 

Nga el-‘Alame Ebu Se’id Sherefud-Din Dehleui ai mori ixhaze dhe sened në Hadith. Të gjithë dijetarët e lartpërmendur ishin nën mbikqyrjen e Shejkhul-Kul Mian Nezir Husein Muhadith Dehleui. Në këtë mënyrë Shejkh Bediud-Din Shah sihte një student i Shejkhul-Kul Mian Dehleui. Zinxhiri i Shejkhul-Kul Sejjid Mian Dehleui është i famshëm pasi gjendet në libra të ndryshëm dhe ky zinxhir arrin deri tek Imam el-Bukhari në shtatëdhjetë rrugë. Dhe nëse do të merrej vetëm një zinxhir i caktuar nga Imam Bukhari që është nga Historia e Imam Mekkit, atëherë sinxhiri i Shejkh Bediud-Din Shah mund të shkojë deri tek Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në njëzetë rrugë.

Daueti i tij në Sind:

Pasi mori ixhaze nga dijetarët, Shejkh Bediud-Din Shah u kthye në qytetin e tij të lindjes dhe dhe filloi dauen dhe mësimdhënien në Sind. Kjo ka qenë në një kohë kur daueti për në Kur'an dhe Sunet ishte plot vështirësi, veçanërisht në Sind. Në atë kohë, pjesa dërrmuese e njerëzve shkonin pas një njeriu fetar të caktuar, që e quanin ndryshe “Pir”. Ka qenë nga besimi i njerëzve që nëse ata i jepnin ndonjë dhuratë këtij njeriu fetar (Pir), si për shembull prerja e kurbanit për të, atëherë kjo do të mjaftonte për shpëtimin e tyre. Ata besonin se duke vepruar kështu Piri do të kujdesej për çështjet e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo ishte injorancë e rrezikshme, kështu që Shejkh Bediud-Din Shah i ngriti lart zërin e tij duke pa kurrëfarë kompromisi.

Fillimisht, ai u preokupua me mësimdhënien dhe u dha mësim shumë prej dijetarëve të Sindit, veçanërisht në fushën e Hadithit, përveç veprimtarisë së tij në fushën e Daues.

Shejkh Bediud-Din në njëfarë mënyre ishte Alimi i parë që ngriti lart dauen në vendin e tij. Siç u tha më parë, krahina e Sindit ka qenë dhe ende është shtëpia e disa prej formave më të këqia të Shirkut. Prandaj, ishte shumë e vështirë që daueti të përparonte atje. Megjithatë, Allahu i dha atij sukses (Teufik) dhe ai vazhdoi më tej me dauen e tij, edhe pse atij iu desh të përballej me shumë vështirësi.

Pati disa tentativa për vrasje dhe jo rrallë herë kundërshtarët e tij ankoheshin në qeveri për t’i hapur probleme. Ai u ndalua që të mbante fjalime në publik dhe u vendon në arrest shtëpie disa herë. E gjithë kjo vinte si rezultat i propagandës që bënin kundërshtarët e tij të cilët e vështirësonin dauetin i cili ishte në hapat e tij të para. Megjithatë, atje ishin disa njerëz të pakët të cilët ndiqnin Sunetin. Njëherë, Shejkh Bediud-Din po priste në stacionin e trenit që të kthehej në qytetin e tij dhe pa një njeri që po falej në stacion me duart në kraharor, i cili gjithashtu i ngrinte edhe duart para dhe pasi ngrihej nga Rukuja. Shejkh Bediud-Din u ndie vërtet shumë i kënaqur që pa një njeri të Sunetit dhe vendosi ta takonte. Në atë moment mbërriti treni. Ai tren vinte vetëm një herë në ditë, kështu që Shejkhu duhet të merrte trenin dhe të kthehej në qytetin e tij, ose të qëndronte aty për të takuar atë burrin tek stacioni dhe të rrinte edhe një ditë tjetër. Por atë kohë njerëzit e Sunetit ishin kaq të rrallë, sa që ai vendosi ta linte trenin dhe të takonte shokun e tij.

Përpjekjet dhe mundimet e tij:

Siç u pëmend më parë, në disa raste pati tentativa për ta vrarë Shejkh Bediud-Dinin. Edhe pse shpesh herë iu desh të përballej me kundërshtime mjaft të ashpra, ai u tregua gjatë gjithë kohës i duruar dhe i vendosur. Një gjë të tillë e tregon edhe ngjarja që i ndodhi gjatë daues së tij.

Shejkhu ishte ftuar për të mbajtur një ligjëratë në një fasht i cili kishte vetëm pak Selefijinë. Ai shkoi tek ky fshat duke përshkruar në këmbë një distancë të madhe pasi në atë kohë nuk kishte shumë jete transporti. Kur mbërrit në fshat, Imami i Xhamisë e kundërshtoi vizitën e tij. Ai mblodhi pas vetes njerëzit e pasur e me personalitet të fshatit dhe shkoi në Xhami me shkopinj e lopata dhe u thanë Selefijve se nuk do t’i lejonin që të vazhdonin me programin e tyre. Megjithatë, Selefijinët ishin të vendosur që të vazhdonin me programin e tyre edhe nëse kjo do të kërkonte shumë sakrificë. por Shejkh Bediud-Din Shah i ndaloi ata nga kjo gjë pasi do të ishte shumë e dëmshme për da’uen e tyre. Një nga të pranishmit propozoi që mësimi të mbahej në shtëpinë e tij. Kështu, Shejkhu shkoi në shtëpinë e tij dhe qëndroi mbi tarracën e shtëpisë ndërsa para tij qëndron dy apo tri nga shokët e tij. Ai e filloi ligjëratën dhe për shkak se Allahu i kishte dhënë atij një zë mjaft të fuqishëm, ligjërata e tij dëgjohej edhe në shtëpitë përreth. Ishin përhapur zëra mes njerëzve të thjeshtë se Shejkhu fliste kundër Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Sidoqoftë, ajo çfarë dëgjuan njerëzit ishte krejt e ndryshme nga ato çfarë ishin përhapur rreth tij. Ai po paraqiste Kur'anin dhe Hadithet e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Kështu, njerëzit filluan të afroheshin një e nga një për ta dëgjuar. Shejkh Bediud-Dini e vazhdoi për orë të tëra ligjëratën e tij dhe si rezultat i kësaj, thuajse i tërë fshati e pranoi Da’uetin Selefij. Kjo ndodhi është dëshmi e durimit që kishte Shejkhu. Ka patur edhe raste të tjera në jetën e Shejkhut kur janë rrafshuar madje edhe varre të cilat adhuroheshin. Ai u sfidua shpesh që të debatonte me njerëz që u përkisnin grupeve të ndryshme. Shumë njerëz pranonin Selefizmin në këto debate e ndonjëherë edhe dijetarë.

Qëndrimi i tij në Arabinë Saudite:

Shejkh Bediud-Din Shah jetoi gjithashtu në Arabinë Saudite për rreth pesë vjet, ku ka dhënë mësim në Haram në Mekke. Mësimet e tij ishin rreth Tefsirit të Ibn Kethirit dhe Sahihu i Bukharit. Përveç këtyre, ai ka dhënë mësim gjithashtu el-Muhala të Ibn Hazmit. Pas njëfarë kohe, ai dha mësim në Darul-Hadith në Mekke dhe më pas dha mësim për dy vjet në Mehadul-Haram el-Mekki, që iu kërkua në mënyrë të veçantë nga ana e Shejkh Abdullah Ibn Humejd. Dhe pikërisht gjatë këtyre derseve që ka dhënë aty, Shejkhu arriti një famë të jashtëzakonshme anë e mbanë botës. Disa nga derset e tij ishin në gjuhën Arabe kurse të tjerat ishin në Urdu. Studentët e dijes vinin nga drejtime të ndryshme për të marrë pjesë në derset e tij. Dy janë derset që ka mbajtur Shejkhu në Universitetin Islamik të Medines, nga të cilët iu shtua fama akoma më shumë. Njëra prej tyre ishte në refuzimin e Sufizmit kurse tjetra trajtonte vlerat e Ehlul-Hadithit. Të dyja këto derse drejtoheshin nga Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibn ‘Abdullah Ibn Baz. Dhe në fakt, ishte Shejkh Ibni Bazi ai i cili e ftoi Shejkh Bediud-Dinin që të mbante derse. Atje ishte i pranishëm edhe Shejkhu, Muhadithi Muhamed Nasirud-Din el-Albani, i cili i lavdëroi derset e tij. Ulematë u befasuan nga mendjemprehtësia e tij fetare dhe veçanërisht nga zotësia e tij në Shkencat e Hadithit. Ata u mahnitën gjithashtu edhe nga numri i madh i Haditheve të cilat ai i kishte mësuar përmendësh bashkë me zinxhirët dhe referencat e tyre.

Imam në Shkencën e Transmetuesve të Hadithit (‘Ilmur-Rixhal) :

Shejkhu kishte një gradë të veçantë në ‘Ilmur-Rixhal. Dëshmia më e madhe për të është deklarata e Shejkh Thenaullah el-Emritsari në një konferencë që u mbajt përpara pavarësisë së Pakistanit. Në këtë konferencë morën pjesë shumë Dijetarë të famshëm të Nën-Kontinentit Indian, i cili drejtohej nga Shejkh Bediud-Din Shah. Në fillim të fjalimit të tij, Shejkh Thenaullah Emritsari tha: “Ndihem shumë i privilegjuar që të flas në një takim i cili drejtohet nga Imami i shkencës së ‘Ilmur-Rixhal.” Kjo tezkije e dhënë nga mësuesi i tij është një dëshmi e aftësive që kishte Shejkhu. Ai ishte me të vërtetë Flamur-mbajtësi i Teuhidit dhe Sunetit në krahinën e Sindit, sikur Allahu e kishte sjellë atë në këtë botë vetëm për këtë qëllim.

Përkushtimi i tij në Da’ue :

Gjatë gjithë kohës së tij në Sind, të pakta ishin ditët të cilat ai i kalonte në shtëpinë e tij. Ai mbante derse thuajse çdo ditë nëpër fshatra apo qytete. Shpesh herë ai largohej nga shtëpia për më shumë se tri javë duke dhënë mësim nga njëri fshat në fshatin tjetër. Ai ishte plot gjallëri e përkushtim kur mbante këto derse dhe sigurohej që të tregonte kujdesin e duhur në ato aspekte të cilat ishin më të domosdoshmet. Derset e tij u pritën me bujë të madhe veçanërisht në zonën përreth shkretëtirës Dherr. Pjesa më e madhe e udhëtimeve të tij ishin rraskapitëse. Madje edhe ata që udhëtojnë në ato vende me mjete më komode nuk e mohojnë këtë fakt. Megjithatë, Shejkhu shpesh kalonte një muaj të tërë duke udhëtuar nëpër këto krahina duke i thirrur njerëzit në Teuhid e Sunet. Si rezultat i këtij mundi, me qindra fshatra në zonën e Dherrit përqafuan Menhexhin e Ehlul-Hadithit.

Aftësitë e tij :

Shejkh Bediud-Din Shah ishte një Muhadith, ishte një njeri që mësonte përmendësh hadithet bashkë me zinxhirët e tyre, dhe më e pakta që mund të dinte ai ishte se në cilin libër dhe në cilin kapitull do të gjesh një hadith të caktuar. Ai e kishte zakon që të mos i shpëtonte asnjë libër i ri pa e lexuar nga fillimi deri në fund. Dhe meqënëse ai kishte një kujtesë shumë të fortë, ai mësoi përmendësh çdo gjë që lexoi. Ai e vërtetonte gjithmonë qëndrimin e tij duke përdorur argumente nga Kur'ani dhe Suneti. Njëherë, gjatë një mësimi të mbajtur në Hajdarabad, një hanefi u çua dhe e pyeti Shejkhun që të jepte argumente për mënyrën se si falej ai, duke përdorur vetëm argumente nga Sahihul-Bukhari dhe Sahihul-Muslim. Dhe në kët rast, Shejkh Bediud-Din e shpjegoi çdo hap të Namazit, që nga tekbiri fillestar e deri në selam, duke për dorur argumente vetëm nga dy librat e sipërpërmendur, dhe kjo vetëm nga kujtesa e tij.

Udhëtimet e tij:

Gjatë udhëtimit, Shejkh Bediud-Din Shah ose u përgjigjej pyetjeve që i drejtonin ose kur e shikonte se shokët e tij ishin të heshtur, atëherë merrej me këndimin e Kur'anit. Ndonjëherë, kur largohej nga shtëpia duke u nisur për udhëtim që zgjaste 3, 4 apo 5 ditë, ai fillonte të këndonte Kur'anin, dhe kur kthehej njerëizt e dëgjonin duke kënduar disa nga suret e fundit (d.m.th. e përfundonte këndimin e krejt Kur'anit në një udhëtim që zgjaste vç 3 apo 4 ditë). Ai e falte namazin e natës gjatë gjithë jetës së tij, pak rëndësi kishte se sa vonë kthehej nga udhëtimi apo aktiviteti që kishte patur në da’ue. Ai sigurohej që të ngrihej natën për të falur namaz. Kishte rastë kur ai friësohej se mos nuk çohej për të falur namaz, prandaj ai falej gjatë natës dhe pastaj binte për të fjetur. Kur ishte në udhëtim, ai e falte namazin e natës qoftë në kafshë apo automjete me të cilat udhëtonte, pasi kjo gjë është transmetuar në Sunet.

Shejkhu udhëtoi në shtete të ndryshme, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Shtetet Europiane. Gjatë një udhëtimi në Kuvajt, Shejkhu e kaloi të gjithë kohën e tij atje duke dhënë mësim. Pas sabahut ai jepte mësim në Sahihul-Bukhari, pas të cilit ai pushonte pak. Pastaj, nga ora 11 e mëngjesit e deri në namazin e drekës jepte mësim në Mustalahul-Hadith, dhe pastaj jepte mësim pas namazit të drekës, pas ikindisë dhe pas akshamit. Njerëzit që shoqëronin Shejkhun me makina gjatë këtyre udhëtimeve nga njëri vend në vendin tjetër, në kohët ndërmjet derseve lexonin libra nga Shejkh Bediud-Din Shah. Shumë nga dijetarët e mëdhenj të asaj krahine morën ixhaze në Hadith nga ai. Kur mbërriti lajmi në Arabinë Saudite se Shejkh Bediud-Din Shah ishte në Kuvajt, shumë dijetarë dhe studentë udhëtuan në drejtim të Kuvajtit që ta takonin atë dhe të përfitonin prej tij. Gjatë tërë këtij muaji Shejkhu pushonte vetëm pakëz orë në ditë, dhe pjesa tjetër e kohës ishte e mbushur ose me mësimdhënie ose me dhënien e përgjigjeve për pyetjet që i drejtonin. Është vërtet e mahnishtme se si Allahu e bëri atë që të punonte kaq shumë për Islamin. Kjo është mirësi që Allahu ia jep kujt të dojë Ai.

Dija e tij:

Allahu e bekoi Shejkh Bediud-Din Shah es-Sindin duke e bërë atë një oqean me dije. Kushdo që lexon literaturën e Shejkhut apo dëgjon ligjëratat e tij do të shohë tek ai cilësitë e Imamëve të Fesë. Mes të tjerash, do të shohë tek ai mjeshtërinë e arsyetimit të el-Hafidh Ibn Hazm, mjeshtërinë përshkruese të Ibnul-Kajjimit dhe forcën e argumentit të Shejkhul-Islam Ibn Tejmijes. Kur studentët mësonin Hadithin apo diskutonin reth zinxhirëve të transmetimit, ata e shihnin Shejkh Bediud-Dinin si një nga dijetarët më të mëdhenj të Xherhit dhe Te’dilit. Allahu e bekoi atë me të gjitha këto cilësi, dhe kështu njerëzit nga e gjithë bota përfituan nga dija e tij. Dhe falë përpjekjeve të Shejkhut, entuziazmi dhe zelli me të cilin njerëzit mësuan Akijden, Hadithin dhe Sunetin nuk është parë në ndonjë vend tjetër në Pakistan.

Kujtesa e tij:

Shejkh Bediud-Dini kishte një kujtesë që të mahniste. Është përmendur në Ramuz er-Rashidije, i cili është një libër që përmban një intervistë me Shejkh Bediud-Din Shah es-Sindin që e ka dhënë gjatë vitit të fundit të jetës së tij:

Pyetje: Sa kohë të duhej për të mësuar përmendësh Kur'anin, kur e ke mësuar atë dhe sa hadithe ke mësuar përmendësh?

Përgjigje: Ka qenë në vitin 1948, pas ndarjes së sub-kontinentit (Indo-Pakistanez) kur e mësova Kur'anin për tre muaj, megjithëse kam qenë i zënë me aktivitetet e da’ues. E mbaj mend shumë mirë se e kam mësuar suren Nur kur udhëtoja me deve (nga Sa’idabadi).

Unë kam patur dëshirën që ta mësoja Kur'anin tre apo katër vjet më përpara, por së pari, unë kam qenë i përfshirë në shumë aktivitete, dhe së dyti, unë e dija hadithet rreth pasojave që burojnë nga harrimi i Kur'anit pasi e mëson atë. Kështu që, unë nuk kisha kurajo të mjaftueshme që të filloja të mësoja Kur'anin. Megjithatë, kur erdhi koha për ta mësuar, të cilën Allahu (Subhanehu ue Te’ala) e kishte caktuar për mua, puna ime u bë shumë e lehtë. Gjithashtu, një hadith në Xhami’ et-Tirmidhi rreth mësimit përmendësh me ndihmoi që të mësoja me një plan ditor.

Me Mirësinë e Allahut të Lartësuar, ky djalosh i varfër (d.m.th. vetë ai) mori kurajo dhe e mësoi Kur'anin nga sureja Hud e deri në fund. Kurse fillimin e Kur'anit, unë e kisha mësuar xhuzin e parë. Kështu që më duhej të mësoja që nga xhuzi i dytë e deri në fund të sures Junus. Mu deshën nëntë ditë për të mësuar që nga xhuzi i dytë e deri tek surej a el-Ma’ide., dy ditë për të mësuar suren el-Ma’ide, tri ditë secila për suren el-En’am dhe suren el-A’raf, dhe pjesën tjetër të sureve: sure el-Enfal, sure et-Teube dhe suren Junus i mësova në një ditë secila. Nuk më ka humbur as edhe një ditë pa mësuar përmendësh në këto njëzetë ditë.

Kurse për sa i përket Haditheve, unë nuk pretendoj se jam Hafidh, por me Mirësinë e Allahut të Lartësuar unë di shumë hadithe që kanë të bëjnë me çështjet e përditshme të jetës, bashkë me referencat përkatëse.”

Libraria e tij:

Libraria e Shejkh Bediud-Dinit ishte me të vërtet një ekzemplar. Në këtë librari private ka midis pesëmbëdhje dhe njëzetë mijë libra ku përfshihen dorëshkrime dhe libra, disa nga të cilat janë me shumë vëllime. Në zemrën e tij ishte një vend i posaçëm për librat, aq sa nëse do të shikonte ndonjë libër të ri, ai do të mundohej që ta blinte atë pavarsisht gjendjes ekonomike jo të mirë. Disa njerëz ia falnin librat me bujarinë e tyre dhe ai gëzohej tej mase kur merrte dhurata të tilla. Nëse hap ndonjë libër nga libraria e tij shpesh do të shohësh se ai është i mbushur me shënime në anët e tij dhe në vendet e tjera. Ndonjëherë, këto shënime kritikonin apo vërtetonin atë çfarë ishte shkruajtur, ndërsa në raste të tjera ishin veçse shtjellim i çështjeve të përmendura aty.

Librat dhe publikimet e tij:

Janë rreth 150 libra dhe publikime të Shejkhut. Pjesa më e madhe e tyre janë në Arabisht, kurse pjesa tjetër janë në gjuhën Urdu dhe Sindi. Shejkh Bediud-Din Shah i zotëronte të trija këto gjuhë në mënyrë të shkëlqyer. Për më tepër, Allahu e kishte bekuar atë me aftësi për të kuptuar e për të folur gjuhën Persiane. Disa nga librat e tij janë shkruajtur në një gjuhë Arabe aq të thellë saqë edhe disa nga Arabët nuk janë të aftë që t’i kuptojnë ato, përveç nëse kanë ndonjë fjalor me vete. Për shembull, libri i tij ‘el-Uxhul’ i cili përmend 80 kuptime të fjalës el-Uxhus; që ta kuptosh këtë libër nuk është aq kollaj. Shumë nga Ulematë Arabë janë mahnitur nga ky libër dhe e patën të vështirë ta besonin se një Dijetar jo-Arab mund të shkruante një libër të tillë. Është edhe një libër tjetër të cilin ai e shkruajti në fushën e Akijdes, duke përdorur vetëm fjalë të cilat nuk kanë pika. Ai është një libër me 80 faqe dhe në të ka fjalë të cilat zor se gjenden edhe në fjalorin e Arabishtes. Ai shkroi gjithashtu një libër në gjuhën Arabe të quajtur ‘Uesul el-Elham Lesul el-Islam’ pa përdorur as edhe një pikë.

Veprat e tij në Arabisht:

Sherh Kitab et-Teuhid (Sagir) të Ibn Khuzejmes.

Tefsir el-Kur'anil-Kerim el-Musme bil-Intinbat el-‘Axhijb fij Ithbat et-Teuhid min Xhami’ Ajatul-Kitab en-Nexhijb.

Tahdhibul-Akual fijmen lehu Terxheme fij Adhar el-Bera miner-Rixhal.

El-A’xhuzel Hidajeh el-A’xhuz.

Uesul el-Elham Lesul el-Islam.

Munxhid el-Mustexhiz lirauajeh es-Sunen uel-Kitabul-‘Azijz.

Xhuz Menzum fij Esmail-Mudelisin.

Xhela el-Ainejn bi-Tahkijk Rauajetel-Bukhari fij Xhuz Raf el-Jedejn.

El-Kaulul-Latijf fil-Ahtexhaxh bil-Hadith ed-Da’if.

Sarih el-Muhmed fij Uesl Ta’likat Muwetta Imam Muhamed.

El-Exhabeh me’al-Esabe fij Tertijb Ehadithul-Bejhaki a’la Mesanid es-Sahabe.

Et-Teuijbul-Hadith Tarijkh el-Khatib.

Shujukh el-Imam el-Bejhaki.

El-Xheuab ed-Delat ‘an Mesele eth-Thelath.

El-Etuam el-Mer’asheh fij Bejan Tahrifat Ehlur-Ra’i el-Mudhishe.

 

Dhe shumë libra të tjerë.

Në Urdu:

Teuhidul-Khalis.

Ittiba’us-Sunneh.

Tenkijdus-Sedid bir-Rasale Ixhtihad uet-Taklijd.

Nishat el-‘Abd bi-Xhehr Rabbena ue lekel-Hamd.

Tarijkh Ehlul-Hadith.

Akideja e Imamit duhet të jetë e saktë.

Metodologjia e Ehlul-Hadithit dhe Taklidi.

 

Dhe shumë të tjerë.

Në Sindi:

Namazi i Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

El-Uasik fij Xheuab el-Uathik.

Et-Tenkijdul-Medhbut fij Tesuid Tahrir ek-Mebut.

Teuhidur-Rabbani Ja’ni Saçi Muselemani, pjesa e parë dhe pjesa e dytë.

Et-Tefsil el-Xhelil fij Abtal et-Te’uil el-‘Alil.

Temijz et-Tajjib minel-Khabith bixheuab Tuhfetul-Hadith.

 

Përveç këtyre, ka edhe mjaft libra të tjerë që shkroi ai, ku më të rëndësishmit janë në fushën e Tefsirit. Ai filloi ta shkruajë këtë Tefsir në gjuhën Sindi sepse nuk kishte asnjë Tefsir të pastër Selefij në gjuhën e tij. Ai vazhdoi përpara megjithëse njerëzit i kërkuan që ai ta shkruante Tefsirin në gjuhën Arabe pasi kështu do të fitonte një treg më të gjerë. Shejkhu tha se ai nuk shikonte për famë, por deshte të shkruante një Tefsir që do t’i bënte dobi njerëzve në krahinën e tij. Shejkhu mundi ta shkruajë këtë Tefsir deri tek sureja Jusuf, dhe pastaj vdiq. Janë publikuar nëntë vëllime të këtij Tefsiri, dhe vëllimi i parë përfshin vetëm parathënien. Vetëm Tefsiri i sures Fatiha është me mbi 600 faqe. Shpresohet që pjesa tjetër e Tefsirit të kompletohet dhe të publikohet në 15 vëllime (inshaAllah). Ky Tefsir është shkruajtur në përputhje me Menhexhin Selefij. Ai është i pastër nga hadithet da’if, garib apo nga transmetimet e Israilitëve. E veçanta e këtij Tefsiri është se çdo ajet është shpjeguar me hadithe, dhe se çdo shpjegim nxjerr në pah Akijden Selefije.

Njëherë, Shejkh Bediud-Dinit i erdhi një letër me pesë pyetje nga Multani, në të cilën pyetej rreth Teuesulit dhe konceptit Sufi të Uahdetul-Wuxhud. Shejkhu filloi të shkruante përgjigjen për këto pesë pyetje dhe kjo përgjigje mori formën e një libri me 600 faqe, i cili u botua me titull, Teuhidul-Khalis. Kur Shejkhun e njoftuan për botimin e tij, ai shprehu dëshirën që të përkthehej në gjuhën Arabe. Rreth 300 faqe të këtij libri janë përkthyer. Ky libër inshaAllah do të jetë një xhevahir në Akijde, dhe sidomos këto dy çështje që janë shjelluar në të.

Devotshmëria e tij:

Shejkh Bediud-Dini nuk i kushtoi shumë rëndësi punëve të kësaj dynjaje. Ai zotëronte një tokë e cila ishte disa qindra akër (sh.p. 1 akër = 4050 m2), por ai nuk merrej fare me punën në fushë pasi kjo e largonte nga dituria. Kështu, ai e kishte dhënë tokën me qira dhe fitonte prej saj një pjesë të fitime nga toka, por ai kurrë nuk ia lejoi vetes që ajo ta largonte nga misioni i tij. Ata që e kanë takuar atë e njohin shumë mirë gradën e lartë që kishte ai në dije,

Shejkhu i madh, Muhadithi el-Albani njëherë u tha njerëzve në Amerikë që të ftonin Shejkh Bediud-Dinin dhe të përfitonin nga dituria e tij. Shujukhë të tjerë e kanë lavdëruar Shejkhun, përfshi Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibn Bazin dhe Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij. Allahu i mundësoi atij që të punonte në fushën e da’ues, në hulumtime, në mësimdhënie dhe në fusha të tjera ku mund t’i shërbehej Islamit. Jeta e tij ishte një pasqyrim i hadithit: “Në çdo kohë do të ketë njerëz që do të ngrejnë lart këtë Fe.” Kështu, do të ketë njerëz që do vazhdojnë të marrin dije, të japin dije dhe të përhapin kuptimin e saktë të kësaj Feje dhe të kundërshtojnë ata që dalin kundër saj. Allahu e bekoi Shejkh Bediud-Din Shahun me këto cilësi. Gjatë gjithë jetës së tij ai paraqiti konceptin e Teuhidit në formën e tij të kulluar. Ne i lutemi Allahut që ta bëjë Shejkhun një përmbushje të duasë që ka bërë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në Mina:

O Allah, ndriçoje fytyrën e besimtarit që dëgjon një Hadith nga unë, e mëson përmendësh atë dhe e përhap.

Allahu na dhëntë të gjithëve ne teufijk (sukses).

Studentët e tij:

Shejkhu, Imami Mukbil Ibn Hadi el-Uadi’i el-Jemeni,

Shejkhu, Muhadithi Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij,

Shejkh ‘Umer Ibn Muhamed Ibn ‘Abdullah Ibn Subejjel,

 

Shejkh ‘Abdul-Kadir Ibn Habibullah es-Sindi,

Shejkh Shemsudin el-Afgani,

Shejkh Hamdi ‘Abdul-Mexhijd es-Selefij el-‘Irakij,

Shejkh Uasiullah Ibn Muhamed ‘Abbas,

 

dhe shumë e shumë të tjerë, përfshi këtu edhe tre djemtë e tij.

Vdekja e tij:

Shejkhu ndërroi jetë në Karaçi më 8 Janar 1996 (1416 Hixhrij) dhe u varros në qytetin e tij të lindjes në Pir Çando. Një turmë e madhe njerëzish morën pjesë në xhenazen e tij në Sa’idabad, të cilët mbërritën nga pjesë të ndryshme të vendit. Vërtet, pasi u fal xhenazja e tij, një turmë tjetër njerëzish bëhej gati që të falnin xhenazen për shkak të numrit të madh që mbërrinin.

Allahu na mundësoftë edhe neve që të ndjekim këtë rrugë, të na bëjë nga ata që kapen fort pas Kur'anit dhe Sunetit dhe me zemrat dhe veprat tona.

 

 

Përktheu Alban Malaj