Bismilah...

Autor: Ibn ‘Abdul-Berr (Allahu e mëshiroftë)

Burimi: “Xhami’ Bejan el-‘Ilm ue Fadlihi ”


2414: Ebu ‘Abdullah Muhamed bin Isma’il el-Bukhari është pyetur:

“Çfarë e forcon kujtesën?”

Ai u përgjigj: “Shikimi i shpeshtë mbi libra.”

2415: Ahmed bin Ebi ‘Imran ka thënë:

“Isha me Ebu Ejub Ahmed bin Muhamed bin Shuxhe’ i cili po rrinte në shtëpinë e tij. Ai dërgoi një nga djemtë e tij tek Ebu ‘Abdilah bin el-A’rabi për ta ftuar. Djali u kthye duke thënë: “I kërkova atij dhe ai ma ktheu: “Unë jam me një grup. Dhe kur të mbaroj së mësuari nga ata, do të jem aty.” Unë s’pashë as edhe një njeri të vetëm në shtëpinë e tij. Por, ai kishte para vetes libra të cilët po i shqyrtonte. Ai shikonte për njëfarë kohe tek ky libër dhe pastaj shikonte tek një libër tjetër.”

Pak kohë më vonë, ai erdhi. Kështu, Ebu Ejubi i tha: “O Ebu ‘Abdilah! I Lartësuar qoftë Allahu i Madhëruar! Ti ndenjte pas dhe na privove nga prania jote; biri im tha se ai nuk kishte parë asnjë njeri me ty dhe se ti the që ishe me një grup dhe se do të vije menjëherë sa të mbaroje së mësuari nga ata!”

Ibnul-A’rabi tha:

“Ne kemi shokë të cilët ulen me ne dhe nuk na shqetësojnë, besnikë që mund t’u zësh besë kur janë të pranishëm ose kur mungojnë. Ata na bëjnë dobi me dijen e tyre rreth ngjarjeve të shkuara; dhe mençuri, sjellje dhe mendime që janë të kulluara; Pa patur frikë për konflikte apo shoqëri të keqe, dhe nga gjuha dhe dora e tyre nuk ke asfarë frike; Kështu, nëse thua se ata janë të vdekur! Ti po rrenë, dhe nëse thua se ata janë të gjallë, të vërtetën e ke pranë...”1

2416: I thanë Ebil-‘Abbas Ahmed bin Jahja (Tha’leb):

“Njerëzit e ndiejnë shumë mungesën tënde. Sikur ta lije shtëpinë për pak dhe të dilje tek njerëzit që ata të mund të përfitojnë nga ty dhe t’i t’u bësh dobi atyre.” Ai ndenjti i heshtur gati një orë dhe tha: “Sikur të shoqëronim mbretërit, ata do të silleshin me ne plot mendjemadhësi, dhe do t’i shkelnin me këmbë të drejtat e atyre që po i mbajnë në shoqëri. Ose sikur tregëtarët t’i shoqëronim, ne do të ishim pikëlluar, dhe veç para do të numëronim. Kështu, qëndruam në shtëpitë tona duke nxjerrë dije, dhe duke mbushur me të stomaqet e këtyre faqeve.”

2419: Nga ajo çfarë është mbajtur mend në të kaluarën:

“Çfarë ligjëruesi dhe çfarë shoku i mirë që është libri! Mund ta izolosh veten me të nëse shokët të mbysin në mërzi; Ai nuk t’i nxjerr sekretet dhe nuk ka mendjemadhësi, dhe prej tij mund të fitosh urtësi dhe mirësi...”

2420: Ahmed bin Muhamed bin Ahmed recitoi:

“Gjëja më e ëmbël pas devotshmërisë që një i ri mund të dojë, është dija e zubukuruar për të që ai ta kërkojë. Dhe për çdo kërkues ka një kënaqësi të cilën ai e dëshiron, kurse kënaqësia e dijetarit tek librat e tij qëndron.”

2421: Ai më kërkoi që t’i bashkangjisja as që tha më parë këtë që vijon dhe e bëra menjëherë në praninë e tij: “Libri ia heq lexuesit merakun, dhe kur ai lexon, lodhja e tij sakaq shkon. Çfarë shoku i mirë është ai nëse me të izolohesh, E s’ke frikë nga ai mos në kurthe a probleme të biesh.”

2424: Ebu ‘Amr bin el-‘Ala’ ka thënë:

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të kem hyrë tek ndonjë njeri apo të kaloj pranë derës së tij – duke e parë atë me një libër në dorë ndërsa shoku i tij rri kot – përveç se kam gjykuar se ai është më i mençuri.”

2425: ‘Abdullah bin ‘Abdul-‘Aziz bin ‘Umer bin ‘Abdul-‘Aziz ka thënë:

“Kurrë nuk kam parë ndonjëherë këshillues më të mirë sesa varri, apo ndonjë gjë tjetër që të jep më shumë kënaqësi sesa libri, apo ndonjë gjë më të sigurtë sesa mospatja shoqëri.”

2426: el-Hasen el-Lu’lu’i ka thënë:

“Dyzetë vjet kanë kaluar nga jeta ime në të cilën kurrë nuk jam zgjuar apo të kem rënë në gjumë e të mos kem patur një libër që rrinte mbi kraharorin tim.”

1 Shp: Ai nuk gënjeu sepse e kishte fjalën për librat që ishin miqtë e tij dhe këto janë fjalë metaforike (me’arid) që nuk konsiderohen si gënjeshtër, sikurse është transmetuar saktësisht nga ‘Imran bin Husejni, ‘Umer bin el-Khattab dhe Ibn ‘Abbasi (radij-Allahu ‘anhum).

 

Përktheu Alban Malaj