Bismilah...

Pyetje: Shejkh i nderuar, kam kërkuar diturinë për disa vite me radhë, por ama unë nuk i mbaj mend ato që kam mësuar dhe ndjehem sikur nuk kam përfituar asgjë! Çfarë më këshilloni ju, Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigje: Së pari, mos thuaj “ndjehem sikur nuk kam përfituar asgjë!”, ngaqë kërkuesi i diturisë është realisht duke bërë ibadet. Qëllimi i kërkimit të diturisë cili është? Qëllimi i kërkimit të diturisë pikësëpari është Kënaqësia e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar me robin e Tij, që ai është i zellshëm për diturinë. Ju e dini ndodhinë e atij burrit që është përmendur te hadithi, i cili vdiq gjatë rrugës, ndërmjet dy qyteteve, pastaj i shkuan melaiket dhe thanë: “Mateni distancën se te cili qytet ai është më afër!” Pastaj zbuluan se ai ishte më afër qytetit që kishte njerëz të devotshëm, pra ishte më afër qytetit ku bëri hixhretin. Për këtë arsye, Allahu e fali atë. Përse? Sepse kërkuesi i diturisë me lëvizjet e tij në kërkimin e diturisë është duke bërë ibadet. Kur ti kërkon diturinë, frymëmarrja jote, e folura jote, heshtja jote, përdorimi i gjymtyrëve të tua në kërkimin e diturisë, të gjitha këto janë ibadet për Allahun e Madhëruar e të Lartësuar. Kështu që, ti shpreson shpërblimin e Tij sepse ti je duke bërë ibadet. Ndërsa ti po thua: “Unë nuk kam përfituar asgjë!” Mos thuaj nuk përfitova asgjë!

Kjo madje mund të jetë më e dobishme për ty sesa namazet nafile apo më e mirë sesa disa ibadete nafile, ngaqë kërkimi i diturisë ka shpërblim madhështor dhe është ibadet për Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, ngaqë ti je duke dëgjuar Fjalën e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, fjalën e të Dërguarit të Tij dhe domethëniet e tyre. Pastaj, dobia mund të jetë në aspekte të ndryshme. Mos mendo assesi që dobia është që: ose të jesh dijetar ose ti nuk je fare nxënës i dijes! Nuk është synimi që çdo kërkues i diturisë të jetë dijetar, porse synimi me kërkimin e diturisë nga ana jote është që ti të largosh injorancën nga vetja jote, që të adhurosh Allahun e Madhëruar e të Lartësuar me ibadete të sakta, që të jetë besimi jot i drejtë, që të shkosh tek Allahu i Madhëruar e i Lartësuar me zemër të pastër:

يَوْمَ لا يَنفَعُ مَالٌ وَلا بَنُونَ إِلا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ

“Ditën kur s’të bën dobi pasuria dhe as fëmija, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër!” [#kuran esh-Shu’ara, 88]

Zemra të jetë e pastër nga dyshimet dhe nga pranimi i epsheve! Kjo është prej dobive të diturisë, që ti po largon injorancën nga vetja jote. E unë nuk mendoj se mund të ketë ndonjë nxënës që ka kërkuar diturinë për disa vite me radhe, që të mos ketë përfituar ai sevape për veten e tij apo që të mos ketë larguar injorancën nga vetja e tij. Nuk mendoj që do ketë ndonjë të tillë! Nëse nijeti i tij ka qenë i sinqertë, Allahu nuk ia humb kurrë shpërblimin atij që bën vepra të mira. Pastaj, është e pamundur që ai të mos ketë larguar injorancën nga vetja e tij. Edhe sikur të mos ketë përfituar askush tjetër nga dituria jote, por vetëm ti dhe familja jote, prapëseprapë kjo është një mirësi madhështore për ty!

 

Përktheu: Alban Malaj