Autor: el-‘Alame Ahmed Ibn Jahja en-Nexhmi (rahimehullah)
Burimi: ‘Fetaua Xhelijje’ fq. 111 [Darul-Minhaxh 2004]
Pyetje: Unë jam i dobët në leximin e librave të dobishëm dhe kur filloj të lexoj disa nga librat e dijes ndiej dobësi dhe mërzitje. Pra, çfarë këshille keni për mua dhe kush është rruga e duhur për leximin e librave që përmbajnë dije të dobishme; ju lutem na jepni dobi?
Përgjigje nga Dijetari i madh, Ahmed en-Nexhmi, Allahu e mëshiroftë:
Së pari: është detyrë për atë që kërkon dije që të pastrojë nijetin e tij për Allahun, Zotin e botëve, dhe ta bëjë atë (kërkimin e dijes) duke patur për qëllim vetëm arritjen e Kënaqësisë së Allahut; dhe që të njohë të vërtetën, të veprojë sipas saj, si dhe të njohë të pavërtetën dhe të qëndrojë larg prej saj.
Së dyti: të veprojë me dijen që mësoi dhe të përpiqet që t’ua mësojë të tjerëve atë dituri që mësoi vetë.
Së treti: të ruajë atë që ka mësuar duke e mësuar përmendësh dhe duke e rishikuar dijen në mënyrë që të mos e harrojë.
Së katërti: të jetë i vazhdueshëm dhe jo i lëkundur në mësimin e asaj që ai nuk e di, në mënyrë që të shtojë dijen mbi dije.
Së pesti: t’i kërkojë Allahut vazhdimisht që t’i japë dhe t’i dhurojë dije të dobishme, furnizim të pamasë dhe vepra të pranuara; Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thoshte pas namazit të sabahut, pasi jepte selam (në të djathtë dhe në të majtë) këtë dua:
“Allahumme inni es’eluke ‘ilmen nafi’an, ue rrizkan tajiban ue ‘amelen mutekabelen.”
“O Allah, unë të kërkoj dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara.” [1]
Së gjashti: nëse ai ndihet i lodhur dhe i dobët kur është para dijes dhe është gati për të studjuar, atëherë ai duhet t’i kërkojë Allahut që t’i japë vullnet dhe dëshirë për të marrë dije dhe për t’iu përkushtuar asaj.
Së shtati: është obligim për studentin e dijes që të rrijë larg mosbindjes (gjynaheve). Sepse vërtet mosbindja e vret zemrën dhe e dobëson aftësinë për të kuptuar; dhe është transmetuar rreth Imam Shafiut se ai ka thënë: “Iu ankova Ueki’ut për kujtesën time të dobët, kështu që ai më udhëzoi që t’i lija gjynahet dhe pastaj tha: “Dije se dituria është dritë dhe Allahu nuk ia jep këtë dritë gjynahqarit.” Dhe unë them se argumenti për këtë gjendet në Librin e Allahut kur Ai, i Lartësuari thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَتَّقُوا اللَّهَ يَجْعَلْ لَكُمْ فُرْقَانًا وَيُكَفِّرْ عَنْكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَاللَّهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ (٢٩)
“O ju që besoni! Në qoftë se i nënshtroheni Allahut dhe e keni frikë Atë, atëherë Ai do t’ju japë një Furkan (parim apo kriter për të bërë dallim midis të vërtetës dhe të pavërtetës), do t’ju fshijë të gjitha gjynahet dhe do t’ju falë. Dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i Mirësive të Mëdha.” [Enfal, 29]
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَآمِنُوا بِرَسُولِهِ يُؤْتِكُمْ كِفْلَيْنِ مِنْ رَحْمَتِهِ وَيَجْعَلْ لَكُمْ نُورًا تَمْشُونَ بِهِ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ (٢٨)
“O ju që besoni! Kini frikë Allahun dhe besoni edhe të Dërguarin e Tij(Muhammedin). Ai do t’ju japë dyfish shpërblim nga Mëshira e Tij, dhe Ai do t’ju japë juve dritë me të cilën do të ecni (në Udhën e Drejtë) dhe Ai do t’ju falë. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [Hadid, 28]
Kështu, e rëndësishme është që studenti i dijes ka nevojë për përpjekje të vazhdueshme, të bëjë xhihad me veten e tij dhe me epshet dhe lakminë e tij, të lodhet duke kërkuar diturinë dhe të shpresojë se Allahu do t’ia bëjë të mundur që ta arrijë atë - dhe suksesi vjen nga Allahu.”
Fundnota:
[1] Ky hadith është mbledhur nga Ahmedi në ‘Musned Bakil-Ensar’ (n. 25982), Ibn Maxheh në Sunenin e tij në Librin e Faljes së Namazit dhe Sunetet e tij, kapitulli: “Çfarë duhet të thuhet pas Selamit”. E ka transmetuar edhe Bejhakiu në ‘ed-Da’uetul-Kebir’. Ka thënë el-Albani (rahimehullah): “Taberani e ka mbledhur atë në ‘el-Mu’xhemus-Sagir’ me një zinxhir të saktë.” Shiko ‘el-Mishkat’ (n. 2498).
Përktheu Alban Malaj