Autor: Shejkh Salih Ali-Shejkh
Në Sahihun e Bukhariut thuhet se ‘Aliju ka thënë:
حَدِّثُوا النَّاسَ بِمَا يَعْرِفُونَ أَتُحِبُّونَ أَنْ يُكَذَّبَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ
“Folu njerëzve për atë që e dijnë (e kuptojnë), a doni që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?”
Në këtë ka argument se një pjesë e dijes nuk është e përshtatshme për çdonjërin, ngase një pjesë e dijes është e veçantë, edhe në qoftë se ajo në vetvete është e dobishme dhe është nga çështjet e Teuhidit, porse ka të ngjarë që shumë njerëz nuk e dijnë atë.
Dhe ato janë si p.sh: nga disa çështje të Teuhidit të Emrave dhe Cilësive (Esma ue Sifat), siç janë disa çështje të Emrave dhe Cilësive si dhe përmendjen e disa Cilësive të Allahut – Xhel-le ue ‘Ala – kjo, vërtetë nuk i përshtatet çdonjërit, bile edhe disa që rreken për të marrë dije, ndoshta nuk i lexohen atij disa çështje të ndërlikuara në lidhje me Emrat dhe Cilësitë, por urdhërohen që ta besojnë atë në përgjithësi, si dhe të besojnë në atë që dihet dhe atë që është e njohur nga Kurani dhe Sunneti.
Kurse çështjet e ndërlikuara të Emrave dhe Cilësive janë për ata që janë të kualifikuar dhe nuk është e përshtatshme për njerëzit e rëndomtë dhe për fillestarët që kërkojnë dije. Sepse ka prej tyre disa (çështje që janë të ngatërruara dhe ka prej atyre çështjeve që ndoshta një person që e thotë atë e shpijnë që të përgënjeshtrojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Siç ka thënë këtu ‘Aliju (radijAllahu ‘anhu):
حَدِّثُوا النَّاسَ بِمَا يَعْرِفُونَ أَتُحِبُّونَ أَنْ يُكَذَّبَ اللَّهُ وَرَسُولُهُ
“Folu njerëzve për atë që e dijnë (e kuptojnë), a doni që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?”
Pra ndërlidhja e këtij etheri me këtë kapitull është se nga shkaqet e mohimit të Emrave dhe Cilësive është që personi t’u flasë njerëzve me atë që ata nuk e kuptojnë nga Emrat dhe Cilësitë e Allahut. Njerëzit kanë një besim të përgjithshëm rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut, besim me të cilin u vlen atyre Teuhidi, imani dhe Islami i tyre.
Prandaj, nuk është e volitshme hyrja në detaje për ato çështje, përveç nëse personit të cilit i flitet, i kap dhe i kupton ato çështje. Dhe kjo gjendje nuk është tek shumica e njerëzve. Dhe për këtë shkak kur flitej në praninë e Imam Malikut rreth “Hadithit të Imazhit” (Allahu e krijoi Ademin në pamjen e tij), e ndalonte atë që të fliste për këtë hadith, sepse njerëzit e rëndomtë nuk i kuptojnë tamam këto çështje.
Dhe po ashtu, disa mesele të Emrave dhe Cilësive nuk janë të përshtatshme për njerëzit e rëndomtë. Dhe ndoshta mund të jetë shkak për mohimin e asaj që ti i ke transmetuar ndonjërit që nuk e kupton çështjen, për shkak se kjo çështje është sipër intelektit dhe nivelit të tij, si dhe sipër asaj që ai ka marr dije, kjo mund ta shpie atë që të mohojë diçka nga dija për Allahun – Xhel-le ue ‘Ala – apo të mohojë diçka nga Emrat dhe Cilësitë.
Prandaj, muslimani e ka për obligim, dhe veçanërisht nxënësi i dijes, të mos i bëjë njerëzit që të përgënjeshtrojnë ndonjë gjë nga ajo që ka thënë Allahu – Xhele ue ‘Ala – apo nga ajo që ka treguar i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
Dhe ajo që të shpie në këtë përgënjeshtrim është që t’u flasësh njerëzve për atë që nuk e dijnë. T’u flasësh njerëzve për një hadith të cilin nuk e kap mendja e tyre. Ashtu siç ka ardhur në hadithin tjetër:
مَا أَنْتَ بِمُحَدِّثٍ قَوْمًا حَدِيثًا لاَ تَبْلُغُهُ عُقُولُهُمْ إِلاَّ كَانَ لِبَعْضِهِمْ فِتْنَةً
“Ti, nëse i flet një populli për diçka që mendjet e tyre nuk e kuptojnë, vetëm se kjo gjë është bërë fitne për disa prej tyre.”
Bukhariu ka bërë një kapitull në “Sahih” në Kitabul-Ilm (Libri i diturisë) duke thënë: “Kapitulli: Ai që i braktis disa zgjidhje duke patur frikë se disa njerëz nuk do mund ta kuptojnë atë dhe mund të bien në ndonjë gjë (gabim) akoma më të rëndë.”
Dhe kjo është prej çështjeve të rëndësishme të cilat duhet t’i dijë mësuesi, ai që flet dhe ai që jep këshilla si dhe ai që mban hutbe, që t’ju flasë njerëzve me atë që e dijnë dhe ta forcojë Teuhidin tek ata dhe ta kompletojë atë dhe t’ua shtojë imanin e tyre përmes asaj që e dijnë e jo përmes asaj që ata e mohojnë.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari