Bismilah...

Dituria është e rëndë dhe mbartja e amanetit të fesë është e rëndë. E njëjta gjë vlen edhe për nxënësin e diturisë. Kur nxënësi  dëgjon për të mësuar diturinë, dituria është e rëndë për të.

Shumë e lehtë është të dëgjosh histori, ngjarje që janë për të qeshur dhe ngjarje që janë për të qarë, çfarëdolloj qofshin ato përralla dhe ngjarje. Këto histori të marrin dy a tre orë që t’i dëgjosh. Ti thua “Ma shaa Allah ky Shejkhu! Është i këndshëm!”

Nga ana tjetër, dituria (sheriatike) që kërkon gjysmë ore, i bën njerëzit që të largohen prej teje.

Prandaj, vijnë disa nga ata që tregojnë përralla apo ata që u flasin njerëzve për fe, por nuk u flasin njerëzve me fe, i bëjnë njerëzit të ndjehen se janë të qëndrueshëm në fe dhe fetarë, ndërsa realisht nuk kanë qëndrueshmëri në fe. Madje, mund që ta bëjnë atë që është  fetar, që të heqë dorë nga një pjesë e fetarizmit të tij.

Mblidhen me mijëra njerëz përreth këtyre që tregojnë histori dhe ngjarje. Thonë për të: “Ma shaa Allah është ky Shejkhu! Në takimet e tij nuk bezdisesh fare!” Por arritjet e vërteta të cilat janë sipas Sheriatit, janë zero!

Kur një dijetar vjen në një vend, shumë pak njerëz mblidhen tek ai për ta dëgjuar. O vëllezër, dijetari i madh që qëndron në vendin e tij, pak njerëz vijnë që ta dëgjojnë. Ndoshta ky dijetar nëse udhëton në një shtet tjetër dhe është i huaj për ta, vijnë shumë njerëz ta dëgjojnë atë. E nëse ky dijetar të qëndrojë një vit të tërë në atë shtet, e braktisin dhe nuk e dëgjon askush.

Dituria është e rëndë. Sa më shumë që një gjë bëhet e rëndë për ty, atëherë dije se ka shpërblim të madh.

 

Përktheu: Jeton Shasivari